Spanjë

Bjellorusi

Hong-Kong

Peru

Pak para vdekjes, Jezui shpalli: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Por, si do të kryhej kjo vepër predikimi mbarëbotërore? Duke ndjekur shembullin që la Jezui kur ishte në tokë.—Luka 8:1.

Përpiqemi t’i takojmë njerëzit në shtëpitë e tyre. Jezui i stërviti dishepujt të predikonin lajmin e mirë shtëpi më shtëpi. (Mateu 10:11-13; Veprat 5:42; 20:20) Atyre ungjillëzuesve të shekullit të parë iu caktuan territore ku të predikonin. (Mateu 10:5, 6; 2 Korintasve 10:13) Edhe sot vepra jonë e predikimit është e organizuar mirë dhe çdo kongregacioni i është dhënë një zonë e caktuar për të mbuluar. Kështu arrijmë të përmbushim urdhrin e Jezuit që ‘t’i predikojmë popullit dhe t’i japim dëshmi të plotë’.—Veprat 10:42.

Përpiqemi të flasim me njerëzit kudo gjenden. Jezui la shembullin edhe duke u predikuar njerëzve në vende publike, si buzë detit ose afër një pusi të përbashkët. (Marku 4:1; Gjoni 4:5-15) Edhe ne hapim biseda rreth Biblës me njerëzit kudo që mundemi—në rrugë, në vende biznesi, në parqe ose me anë të telefonit. Gjithashtu, u japim dëshmi fqinjëve, kolegëve të punës, shokëve të klasës dhe të afërmve kur krijohet mundësia. Të gjitha këto përpjekje të përbashkëta kanë bërë që miliona njerëz anekënd botës të dëgjojnë «lajmin e mirë të shpëtimit».—Psalmi 96:2.

A të vjen ndër mend ndokush që do të të pëlqente t’i tregoje lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, si edhe çfarë nënkupton ky lajm për të ardhmen e tij? Mos e mbaj për vete këtë mesazh shprese. Tregojua edhe të tjerëve sa më shpejt të mundesh!

  • Cili «lajm i mirë» duhet shpallur?

  • Si po e imitojnë Dëshmitarët e Jehovait metodën e predikimit të Jezuit?