Reparti i Artit, SHBA

Gjermani

Kenia

Kolumbi

Bethel është një emër hebraik që do të thotë «shtëpi e Perëndisë». (Zanafilla 28:17, 19, shënimi) Ky është një përshkrim i goditur për komplekset e ngritura nga Dëshmitarët e Jehovait përqark botës, nga ku drejtohet dhe mbështetet vepra e predikimit. Trupi Udhëheqës shërben në selinë botërore në shtetin e Nju-Jorkut, SHBA, prej nga mbikëqyr aktivitetin e zyrave të degëve në shumë e shumë vende. Si grup, ata që shërbejnë në këto ndërtesa njihen si familja Bethel. Ashtu si një familje, jetojnë e punojnë bashkë, hanë bashkë dhe e studiojnë Biblën së bashku në unitet.—Psalmi 133:1.

Një vend i pashoq ku pjesëtarët e familjes nuk e kursejnë veten. Në çdo ndërtesë Bethel ka burra e gra të krishterë që plot përkushtim bëjnë vullnetin e Perëndisë dhe u shërbejnë interesave të Mbretërisë në kohë të plotë. (Mateu 6:33) Askush prej tyre nuk merr rrogë, por të gjithëve u sigurohet strehim e ushqim, si edhe një dhuratë për shpenzimet personale. Në Bethel secili ka një caktim, si për shembull në zyrë, në kuzhinë ose në sallën e ngrënies. Disa shërbejnë në shtypshkronjë a libralidhje ose merren me pastrimin e shtëpisë, punojnë në lavanderi, në mirëmbajtje a diku tjetër.

Një vend ku vlon puna dhe që mbështet predikimin për Mbretërinë. Qëllimi kryesor i çdo Betheli është ta vërë të vërtetën biblike në dispozicion të sa më shumë njerëzve. Kjo broshurë është një shembull i kësaj. Ajo u shkrua nën mbikëqyrjen e Trupit Udhëheqës, iu dërgua me rrugë elektronike qindra skuadrave të përkthimit përqark botës, u shtyp në makineri me shpejtësi të lartë në disa shtypshkronja Betheli dhe iu dërgua më se 110.000 kongregacioneve. Në çdo hap të punës, familjet Bethel janë një mbështetje e domosdoshme për detyrën më urgjente nga të gjitha—predikimin e lajmit të mirë.—Marku 13:10.

  • Cilët shërbejnë në Bethel dhe çfarë u sigurohet atyre?

  • Cilën vepër urgjente mbështet aktiviteti i çdo Betheli?