BURRI që shikon këtu në gjunjë është Stefani. Ai është një dishepull besnik i Jezuit. Por shiko çfarë ndodh me të tani! Këta njerëz po e qëllojnë me gurë të mëdhenj. Pse e urrejnë kaq shumë Stefanin, sa të bëjnë këtë gjë të tmerrshme? Le të shohim.

Perëndia e ka ndihmuar Stefanin për të bërë mrekulli shumë të mëdha. Këta burra nuk e pëlqejnë këtë, prandaj fillojnë të zihen me të, sepse po u mëson njerëzve të vërtetën. Por Perëndia i jep Stefanit mençuri të madhe dhe Stefani thotë që këta burra u kanë mësuar njerëzve gjëra të rreme. Kjo i zemëron edhe më shumë. Prandaj, e kapin dhe thërrasin disa njerëz që të thonë gënjeshtra për të.

Kryeprifti e pyet Stefanin: ‘A janë të vërteta këto gjëra?’ Stefani përgjigjet duke mbajtur një fjalim të shkëlqyer nga Bibla. Në fund të fjalimit thotë se, shumë kohë më parë, disa njerëz të këqij i urrenin profetët e Jehovait. Pastaj thotë: ‘Ju jeni tamam si ata njerëz. Ju vratë shërbëtorin e Perëndisë, Jezuin, dhe nuk u jeni bindur ligjeve të Perëndisë.’

Kjo i zemëron shumë udhëheqësit fetarë! Ata kërcasin dhëmbët nga inati. Pastaj Stefani ngre kokën dhe thotë: ‘Ja, unë shoh Jezuin që po qëndron në të djathtën e Perëndisë në qiell.’ Tani, këta burra mbyllin veshët me duar dhe vrapojnë e hidhen drejt Stefanit. E kapin dhe e tërheqin zvarrë jashtë qytetit.

Këtu, ata heqin pelerinat e tyre dhe ia japin Saulit të ri për t’i ruajtur. A e shikon Saulin? Pastaj disa nga burrat fillojnë ta qëllojnë me gurë Stefanin. Stefani gjunjëzohet, siç e shikon këtu, dhe i lutet Perëndisë: ‘Jehova, mos i ndëshko për këtë të keqe që po bëjnë.’ Ai e di se disa prej tyre janë mashtruar nga udhëheqësit fetarë. Pas kësaj Stefani vdes.

Kur dikush të bën diçka të keqe, a përpiqesh t’ia kthesh po njësoj ose i kërkon Perëndisë që t’u bëjë keq? As Stefani, as Jezui nuk vepruan kështu. Ata u treguan të mirë edhe me njerëzit që nuk silleshin mirë me ta. Le të përpiqemi të imitojmë shembullin e tyre.