AI QË po qëndron në këmbë është apostulli Pjetër dhe burrat që janë pas tij, i ka shokë. Por, pse ky burrë po i përkulet Pjetrit? A duhet të veprojë kështu? A e di kush është?

Ky burrë është Korneli. Ai është një oficer i ushtrisë romake. Korneli nuk e njeh Pjetrin, por atij i kanë thënë që ta ftonte në shtëpinë e tij. Le të shohim se si ndodhi kjo.

Dishepujt e parë të Jezuit ishin judenj, kurse Korneli nuk është jude. Por ai e do Perëndinë, i lutet atij dhe bën shumë gjëra të mira për njerëzit. Një pasdite, i shfaqet një engjëll dhe i thotë: ‘Perëndia është i kënaqur me ty dhe do t’u përgjigjet lutjeve të tua. Dërgo disa njerëz të kërkojnë një burrë që quhet Pjetër. Ai po qëndron në Jopë, në shtëpinë e Simonit, që jeton afër detit.’

Menjëherë Korneli dërgon disa burra për të gjetur Pjetrin. Ditën tjetër, kur njerëzit po i afrohen Jopës, Pjetri ndodhet në tarracën e shtëpisë së Simonit. Atje Perëndia bën që Pjetrit t’i duket sikur po shikon një copë të madhe prej liri që zbret nga qielli. Brenda kësaj cope prej liri ka çdo lloj kafshe. Sipas ligjit të Perëndisë, këto kafshë ishin të papastra për t’u ngrënë, por megjithatë një zë i thotë: ‘Ngrihu, Pjetër. Vrit e ha.’

‘Jo!—përgjigjet Pjetri.—Unë nuk kam ngrënë kurrë diçka të papastër.’ Por zëri i thotë Pjetrit: ‘Mos e quaj më të papastër atë që tani Perëndia thotë se është e pastër!’ Kjo ndodh tri herë. Ndërsa Pjetri pyet veten se çfarë do të thotë e gjithë kjo, njerëzit që ka dërguar Korneli arrijnë te shtëpia dhe kërkojnë Pjetrin.

Pjetri zbret dhe thotë: ‘Unë jam ai që kërkoni. Pse keni ardhur?’ Kur burrat shpjegojnë që një engjëll i tha Kornelit ta ftonte Pjetrin në shtëpinë e tij, Pjetri pranon të shkojë me ta. Ditën tjetër, Pjetri me shokët e tij shkojnë te Korneli në Cezare.

Korneli ka mbledhur të afërmit dhe shokët e tij të ngushtë. Kur vjen Pjetri, Korneli e takon. Ai bie në gjunjë dhe përkulet te këmbët e Pjetrit, siç e shikon këtu. Por Pjetri thotë: ‘Ngrihu, edhe unë njeri jam si ty!’ Po, Bibla tregon se nuk është e drejtë të përkulesh dhe të adhurosh një njeri. Duhet të adhurojmë vetëm Jehovain.

Pjetri tani u predikon atyre që janë mbledhur. ‘E shoh se Perëndia i pranon të gjithë njerëzit që duan t’i shërbejnë atij’,—thotë Pjetri. Ndërsa ai po flet, Perëndia dërgon frymën e tij të shenjtë dhe njerëzit fillojnë të flasin në gjuhë të huaja. Kjo i çudit dishepujt judenj që erdhën me Pjetrin, sepse ata mendonin që Perëndia pëlqen vetëm judenjtë. Pra, mësojnë se Perëndia nuk i konsideron njerëzit e një race si më të mirë apo më të rëndësishëm se njerëzit e një race tjetër. A nuk është kjo një gjë e mirë që duhet ta mbajmë në mend të gjithë?