DJALI i ri që shikon këtu me apostullin Pavël është Timoteu. Timoteu jeton me familjen e tij në Listër. Nënën ia quajnë Eunika dhe gjyshen Loida.

Është hera e tretë që Pavli vjen në Listër. Rreth një vit më parë, Pavli dhe Barnaba erdhën këtu për herë të parë, gjatë një udhëtimi predikimi. Tani Pavli kthehet përsëri me shokun e tij, Silën.

A e di çfarë po i thotë Pavli Timoteut? ‘A të pëlqen të vish me mua dhe Silën?—e pyet ai.—Mund të na ndihmosh t’u predikojmë njerëzve në vende të largëta.’

‘Po,—përgjigjet Timoteu,—dua të vij.’ Prandaj, pak më vonë, Timoteu lë familjen e tij dhe shkon me Pavlin e Silën. Por, para se të mësojmë për udhëtimin e tyre, le të shohim se çfarë ka ndodhur me Pavlin. Kanë kaluar 17 vjet që nga koha kur Jezui iu shfaq atij rrugës për në Damask.

Të kujtohet, Pavli po shkonte në Damask për t’u bërë keq dishepujve të Jezuit, por tani ai vetë është dishepull! Më vonë disa armiq kërkojnë ta vrasin Pavlin, sepse nuk u pëlqen që ai po mëson njerëzit për Jezuin. Por dishepujt e ndihmojnë Pavlin që të shpëtojë. E vënë në një shportë dhe e zbresin jashtë mureve të qytetit.

Pas kësaj, Pavli shkon të predikojë në Antioki. Këtu, për herë të parë, dishepujt e Jezuit quhen të krishterë. Pavli dhe Barnaba dërgohen nga Antiokia në vende të largëta, për një udhëtim predikimi. Një nga qytetet që vizitojnë është Listra, ku banon Timoteu.

Tani, rreth një vit më vonë, Pavli kthehet në Listër gjatë një udhëtimi të dytë. Kur Timoteu ikën me Pavlin dhe Silën, a e di ku shkojnë? Shiko hartën dhe le të mësojmë disa vende.

Së pari, shkojnë aty afër, në Ikoni, pastaj në një qytet tjetër që ka emrin Antioki. Më tej, vazhdojnë udhëtimin për në Troadë, pastaj në Filipi, Selanik dhe Bere. A e sheh Athinën në hartë? Pavli predikon atje. Pastaj kalojnë një vit e gjysmë duke predikuar në Korint. Në fund, ndalojnë për pak kohë në Efes. Pastaj kthehen me anije në Cezare dhe udhëtojnë për në Antioki, ku rri Pavli.

Pra, Timoteu udhëton me qindra e qindra kilometra, duke ndihmuar Pavlin për të predikuar ‘lajmin e mirë’ dhe për të formuar shumë kongregacione të krishtere. Kur të rritesh, a do të jesh edhe ti një shërbëtor besnik i Perëndisë si Timoteu?