SHIKO sa gjë e tmerrshme po ndodh! Jezuin po e vrasin. E kanë vënë në një shtyllë. Në këmbë e në duar i kanë ngulur gozhdë. Po pse t’ia kenë bërë këtë gjë Jezuit?

Sepse ka disa që e urrejnë Jezuin. A e di cilët janë? Njëri prej tyre është engjëlli i lig, Satana Djalli. Ai arriti të shtynte Adamin dhe Evën që të mos i bindeshin Jehovait. Satanai është ai që i nxiti armiqtë e Jezuit të kryenin këtë krim të tmerrshëm.

Përpara se ta gozhdojnë këtu në shtyllë, armiqtë sillen shumë keq me Jezuin. A të kujtohet si erdhën në kopshtin e Getsemanisë dhe e morën? Cilët ishin ata armiq? Ishin udhëheqësit fetarë. Le të shohim se ç’ndodh më pas.

Kur udhëheqësit fetarë e marrin Jezuin, apostujt e tij ikin me vrap. E lënë Jezuin vetëm me armiqtë e tij, sepse kanë frikë. Por apostujt Pjetër dhe Gjon nuk shkojnë shumë larg. Ata ndjekin turmën, për të parë se çfarë do të ndodhë me Jezuin.

Priftërinjtë e çojnë Jezuin te Hanai i moshuar, i cili më parë kishte qenë kryeprifti. Turma nuk qëndron gjatë këtu. Pastaj e çojnë Jezuin te shtëpia e Kajafës, që është kryeprift tani. Shumë udhëheqës fetarë janë mbledhur në shtëpinë e tij.

Këtu, në shtëpinë e Kajafës, ata bëjnë një gjyq. Vijnë disa njerëz që thonë gënjeshtra për Jezuin. Të gjithë udhëheqësit fetarë thonë: ‘Jezui duhet të dënohet me vdekje.’ Pastaj e pështyjnë në fytyrë dhe e qëllojnë me grushta.

Ndërsa ndodh e gjithë kjo, Pjetri është jashtë në oborr. Është një natë e ftohtë, prandaj njerëzit bëjnë një zjarr. Ndërsa ngrohen rreth zjarrit, një shërbëtore shikon Pjetrin dhe thotë: ‘Ky burrë ishte me Jezuin.’

‘Jo, nuk isha!’—përgjigjet Pjetri.

Tri herë njerëzit thonë se Pjetri ishte me Jezuin. Por çdo herë, Pjetri thotë se nuk është e vërtetë. Kur Pjetri e thotë këtë për herë të tretë, Jezui kthehet dhe e shikon. Pjetrit i vjen shumë keq që tha ato gënjeshtra dhe largohet e qan.

Të premten në mëngjes, ndërsa lind dielli, priftërinjtë e çojnë Jezuin te vendi i mbledhjeve të tyre, salla e Sinedrit. Këtu, ata diskutojnë se çfarë do të bëjnë me të. E çojnë te Ponc Pilati, qeveritari i krahinës së Judesë.

‘Ky është një njeri i keq,—i thonë priftërinjtë Pilatit.—Duhet të vritet.’ Pasi e pyet Jezuin, Pilati thotë: ‘S’më duket se ka bërë ndonjë gjë të keqe.’ Pastaj Pilati e dërgon Jezuin te Herod Antipa. Herodi është qeveritar i Galilesë, por qëndron në Jerusalem. As Herodit nuk i duket që Jezui ka bërë ndonjë gjë të keqe, kështu e dërgon përsëri te Pilati.

Pilati do që ta lirojë Jezuin. Por armiqtë e Jezuit kërkojnë që, në vend të tij, të lirohet një i burgosur tjetër. Ky i burgosur tjetër është hajduti Baraba. Është pothuajse mesditë, kur Pilati e nxjerr Jezuin jashtë. Ai u thotë njerëzve: ‘Ja, mbreti juaj!’ Por krerët e priftërinjve bërtasin: ‘Largojeni! Vriteni! Vriteni!’ Atëherë Pilati liron Barabën, kurse Jezuin e çojnë për ta vrarë.

Të premten pasdite, Jezuin e gozhdojnë në një shtyllë. Në figurë nuk duket, por në të dy anët e Jezuit janë dy kriminelë të dënuar me vdekje. Pak para se Jezui të vdesë, një nga kriminelët i thotë: ‘Më kujto kur të vish në mbretërinë tënde.’ Jezui përgjigjet: ‘Të premtoj se do të jesh me mua në Parajsë.’

A nuk është ky një premtim i mrekullueshëm? A e di për çfarë parajse po flet Jezui? Ku ishte parajsa që Perëndia bëri në fillim? Po, në tokë. Dhe kur Jezui të qeverisë si mbret në qiell, do ta sjellë përsëri këtë njeri në jetë, që të jetojë në Parajsën e re në tokë. A nuk jemi të lumtur për këtë?