JEZUI duket vërtet i zemëruar këtu, apo jo? A e di pse është kaq i zemëruar? Sepse këta njerëz në tempullin e Perëndisë në Jerusalem janë shumë lakmitarë. Ata po përpiqen të pasurohen me paratë e njerëzve që kanë ardhur këtu për të adhuruar Perëndinë.

A i shikon tërë ata dema, dele dhe pëllumba? Këta burra po i shesin këto kafshë këtu brenda në tempull. A e di pse? Kjo ndodh sepse izraelitët kanë nevojë për kafshë e për zogj që t’ia japin si flijime Perëndisë.

Në ligjin e Perëndisë thuhej se kur një izraelit bënte një gabim, duhej t’i bënte një flijim Perëndisë. Por kishte edhe raste të tjera kur izraelitët duhej të bënin flijime. Por ku t’i gjenin izraelitët zogjtë dhe kafshët për t’i bërë flijime Perëndisë?

Disa izraelitë kishin zogj e kafshë, prandaj mund t’i çonin këto si flijime. Por shumë izraelitë s’kishin zogj ose kafshë. Të tjerë jetonin aq larg nga Jerusalemi, saqë nuk mund të sillnin ndonjë nga kafshët e tyre në tempull. Prandaj njerëzit vinin këtu dhe blinin kafshët e zogjtë që u duheshin. Por këta burra u merrnin njerëzve më tepër para se ç’duhej. I mashtronin njerëzit. Veç kësaj, nuk duhej t’i shisnin gjërat këtu, brenda në tempullin e Perëndisë.

Prandaj është i zemëruar Jezui. Ai ua përmbys burrave tavolinat me para dhe ato shpërndahen. Gjithashtu, merr disa litarë, bën një kamxhik dhe i nxjerr kafshët nga tempulli. Ai i urdhëron njerëzit që po shesin pëllumbat: ‘Nxirrini që këtej! Mjaft e kthyet shtëpinë e Atit tim në një vend për t’u pasuruar.’

Disa nga dishepujt e Jezuit janë bashkë me të në tempullin në Jerusalem. Ata habiten kur shohin se çfarë bën Jezui. Pastaj u kujtohet ajo pikë në Bibël që thotë për Birin e Perëndisë: ‘Dashuria për shtëpinë e Perëndisë do të djegë brenda tij si zjarr.’

Ndërsa është këtu në Jerusalem për të ndjekur Pashkën, Jezui bën shumë mrekulli. Pas kësaj, Jezui largohet nga Judea dhe fillon udhëtimin e tij për t’u kthyer në Galile. Por gjatë rrugës, ai kalon përmes krahinës së Samarisë. Le të shohim se çfarë ndodh atje.