A E DI kush është ky fëmijë i vogël? Po, është Jezui. Ai sapo ka lindur në një stallë. Stalla është një vend ku mbahen kafshët. Maria po e shtrin Jezuin në një grazhd, që është vendi ku mbahet ushqimi për gomarët e për kafshët e tjera. Por, pse Maria dhe Jozefi janë këtu me kafshët? Ky s’është vendi ku normalisht lind një fëmijë, apo jo?

Jo, nuk është. Por ja pse janë këtu: sundimtari i Romës, Cezar Augusti, bëri një ligj që thoshte se çdo njeri duhej të kthehej në qytetin ku kishte lindur, që të regjistronte emrin e tij në një libër. Jozefi kishte lindur këtu në Betlehem. Por, kur mbërritën ai dhe Maria, nuk gjetën asnjë dhomë për të ndenjur. Prandaj, u detyruan të vinin këtu ku ishin kafshët. Dhe pikërisht këtë ditë Maria lindi Jezuin. Por, siç e sheh, ai është mirë.

A i sheh barinjtë që po vijnë për të parë Jezuin? Ata ishin natën në fushë dhe po ruanin delet, kur një dritë e shndritshme filloi të shkëlqente përreth tyre. Ishte një engjëll. Barinjtë u frikësuan shumë. Por engjëlli u tha: ‘Mos kini frikë. Unë kam një lajm të mirë për ju. Sot në Betlehem lindi Krishti, Zotëria. Ai do t’i shpëtojë njerëzit. Do ta gjeni të mbështjellë me rroba, të shtrirë në një grazhd.’ Papritur erdhën shumë engjëj dhe filluan të lavdëronin Perëndinë. Kështu, menjëherë këta barinj nxituan të kërkonin Jezuin dhe ja, tani e kanë gjetur.

A e di pse është kaq i veçantë Jezui? A e di kush është në të vërtetë Jezui? Të kujtohet që në tregimin e parë të këtij libri folëm për Birin e parë të Perëndisë? Ky Bir punoi bashkë me Jehovain për të bërë qiellin, tokën dhe çdo gjë tjetër. Ja kush është Jezui!

Po, Jehovai e mori jetën e Birit të tij që nga qielli dhe e vendosi në barkun e Marisë. Menjëherë, në barkun e saj filloi të rritej një fëmijë, ashtu si gjithë fëmijët e tjerë. Por ky fëmijë ishte Biri i Perëndisë. Së fundi, Jezui lindi këtu në një stallë në Betlehem. A e kupton tani pse engjëjt ishin kaq të lumtur t’u tregonin njerëzve se kishte lindur Jezui?