TANI është mbrëmja e së enjtes, dy ditë më vonë. Jezui dhe 12 apostujt kanë ardhur në këtë dhomë të madhe në katin e sipërm të një shtëpie, për të ngrënë darkën e Pashkës. Burri që po largohet është Judë Iskarioti. Ai po shkon t’u thotë priftërinjve se si ta kapin Jezuin.

Një ditë më parë, Juda shkoi tek ata dhe i pyeti: ‘Çfarë do të më jepni nëse ju ndihmoj të kapni Jezuin?’ Ata i thanë: ‘Tridhjetë monedha argjendi.’ Prandaj, Juda po shkon tani t’i takojë këta burra dhe t’i çojë te Jezui. A nuk është e tmerrshme?

Darka e Pashkës mbaroi, por Jezui tani fillon një darkë tjetër të veçantë. Ai u jep apostujve të tij pak bukë dhe u thotë: ‘Hajeni, sepse kjo përfaqëson trupin tim që do të jepet për ju.’ Pastaj u jep një gotë verë dhe u thotë: ‘Pini, sepse kjo përfaqëson gjakun tim që do të derdhet për ju.’ Bibla e quan këtë ‘darka e Zotërisë’.

Izraelitët e hanin darkën e Pashkës për të kujtuar kohën kur engjëlli i Perëndisë i kaloi shtëpitë e tyre në Egjipt, kurse të parëlindurit në shtëpitë e egjiptianëve i vrau. Por tani, Jezui do që dishepujt e tij të kujtojnë atë dhe se si ai dha jetën për ta. Ja pse u thotë që ta kujtojnë çdo vit këtë darkë të veçantë.

Pasi hanë Darkën e Zotërisë, Jezui u thotë apostujve të tij që të jenë trima dhe të fortë në besim. Në fund i këndojnë këngë lavdie Perëndisë dhe pastaj ikin. Është shumë vonë, ndoshta ka kaluar mesnata. Le të shohim se ku shkojnë.