ÇFARË po ndodh këtu? Njerëzit po bëjnë një festë të madhe. Mbreti i Babilonisë ka ftuar një mijë mysafirë të rëndësishëm. Po përdorin kupat prej ari e prej argjendi, si dhe vazot që kanë marrë nga tempulli i Jehovait në Jerusalem. Por, papritur, në ajër shfaqen gishtat e dorës së një njeriu dhe fillojnë të shkruajnë në mur. Të gjithë i zë frika.

Tani mbret është Belshazari, nipi i Nabukodonosorit. Ai thërret njerëzit e tij të mençur. ‘Atij që do të më lexojë këtë shkrim dhe do të më tregojë çfarë kuptimi ka,—thotë mbreti,—do t’i jepen shumë dhurata dhe do të bëhet qeveritari i tretë më i rëndësishëm në mbretëri.’ Por asnjë nga këta njerëz të mençur nuk arrin ta lexojë shkrimin në mur dhe as të thotë kuptimin e tij.

Mamaja e mbretit e dëgjon zhurmën dhe vjen në dhomën e madhe të ngrënies. ‘Të lutem, mos u frikëso kaq shumë,—i thotë mbretit.—Ka një burrë në mbretërinë tënde që njeh perënditë e shenjta. Kur ishte mbret gjyshi yt, Nabukodonosori, e bëri atë kreun e të gjithë njerëzve të tij të mençur. E quajnë Daniel. Thirre dhe ai do të të tregojë se çfarë do të thotë e gjithë kjo.’

Kështu, Danielin e sjellin menjëherë. Pasi thotë se nuk do të marrë asnjë dhuratë, Danieli fillon të tregojë përse, një herë, Jehovai e hoqi si mbret gjyshin e Belshazarit, Nabukodonosorin. ‘Ai ishte shumë krenar,—thotë Danieli,—dhe Jehovai e ndëshkoi.’

‘Por ti,—i thotë Danieli Belshazarit,—i dije të gjitha ato që i ndodhën Nabukodonosorit, dhe prapë je krenar si ai. I ke sjellë kupat dhe vazot nga tempulli i Jehovait dhe ke pirë me to. Ti ke lavdëruar perënditë e bëra me dru dhe gurë dhe nuk ke nderuar Krijuesin tonë të Madh. Për këtë Perëndia e ka dërguar dorën që të shkruajë këto fjalë.’

‘Ja ç’është shkruar,—thotë Danieli,—MÉNE, MÉNE, TÉKEL dhe PÁRSIN.’

‘MÉNE do të thotë që Perëndia i ka numëruar ditët e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund asaj. TÉKEL do të thotë se ti je peshuar në kandar dhe ke dalë mangët. PÁRSIN do të thotë që mbretëria jote u është dhënë medëve dhe persëve.’

Ndërkohë që Danieli po flet, medët dhe persët kanë filluar të sulmojnë Babiloninë. Ata pushtojnë qytetin dhe vrasin Belshazarin. Shkrimi në mur përmbushet po atë natë! Por, ç’do të ndodhë tani me izraelitët? Do ta mësojmë shpejt këtë, por më parë le të shohim se çfarë ndodh me Danielin.