SHIKO Samuelin që po derdh vaj mbi kokën e këtij burri. Kështu vepronin atëherë për të treguar se ai njeri ishte zgjedhur mbret. Jehovai i thotë Samuelit që të derdhë vaj mbi kokën e Saulit. Është një vaj i veçantë që ka erë të mirë.

Sauli nuk mendonte se ishte aq i mirë sa të bëhej mbret. ‘Unë jam nga fisi i Beniaminit, fisi më i vogël në Izrael,—i thotë Samuelit.—Pse thua që unë do të jem mbret?’ Jehovai e pëlqen Saulin, sepse ai nuk kërkon të jetë njeri i madh e i rëndësishëm. Prandaj Jehovai e zgjedh si mbret.

Por Sauli nuk është as i varfër, as njeri i parëndësishëm. Ai vjen nga një familje e pasur dhe është një burrë i gjatë e shumë i bukur. Është rreth tridhjetë centimetra më i gjatë se kushdo tjetër në Izrael! Sauli është gjithashtu vrapues shumë i shpejtë dhe burrë shumë i fortë. Populli është i gëzuar që Jehovai ka zgjedhur Saulin si mbret. Ata të gjithë fillojnë të thërrasin: ‘Rroftë mbreti!’

Armiqtë e Izraelit janë më të fortë se kurrë. Ata akoma po u shkaktojnë shumë telashe izraelitëve. Menjëherë pasi Sauli bëhet mbret, amonitët dalin për të luftuar kundër tyre. Por Sauli mbledh një ushtri të madhe dhe fiton mbi amonitët. Për shkak të kësaj, njerëzit janë të lumtur që Sauli është mbret.

Me kalimin e viteve, Sauli i udhëheq izraelitët në shumë fitore mbi armiqtë e tyre. Sauli ka edhe një djalë trim që quhet Jonatan. Jonatani e ndihmon Izraelin që të fitojë shumë beteja. Filistinët janë akoma armiqtë më të këqij të izraelitëve. Një ditë, mijëra e mijëra filistinë vijnë të luftojnë kundër izraelitëve.

Samueli i thotë Saulit që ta presë derisa të vijë për të bërë një flijim ose dhuratë për Jehovain. Por Samueli po vonohet. Sauli ka frikë se mos filistinët fillojnë betejën, prandaj shkon dhe e bën vetë flijimin. Pastaj, kur vjen Samueli, i thotë Saulit se ka qenë i pabindur. ‘Jehovai do të zgjedhë një njeri tjetër që të jetë mbret i Izraelit’,—i thotë Samueli.

Më vonë, Sauli përsëri nuk bindet. Prandaj Samueli i thotë: ‘Është më mirë t’i bindesh Jehovait, sesa t’i dhurosh atij delet më të mira. Meqë nuk iu binde Jehovait, ai nuk do të të mbajë si mbret të Izraelit.’

Ne mund të nxjerrim një mësim të mirë nga kjo. Na tregon sa e rëndësishme është t’i bindemi gjithmonë Jehovait. Gjithashtu, na tregon se një njeri i mirë, siç ishte më parë Sauli, mund të ndryshojë dhe të bëhet i keq. Ne nuk duam të bëhemi asnjëherë të këqij, apo jo?