JOSIA është vetëm tetë vjeç kur bëhet mbret i dy fiseve jugore të Izraelit. Është shumë i vogël për të qenë mbret. Prandaj, në fillim, disa njerëz më të moshuar e ndihmojnë të qeverisë vendin.

Pasi mbretëron për shtatë vjet, Josia fillon të kërkojë Jehovain. Ai ndjek shembullin e mbretërve të mirë si Davidi, Jehozafati dhe Hezekia. Pastaj, kur është akoma adoleshent, Josia bën një veprim të guximshëm.

Ka shumë kohë që pjesa më e madhe e izraelitëve janë shumë të këqij. Adhurojnë perëndi të rreme dhe përkulen para idhujve. Kështu, Josia me njerëzit e tij dalin dhe fillojnë të pastrojnë vendin nga adhurimi i rremë. Kjo është një punë shumë e madhe, pasi shumë njerëz adhurojnë perëndi të rreme. Këtu ti mund të shikosh Josinë dhe njerëzit e tij që po thyejnë idhujt.

Pas kësaj, Josia cakton tre burra për të drejtuar riparimin e tempullit të Jehovait. Paratë që sjell populli u jepen këtyre burrave për të paguar shpenzimet e punës që duhet bërë. Ndërsa po punojnë në tempull, kryeprifti Hilkiah gjen atje diçka shumë të rëndësishme. Gjen librin e ligjeve që Jehovai i tha Moisiut të shkruante shumë kohë më parë. Ai kishte humbur prej shumë vitesh.

Librin ia çojnë Josisë dhe ai kërkon që t’ia lexojnë. Ndërsa dëgjon, Josia kupton se njerëzit nuk u janë bindur ligjeve të Jehovait. Ai ndihet shumë i trishtuar për këtë, prandaj gris rrobat, siç mund ta shikosh këtu. Ai thotë: ‘Jehovai është i zemëruar me ne, sepse baballarët tanë nuk i zbatuan ligjet e shkruara në këtë libër.’

Josia urdhëron kryepriftin Hilkiah të marrë vesh se çfarë do të bëjë Jehovai me ta. Hilkiahu shkon te profetesha Hulda dhe e pyet. Ajo i jep këtë lajm nga Jehovai, për t’ia çuar Josisë: ‘Jerusalemi dhe i gjithë populli do të ndëshkohen, sepse kanë adhuruar perëndi të rreme dhe toka është mbushur plot me ligësi. Por, meqë ti Josia ke vepruar mirë, ky ndëshkim do të vijë pas vdekjes sate.’