A E DI cilët janë këta burra dhe çfarë po bëjnë? Po shkojnë në betejë, kurse burrat që janë përpara po këndojnë. Por ti mund të pyesësh: ‘Pse këngëtarët nuk kanë as shpata dhe as heshta për të luftuar?’ Le të shohim.

Jehozafati është mbret i mbretërisë me dy fise. Ai jeton në të njëjtën kohë kur në mbretërinë veriore me 10 fise jetojnë mbreti Akab dhe Jezebela. Por, Jehozafati është mbret i mirë. Edhe babai i tij, Asa, ishte një mbret shumë i mirë. Prandaj, për shumë vjet, njerëzit e mbretërisë jugore me dy fise kanë jetuar mirë.

Por tani ndodh diçka që i bën njerëzit të frikësohen. Disa lajmëtarë i raportojnë Jehozafatit: ‘Një ushtri e madhe nga vendet e Moabit, Amonit dhe malit Seir, po vjen për t’ju sulmuar.’ Shumë izraelitë mblidhen në Jerusalem për t’i kërkuar ndihmë Jehovait. Shkojnë në tempull dhe, atje, Jehozafati lutet: ‘O Jehova, Perëndia ynë, nuk dimë çfarë të bëjmë. Jemi të pafuqishëm përpara kësaj ushtrie të madhe. Sytë i kemi drejtuar nga ti për ndihmë.’

Jehovai dëgjon dhe, me anë të një shërbëtori të tij, u thotë njerëzve: ‘Beteja nuk është e juaja, por e Perëndisë. Ju nuk keni nevojë të luftoni. Vetëm vështroni dhe do të shihni se si do t’ju shpëtojë Jehovai.’

Kështu, mëngjesin tjetër, Jehozafati u thotë njerëzve: ‘Kini besim te Jehovai!’ Pastaj, ai vë përpara ushtarëve të tij këngëtarët që, ndërsa marshojnë, i këndojnë lavdi Jehovait. A e di se çfarë ndodh kur afrohen te vendi i betejës? Jehovai bën që ushtarët armiq të luftojnë me njëri-tjetrin. Dhe, kur arrijnë izraelitët, të gjithë ushtarët kanë vdekur!

A nuk ishte i mençur Jehozafati që pati besim te Jehovai? Edhe ne do të jemi të mençur, po të kemi besim tek Ai.