A E DI pse po i lutet Jehovait ky burrë? Pse i ka hapur këto letra përpara altarit të Jehovait? Burri është Hezekia. Ai është mbret i dy fiseve jugore të Izraelit. Dhe është në një hall të madh. Përse?

Sepse ushtritë asiriane kanë shkatërruar tashmë 10 fiset veriore. Jehovai lejoi që të ndodhte kjo, sepse ata njerëz ishin shumë të këqij. Tani, ushtritë asiriane kanë ardhur për të luftuar kundër mbretërisë me dy fise.

Mbreti i Asirisë sapo i ka dërguar letra mbretit Hezekia. Këto janë letrat që Hezekia i ka vënë këtu përpara Perëndisë. Në letra, ai tallet me Jehovain dhe i thotë Hezekisë të dorëzohet. Ja pse Hezekia lutet: ‘O Jehova, na shpëto nga mbreti i Asirisë. Atëherë të gjitha kombet do ta dinë se vetëm ti je Perëndi.’ A do ta dëgjojë Jehovai Hezekinë?

Hezekia është mbret i mirë. Ai nuk është si mbretërit e ligj të mbretërisë izraelite me 10 fise dhe as si babai i tij, mbreti i keq Akaz. Hezekia u është bindur në çdo gjë të gjitha ligjeve të Jehovait. Prandaj, pasi Hezekia mbaron lutjen, profeti Isaia i dërgon këtë lajm nga Jehovai: ‘Mbreti i Asirisë nuk do të hyjë në Jerusalem. Asnjë nga ushtarët e tij nuk do t’i afrohet qytetit. Nuk do të qëllojnë asnjë shigjetë në të.’

Shiko figurën në këtë faqe. A e di cilët janë gjithë këta ushtarë të vdekur? Janë asirianët. Jehovai dërgoi engjëllin e tij që, vetëm brenda një nate, vrau 185.000 ushtarë asirianë. Kështu, mbreti i Asirisë dorëzohet dhe kthehet në shtëpi.

Mbretëria me dy fise shpëton dhe njerëzit jetojnë në paqe për ca kohë. Por, pasi Hezekia vdes, bëhet mbret djali i tij, Manaseu. Ky mbret, e më pas djali i tij, Amoni, janë mbretër shumë të këqij. Kështu, vendi mbushet përsëri me krime e me dhunë. Kur mbretin Amon e vrasin shërbëtorët e tij, mbret i mbretërisë me dy fise bëhet djali i tij, Josia.