SHIKO këtë burrin në ujë. Ai është në hall të madh, apo jo? Peshku do ta gëlltitë! A e di kush është ky burrë? Është Jonai. Le të shohim se si u gjend në këtë hall kaq të madh.

Jonai është profet i Jehovait. Jo shumë kohë pas vdekjes së profetit Elise, Jehovai i thotë Jonait: ‘Shko në qytetin e madh të Ninevisë. Ligësia e njerëzve atje është shumë e madhe, dhe unë dua që ti t’u flasësh atyre për këtë.’

Por Jonai nuk dëshiron të shkojë. Prandaj hipën në një anije që shkon në drejtim të kundërt me Ninevinë. Jehovai nuk është i kënaqur që Jonai po ikën kështu. Prandaj shkakton një stuhi të madhe. Është kaq e fortë, saqë anija rrezikon të fundoset. Marinarët frikësohen shumë dhe thërrasin për ndihmë perënditë e tyre.

Në fund Jonai u thotë: ‘Unë adhuroj Jehovain, Perëndinë që bëri qiellin dhe tokën. Po arratisem sepse nuk dua të bëj si më tha Jehovai.’ Atëherë marinarët e pyesin: ‘Çfarë duhet të bëjmë me ty që të pushojë stuhia?’

‘Më hidhni në det dhe deti do të qetësohet përsëri’,—u thotë Jonai. Marinarët nuk duan ta bëjnë këtë, por meqë stuhia bëhet më e fortë, në fund e hedhin Jonain në det. Menjëherë stuhia ndalon dhe deti qetësohet.

Pasi Jonai fundoset thellë në ujë, peshku i madh e gëlltit. Por ai nuk vdes. Për tri ditë dhe tri net, qëndron në barkun e peshkut. Jonait i vjen shumë keq që nuk iu bind Jehovait për të shkuar në Ninevi. A e di çfarë bën?

Jonai i lutet Jehovait për ndihmë. Atëherë, Jehovai bën që peshku ta vjellë Jonain në tokë të thatë. Pas kësaj, Jonai shkon në Ninevi. A nuk na mëson kjo sa e rëndësishme është që të bëjmë çdo gjë që thotë Jehovai?

Libri biblik i Jonait.