PASI Davidi fillon të mbretërojë në Jerusalem, Jehovai i jep ushtrisë së tij shumë fitore mbi armiqtë. Jehovai u kishte premtuar izraelitëve se do t’u jepte tokën e Kanaanit. Tani, me ndihmën e Jehovait, e gjithë toka që u ishte premtuar, më në fund bëhet e tyrja.

Davidi është një mbret i mirë. Ai e do Jehovain. Kështu, një nga gjërat e para që bën pasi ka pushtuar Jerusalemin, është që sjell aty arkën e besëlidhjes së Jehovait. Gjithashtu, dëshiron të ndërtojë një tempull, për të vënë në të arkën.

Kur Davidi është në moshë më të madhe, bën një gabim të rëndë. Ai e di që është e gabuar të marrësh diçka që i takon dikujt tjetër. Por një natë, ndërsa po rri në tarracën e pallatit të tij, vështron poshtë dhe shikon një grua shumë të bukur. Ajo quhet Betsheba dhe burri i saj, Uriahu, është një nga ushtarët e Davidit.

Davidi e dëshiron kaq shumë Betshebën, saqë urdhëron ta sjellin në pallatin e tij. Burri i saj është larg duke luftuar. Kështu Davidi fle me të si burrë e grua dhe më vonë ajo e kupton se pret një fëmijë. Davidi është shumë i shqetësuar dhe i dërgon fjalë komandantit të ushtrisë së tij, Joabit, ta vërë Uriahun në rreshtin e parë të betejës, ku do të vritet. Kur Uriahu vdes, Davidi martohet me Betshebën.

Jehovai është shumë i zemëruar me Davidin. Prandaj, dërgon shërbëtorin e tij, Natanin, që t’i flasë Davidit për mëkatet e tij. Në figurë mund të shikosh Natanin që po i flet Davidit. Davidit i vjen shumë keq për atë që ka bërë, prandaj Jehovai nuk e dënon me vdekje. Por i thotë: ‘Meqë ke bërë këto gjëra të këqija, do të kesh shumë probleme në shtëpinë tënde.’ Sa shumë probleme ka Davidi më pas!

Së pari, vdes djali i Betshebës. Pastaj Amnoni, djali i madh i Davidit, e rregullon që të gjendet vetëm me motrën e tij, Tamarën, dhe e detyron të flejë me të si burrë e grua. Një djalë tjetër i Davidit, Absalomi, është kaq i zemëruar për këtë, saqë e vret Amnonin. Më vonë, Absalomi fiton përkrahjen e shumë njerëzve dhe e shpall veten mbret. Së fundi, Davidi fiton luftën kundër Absalomit, i cili vritet. Po, Davidi ka shumë probleme.

Ndërkohë, Betsheba lind një djalë që ia vënë emrin Solomon. Kur Davidi është plak dhe i sëmurë, një nga djemtë e tij, Adonijahu, përpiqet të bëhet mbret. Atëherë, Davidi i thotë një prifti me emrin Sadok të derdhë vaj në kokën e Solomonit, për të treguar se ai do të jetë mbreti. Jo shumë kohë më pas, Davidi vdes në moshën 70-vjeçare. Mbretëroi për 40 vjet, por tani mbret i Izraelit është Solomoni.