A E DI si quhet burri më i fortë që ka jetuar ndonjëherë? Është një gjykatës që quhet Samson. Samsonit ia jep Jehovai fuqinë. Madje edhe para se të lindte Samsoni, Jehovai i tha nënës së tij: ‘Së shpejti do të kesh një djalë. Ai do të jetë udhëheqës për ta shpëtuar Izraelin nga filistinët.’

Filistinët janë njerëz të ligj që jetojnë në Kanaan. Ata kanë shumë luftëtarë dhe i mundojnë shumë izraelitët. Një herë, kur Samsoni po shkon aty ku jetojnë filistinët, i del përpara një luan i madh duke ulëritur. Por Samsoni e vret luanin, duke përdorur vetëm duart. Ai, gjithashtu, vret qindra filistinë të ligj.

Më vonë, Samsoni bie në dashuri me një grua që quhet Delila. Udhëheqësit filistinë i premtojnë Delilës se do t’i japin nga 1.100 copë argjendi po t’u tregojë çfarë e bën kaq të fortë Samsonin. Delila dëshiron t’i marrë këto para. Ajo nuk është vërtet shoqe e Samsonit ose e popullit e Perëndisë. Prandaj, e pyet vazhdimisht Samsonin se çfarë e bën kaq të fortë.

Më në fund, Delila arrin ta bindë Samsonin që t’i tregojë sekretin e fuqisë së tij. ‘Flokët e mi nuk janë prerë asnjëherë,—thotë ai.—Që kur kam lindur, Perëndia më zgjodhi që të bëhem një shërbëtor i veçantë i tij që quhet nazire. Po të m’i presin flokët, unë e humbas fuqinë time.’

Kur Delila mëson këtë gjë, e vë Samsonin të flerë në prehrin e saj. Pastaj thërret një burrë që të hyjë e t’i presë flokët Samsonit. Kur zgjohet, ai e ka humbur fuqinë. Atëherë hyjnë filistinët dhe e kapin. Ata i nxjerrin sytë dhe e bëjnë skllav.

Një ditë, filistinët bëjnë një festë të madhe për të adhuruar perëndinë e tyre, Dagonin, dhe e nxjerrin nga burgu Samsonin që të tallen me të. Ndërkohë flokët e Samsonit janë rritur përsëri. Samsoni i thotë djalit që e mbante prej dore: ‘Më lër t’i mbështes duart te kolonat që mbajnë ndërtesën.’ Atëherë Samsoni i lutet Jehovait që t’i japë fuqi dhe mbërthen me duar kolonat. Ai bërtet: ‘Le të vdes edhe unë bashkë me filistinët.’ Në festë janë 3.000 filistinë dhe, kur Samsoni i shtyn me gjithë forcën kolonat, ndërtesa shembet duke i vrarë të gjithë ata njerëz të ligj.