KËTA burra janë në vështirësi. Duhet të ikin menjëherë, përndryshe do t’i vrasin. Janë zbulues izraelitë dhe gruaja që po i ndihmon është Rahaba. Rahaba banon këtu në një shtëpi në murin e qytetit të Jerikosë. Le të shohim nëse mund të zbulojmë pse këta burra janë në vështirësi.

Izraelitët janë gati që të kalojnë lumin Jordan e të hyjnë në tokën e Kanaanit. Por, më parë, Josiu dërgon dy zbulues. Ai u thotë: ‘Shkoni dhe vëzhgoni vendin dhe qytetin e Jerikosë.’

Kur hyjnë në Jeriko, zbuluesit shkojnë në shtëpinë e Rahabës. Por dikush i thotë mbretit të Jerikosë: ‘Këtë natë, dy izraelitë erdhën për të vëzhguar vendin.’ Kur dëgjon këtë, mbreti dërgon njerëz te Rahaba dhe i jep urdhër asaj: ‘Nxirri jashtë njerëzit që janë në shtëpinë tënde!’ Por Rahaba i ka fshehur zbuluesit në tarracë. Prandaj thotë: ‘Disa njerëz erdhën në shtëpinë time, por nuk e di nga vinin. Ata u nisën kur filloi të errësohet, para se të mbyllej porta e qytetit. Po të nxitoni, mund t’i kapni!’ Kështu burrat nisen në ndjekje të tyre.

Pasi largohen këta, Rahaba shkon me vrap në tarracë. ‘Unë e di që Jehovai do t’jua japë juve këtë tokë,—u thotë zbuluesve.—Kemi dëgjuar se si e thau Detin e Kuq kur u larguat nga Egjipti dhe se si ju vratë mbretërit Sihon dhe Og. Unë jam treguar e mirë me ju, prandaj, ju lutem, më premtoni se edhe ju do të tregoheni të mirë me mua. Shpëtojini prindërit, motrat dhe vëllezërit e mi.’

Zbuluesit premtojnë se do t’i shpëtojnë, por Rahaba duhet të bëjë diçka. ‘Merre këtë litar të kuq, lidhe te dritarja jote,—thonë zbuluesit,—dhe mblidhi të gjithë të afërmit në shtëpinë tënde. Kur të kthehemi të gjithë për të marrë Jerikonë, do të shohim këtë litar në dritare dhe nuk do të vrasim askënd në shtëpinë tënde.’ Kur kthehen te Josiu, zbuluesit i tregojnë gjithçka që ka ndodhur.