MOISIU dëshiron të shkojë në Kanaan me izraelitët. Prandaj i kërkon Jehovait: ‘Të lutem, Jehova, më lër të kaloj lumin Jordan e të shoh vendin e mirë.’ Por Jehovai i thotë: ‘Jo, jo. Mos ma përmend më këtë!’ E di pse e tha Jehovai këtë?

Për shkak të asaj që ndodhi kur Moisiu goditi shkëmbin. Të kujtohet, ai dhe Aaroni nuk e nderuan Jehovain. Nuk i thanë popullit se ishte Jehovai ai që po nxirrte ujë nga shkëmbi. Për këtë arsye, Jehovai tha se nuk do t’i lejonte të hynin në Kanaan.

Kështu, disa muaj pas vdekjes së Aaronit, Jehovai i thotë Moisiut: ‘Merr Josiun dhe vëre të qëndrojë përpara priftit Eleazar dhe popullit. Atje, thuaju të gjithëve se Josiu është udhëheqësi i ri.’ Siç mund të shohësh në figurë, Moisiu bën pikërisht ashtu siç thotë Jehovai.

Pastaj Jehovai i thotë Josiut: ‘Ji i fortë e mos ki frikë. Ti do t’i udhëheqësh izraelitët në tokën e Kanaanit që ua kam premtuar atyre, dhe unë do të jem me ty.’

Pastaj Jehovai i thotë Moisiut të ngjitet lart deri në majë të malit Nebo, në tokën e Moabit. Që aty lart, Moisiu mund të vështrojë përtej lumit Jordan dhe të shohë tokën e bukur të Kanaanit. Jehovai i thotë: ‘Kjo është toka që kam premtuar t’ua jap fëmijëve të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Të kam lënë ta shohësh, por nuk do të të lejoj të hysh atje.’

Atje, në majë të malit Nebo, Moisiu vdes. Ishte 120 vjeç. Ishte akoma i fortë dhe shikimin e kishte akoma të mirë. Njerëzit trishtohen shumë dhe qajnë për vdekjen e Moisiut. Por janë të lumtur që kanë Josiun si udhëheqësin e tyre të ri.