SHIKO Moisiun që po arratiset nga Egjipti. I shikon ata burrat që po e ndjekin? A e di pse duan ta vrasin Moisiun? Le të shohim nëse mund ta gjejmë.

Moisiu u rrit në shtëpinë e faraonit, mbretit të Egjiptit. Ai u bë shumë i mençur dhe i rëndësishëm. Moisiu e dinte se nuk ishte egjiptian dhe se prindërit e tij të vërtetë ishin skllevër izraelitë.

Një ditë, kur ishte 40 vjeç, Moisiu vendosi të shkonte të shikonte si po ia kalonte populli i tij. Mënyra se si po i trajtonin ishte e tmerrshme. Ai pa një egjiptian që po rrihte një skllav izraelit. Moisiu vështroi përreth e kur pa se askush s’e shikonte, e qëlloi egjiptianin dhe ai vdiq. Pastaj Moisiu ia fshehu trupin në rërë.

Ditën tjetër, Moisiu doli përsëri për të parë popullin e tij. Mendonte se mund t’i ndihmonte, që të mos ishin më skllevër. Kur pa dy izraelitë që po ziheshin, Moisiu i tha atij që kishte faj: ‘Pse e rreh vëllanë tënd?’

Burri tha: ‘Kush të caktoi ty udhëheqës dhe gjykatës mbi ne? Mos do të më vrasësh edhe mua ashtu si vrave egjiptianin?’

Moisiu tani u frikësua. E kuptoi se njerëzit e kishin marrë vesh se çfarë kishte bërë me egjiptianin. Edhe faraoni e mori vesh këtë dhe dërgoi njerëz që ta vritnin Moisiun. Ja pse Moisiut iu desh të arratisej nga Egjipti.

Kur iku nga Egjipti, Moisiu shkoi shumë larg, në vendin e Midianit. Atje takoi familjen e Jetroit dhe u martua me Ziporën, një nga bijat e tij. Moisiu u bë bari dhe kujdesej për delet e Jetroit. Për 40 vjet jetoi në vendin e Midianit. Tani ishte 80 vjeç. Një ditë, ndërsa kujdesej për delet e Jetroit, Moisiut i ndodhi një gjë mahnitëse, që ia ndryshoi gjithë jetën. Kalo te faqja tjetër dhe le të shohim se çfarë është kjo gjë mahnitëse.