JOZEFI është vetëm 17 vjeç kur e çojnë në Egjipt. Atje ia shesin një burri me emrin Potifar. Potifari punon për mbretin e Egjiptit, që quhet faraon.

Jozefi punon shumë për zotërinë e tij, Potifarin. Kështu që, kur Jozefi rritet, Potifari e bën përgjegjës për gjithë shtëpinë e tij. Atëherë, pse është këtu në burg Jozefi? Për shkak të gruas së Potifarit.

Kur rritet, Jozefi bëhet një burrë shumë i pashëm, prandaj gruaja e Potifarit do që ai të flerë me të si burrë e grua. Por Jozefi e di se kjo është e gabuar, prandaj nuk do. Gruaja e Potifarit zemërohet shumë. Prandaj, kur vjen burri i saj në shtëpi, ajo e gënjen dhe i thotë: ‘Ai Jozefi i keq donte të binte në shtrat me mua!’ Potifari e beson gruan e tij dhe zemërohet shumë me Jozefin. Prandaj e fut në burg.

Drejtori i burgut e kupton menjëherë se Jozefi është njeri i mirë. Kështu që i beson atij të gjithë të burgosurit e tjerë. Më vonë, faraoni zemërohet me atë që i mban kupën dhe me atë që i pjek bukën, e i fut në burg. Një natë, që të dy këta shohin një ëndërr të veçantë, por nuk e dinë kuptimin e ëndrrës. Të nesërmen Jozefi u thotë: ‘Më tregoni ëndrrat që keni parë!’ Kur i tregojnë ëndrrat, Jozefi, me ndihmën e Perëndisë, u shpjegon kuptimin që kanë.

Jozefi i thotë atij që mbante kupën: ‘Pas tri ditësh do të dalësh nga burgu dhe do të bëhesh përsëri kupëmbajtësi i faraonit.’ Jozefi shton: ‘Kur të dalësh, foli për mua faraonit dhe më ndihmo që të dal nga ky vend.’ Kurse bukëpjekësit i thotë: ‘Pas tri ditësh faraoni do të të presë kokën.’

Pas tri ditësh ndodh tamam siç kishte thënë Jozefi. Faraoni ia pret kokën bukëpjekësit. Kurse kupëmbajtësi del nga burgu dhe fillon t’i shërbejë përsëri mbretit. Por ai e harron fare Jozefin! Nuk i flet për të faraonit, kështu që Jozefi duhet të rrijë në burg.