KËTA dy djemtë këtu janë shumë të ndryshëm, apo jo? E di si quhen? Gjahtari është Esau, kurse djali që po kujdeset për delet është Jakobi.

Esau dhe Jakobi ishin dy djemtë binjakë të Isakut dhe Rebekës. Babait, Isakut, i pëlqente shumë Esau, sepse ishte gjahtar i mirë dhe sillte ushqim për familjen. Por Rebeka donte më shumë Jakobin, sepse ishte djalë i qetë dhe paqësor.

Gjyshi Abraham ishte akoma gjallë dhe kushedi sa shumë i pëlqente Jakobit ta dëgjonte kur fliste për Jehovain. Abrahami vdiq në moshën 175-vjeçare, kur dy binjakët ishin 15 vjeç.

Kur Esau ishte 40 vjeç, u martua me dy gra nga vendi i Kanaanit. Kjo e trishtoi shumë Isakun dhe Rebekën, sepse këto gra nuk adhuronin Jehovain.

Një ditë ndodhi diçka që e inatosi shumë Esaun me vëllanë e tij, Jakobin. Erdhi koha kur Isaku do të bekonte djalin e tij të madh. Përderisa Esau ishte më i madh se Jakobi, shpresonte ta merrte ai bekimin. Por, ca kohë më parë, Esau ia kishte shitur Jakobit të drejtën për të marrë bekimin. Gjithashtu, kur kishin lindur dy djemtë, Perëndia kishte thënë se bekimin do ta merrte Jakobi. E kështu ndodhi. Isaku ia dha bekimin Jakobit.

Më vonë, kur e mori vesh Esau këtë, u zemërua shumë me Jakobin. Ishte aq i zemëruar, sa tha se do ta vriste Jakobin. Kur e dëgjoi Rebeka këtë, u shqetësua shumë. Prandaj i tha burrit të saj, Isakut: ‘Do të jetë e tmerrshme nëse edhe Jakobi martohet me një grua nga Kanaani.’

Atëherë Isaku thirri të birin, Jakobin, dhe i tha: ‘Mos u marto me një grua nga Kanaani. Shko te shtëpia e gjyshit tënd, Betuelit, në Haran. Martohu me një nga bijat e Labanit, dajës tënd.’

Jakobi e dëgjoi babanë e tij dhe menjëherë filloi udhëtimin e gjatë te të afërmit e tij që jetonin në Haran.