NJË nga vendet ku shkuan të jetonin njerëzit pas Përmbytjes, quhej Ur. Ai u bë një qytet i rëndësishëm me shtëpi të bukura. Por njerëzit atje adhuronin perëndi të rreme. Kështu kishin bërë njerëzit edhe në Babel. Njerëzit në Ur e në Babel nuk ishin si Noeja dhe djali i tij Semi, që vazhdonin t’i shërbenin Jehovait.

Pastaj, 350 vjet pas përmbytjes, Noeja besnik vdiq. Por vetëm dy vjet më vonë, lindi njeriu që shikon në figurë. Ai ishte një njeri shumë i veçantë për Perëndinë. Emrin e kishte Abraham. Jetonte me familjen e tij në qytetin e Urit.

Një ditë Jehovai i tha Abrahamit: ‘Ik nga Uri e nga njerëzit e tu dhe shko në vendin që do të tregoj.’ A iu bind Abrahami Perëndisë, duke lënë pas gjithë gjërat e rehatshme në Ur? Po, iu bind. Abrahami gjithmonë i bindej Perëndisë, prandaj u quajt mik i Perëndisë.

Kur Abrahami u largua nga Uri, bashkë me të ikën edhe disa familjarë të tij. Ishin babai i tij Terahu, nipi i tij Loti, dhe sigurisht gruaja e Abrahamit, Sara. Pas ca kohësh, të gjithë arritën në një vend që quhej Haran, ku vdiq Terahu. Ishin shumë larg nga Uri.

Pas njëfarë kohe, Abrahami dhe njerëzit e shtëpisë së tij u nisën nga Harani dhe shkuan në vendin e quajtur Kanaan. Atje Jehovai tha: ‘Kjo është toka që do t’u jap fëmijëve të tu.’ Abrahami qëndroi në Kanaan dhe jetoi në tenda.

Perëndia filloi ta ndihmonte Abrahamin, kështu që ai pati tufa të mëdha me dele e kafshë të tjera dhe qindra shërbëtorë. Por ai dhe Sara nuk kishin fëmijë bashkë.

Kur Abrahami ishte 99 vjeç, Jehovai i tha: ‘Të premtoj se do të bëhesh ati i shumë kombeve.’ Por, si mund të ndodhte kjo, kur Abrahami dhe Sara ishin shumë të moshuar për të pasur fëmijë?