KALOJNË dy vjet dhe Jozefi është akoma në burg. Kupëmbajtësi nuk është kujtuar për të. Një natë, faraoni shikon dy ëndrra shumë të veçanta dhe pyet veten se ç’kuptim kanë. A e sheh këtu në figurë, duke fjetur? Në mëngjes faraoni thërret njerëzit e mençur dhe u tregon ëndrrat që ka parë. Por ata nuk e dinë kuptimin e ëndrrave, prandaj s’kanë çfarë t’i thonë.

Më në fund, kupëmbajtësi kujtohet për Jozefin. Ai i thotë faraonit: ‘Kur isha në burg, ishte një njeri që mund të shpjegonte kuptimin e ëndrrave.’ Faraoni menjëherë e nxjerr Jozefin nga burgu.

Faraoni i tregon Jozefit ëndrrat: ‘Pashë shtatë lopë të bukura e të shëndosha. Pastaj pashë shtatë lopë të dobëta, kockë e lëkurë. Lopët e dobëta i hëngrën lopët e shëndosha.

Në ëndrrën e dytë, pashë shtatë kallinj të plotë e të pjekur që rriteshin në një kërcell. Pastaj pashë shtatë kallinj të hollë e të tharë. Shtatë kallinjtë e hollë filluan t’i gëlltitin shtatë kallinjtë e mirë.’

Jozefi i thotë faraonit: ‘Të dy ëndrrat kanë të njëjtin kuptim. Shtatë lopët e shëndosha dhe shtatë kallinjtë e plotë janë shtatë vjet, kurse shtatë lopët e dobëta dhe shtatë kallinjtë e hollë janë shtatë vjet të tjerë. Do të ketë shtatë vjet kur në Egjipt do të rritet shumë ushqim. Pastaj do të ketë shtatë vjet kur do të rritet shumë pak ushqim.’

Prandaj Jozefi i thotë faraonit: ‘Zgjidh një njeri të mençur dhe ngarkoje të mbledhë ushqimin gjatë shtatë viteve të mira. Kështu njerëzit nuk do të vdesin nga uria gjatë shtatë viteve të tjera që do të vijnë, kur do të ketë shumë pak ushqim.’

Faraonit i pëlqen kjo ide. Ai zgjedh Jozefin që të mbledhë ushqimin dhe ta ruajë në depo. Pas faraonit, Jozefi bëhet njeriu më i rëndësishëm në Egjipt.

Tetë vjet më vonë, gjatë zisë së bukës, Jozefi shikon disa njerëz që po vijnë. A e di cilët janë? Janë 10 vëllezërit e tij të mëdhenj! Babai i tyre, Jakobi, i ka dërguar në Egjipt, sepse në shtëpinë e tyre në Kanaan po mbaron ushqimi. Jozefi i njeh vëllezërit, por ata nuk e njohin. A e di pse? Sepse Jozefi është rritur dhe vishet ndryshe nga vëllezërit.

Jozefit i kujtohet se, kur ishte i vogël, kishte parë në ëndërr vëllezërit e tij që po vinin të përkuleshin para tij. A të kujtohet që e kemi lexuar këtë? Kështu Jozefi mund të kuptojë që e ka dërguar Perëndia në Egjipt dhe që këtë e ka bërë për një arsye të mirë. Si mendon, çfarë bën Jozefi tani? Le të shohim.