ÇFARË ndryshimi ka në këtë figurë? Po, këtu ka njerëz. Ata janë burri dhe gruaja e parë. Kush i bëri? Perëndia. A e di emrin e tij? Është Jehova. Kurse burri dhe gruaja quheshin Adam dhe Eva.

Ja si e bëri Perëndia Jehova Adamin. Mori ca pluhur nga toka dhe me të formoi një trup të përsosur, një trup burri. Pastaj, i fryu burrit në hundë dhe Adami filloi të jetonte.

Perëndia Jehova kishte një punë për Adamin. Ai i tha Adamit që t’u vinte emra të gjitha llojeve të kafshëve. Ndoshta Adami e shikonte me kujdes çdo kafshë për një kohë të gjatë, kështu që pastaj mund të zgjidhte emrin më të mirë për secilën. Ndërsa po u vinte emra kafshëve, Adami filloi të shihte diçka. A e di se çfarë?

Të gjitha kafshët ishin çift. Kishte baba elefant dhe mama elefant, baba luan dhe mama luan. Por, Adami nuk kishte njeri që të bëhej shoqja e tij. Prandaj, Jehovai e vuri Adamin në një gjumë të thellë dhe mori një nga brinjët e tij. Duke përdorur këtë brinjë, Jehovai bëri një grua për Adamin dhe ajo u bë shoqja e tij.

Sa i lumtur ishte tani Adami! Mendo sa e lumtur duhet të ishte edhe Eva që u vendos për të jetuar në një kopsht kaq të bukur. Tani ata mund të kishin fëmijë dhe të jetonin të lumtur së bashku.

Jehovai donte që Adami dhe Eva të jetonin përgjithmonë. Donte që ta bënin të gjithë tokën të bukur, siç ishte kopshti i Edenit. Sa të lumtur duhet të kenë qenë Adami dhe Eva, kur kanë menduar për këtë. Po ty, a do të të kishte pëlqyer të punoje që ta bëje të gjithë tokën një kopsht të bukur? Por, lumturia e Adamit dhe Evës nuk zgjati shumë. Le të shohim pse.