1-3. (a) Si shfaqi Solomoni mençuri të jashtëzakonshme në mënyrën se si zgjidhi një çështje për sa i përket amësisë? (b) Çfarë premton të na japë Jehovai dhe cilat pyetje lindin?

ISHTE një rast i vështirë: dy gra që ziheshin për një foshnjë. Gratë banonin në të njëjtën shtëpi dhe kishin lindur që të dyja nga një djalë, vetëm disa ditë njëra pas tjetrës. Njëra nga foshnjat kishte vdekur, e tani secila nga gratë pohonte se ishte nëna e foshnjës që jetonte. * Dëshmitarë të tjerë të asaj që kishte ndodhur nuk kishte. Me sa duket çështja ishte shqyrtuar në një gjykatë më të ulët, por nuk ishte zgjidhur. Së fundi, kjo çështje iu parashtrua Solomonit, mbretit të Izraelit. A do të ishte në gjendje ai të zbulonte të vërtetën?

2 Pasi dëgjoi për njëfarë kohe gratë që ziheshin, Solomoni kërkoi t’i sillnin një shpatë. Pastaj, në dukje i bindur, urdhëroi që fëmija të ndahej më dysh dhe secilës grua t’i jepej nga një gjysmë. Menjëherë nëna e vërtetë iu lut mbretit që atë foshnjë, fëmijën e saj të shtrenjtë, t’ia jepnin gruas tjetër. Kurse tjetra vazhdonte të ngulte këmbë që fëmija të ndahej më dysh. Tani Solomoni e mori vesh të vërtetën. Ai e njihte dhembshurinë e butë që ka një nënë për fëmijën e saj dhe e përdori këtë njohuri për të zgjidhur çështjen. Përfytyro sa e lehtësuar do të ketë qenë mamaja e fëmijës, kur Solomoni ia dha asaj foshnjën dhe i tha: «Ajo është nëna e tij.»1 Mbretërve 3:16-27.

 3 Kjo ishte një mençuri e jashtëzakonshme, apo jo? Kur dëgjuan se si e kishte zgjidhur çështjen Solomoni, njerëzit mbetën të mahnitur, «sepse e panë që ai kishte mençurinë e Perëndisë». Po, Solomonit ia kishte dhuruar Jehovai mençurinë. I kishte dhënë «një zemër të mençur e me kuptueshmëri». (1 Mbretërve 3:12, 28) Ç’të themi për ne? A mund të na japë edhe ne mençuri Perëndia? Po, sepse nën frymëzim Solomoni shkroi: «Jehovai vetë jep mençuri.» (Proverbat 2:6) Jehovai premton t’u japë mençuri, pra aftësinë për të vënë në punë njohurinë, kuptueshmërinë dhe aftësinë dalluese, atyre që e kërkojnë me sinqeritet atë. Si mund të fitojmë mençurinë nga lart? E si mund ta përdorim në jetën tonë?

«Fito mençuri», por si?

4-7. Cilat janë katër nga kërkesat për të fituar mençurinë?

4 A duhet të jemi shumë inteligjentë ose shumë të arsimuar që të marrim mençurinë e perëndishme? Jo. Jehovai është gati të na japë mençuri pavarësisht nga formimi e nga arsimi ynë. (1 Korintasve 1:26-29) Por duhet ta marrim ne nismën, sepse Bibla na nxit që të ‘fitojmë mençuri’. (Proverbat 4:7) Si mund ta bëjmë këtë?

5 Së pari duhet të kemi frikë Perëndie. «Frika e Jehovait është fillimi i mençurisë [«hapi i parë drejt mençurisë», The New English Bible]»,—thuhet te Proverbat 9:10. Frika e Perëndisë është themeli i mençurisë së vërtetë. Përse? Sill ndër mend se mençuria përfshin aftësinë për ta përdorur me sukses njohurinë. T’i frikësohemi Perëndisë nuk do të thotë të dridhemi para tij nga frika, por të përkulemi para tij me nderim të thellë, respekt dhe besim. Kjo frikë është e shëndetshme dhe shumë motivuese. Na shtyn ta vëmë jetën në harmoni me njohurinë që kemi për vullnetin e Perëndisë dhe për mënyrën se si vepron ai. S’ka mënyrë më të mençur se kjo për të vepruar, sepse normat e Jehovait sjellin gjithnjë rezultatet më të mira për ata që i ndjekin.

 6 Së dyti, duhet të jemi të përulur dhe modestë. Mençuria e perëndishme nuk mund të ekzistojë pa përulësinë dhe modestinë. (Proverbat 11:2) Përse jo? Po të jemi të përulur dhe modestë, do të jemi të gatshëm të pranojmë se nuk i kemi përgjigjet për çdo gjë, se opinionet tona nuk janë gjithnjë të drejta dhe se duhet të njohim mendjen e Jehovait për sa u përket gjërave. Jehovai «u kundërvihet fodullëve», por u jep me kënaqësi mençuri atyre që kanë zemër të përulur.Jakovit 4:6.

Për të fituar mençurinë hyjnore, duhet të bëjmë përpjekje e të gërmojmë për ta gjetur

7 Një gjë e tretë e domosdoshme është studimi i Fjalës së shkruar të Perëndisë. Mençuria e Jehovait na zbulohet në Fjalën e tij. Që të fitojmë këtë mençuri, duhet të bëjmë përpjekje e të gërmojmë për ta gjetur. (Proverbat 2:1-5) Një kërkesë e katërt është lutja. Po t’i kërkojmë sinqerisht Perëndisë mençuri, ai do të na e japë me bujari. (Jakovit 1:5) Lutjet tona për ndihmën e frymës së tij nuk do të mbeten pa përgjigje. Fryma e tij pastaj mund të na aftësojë që të gjejmë në Fjalën e tij thesaret që mund të na ndihmojnë për të zgjidhur problemet, për të shmangur rreziqet dhe për të marrë vendime të mençura.Luka 11:13.

8. Nga do të kuptohet që ne e kemi fituar vërtet mençurinë e perëndishme?

8 Siç e vumë re në kapitullin 17, mençuria e Jehovait është praktike. Prandaj, në qoftë se kemi fituar mençurinë e perëndishme, kjo do të jetë e dukshme në mënyrën se si sillemi. Dishepulli Jakov i përshkroi frytet e mençurisë hyjnore kur shkroi: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, gati për t’u bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë, nuk është hipokrite.» (Jakovit 3:17) Ndërkohë që trajtojmë secilën nga këto aspekte të mençurisë hyjnore, mund të pyesim veten: ‘A po vepron në jetën time mençuria nga lart?’

«E dëlirë, pastaj paqësore»

9. Çfarë do të thotë të jesh i dëlirë dhe pse është e drejtë që dëlirësia të radhitet e para si cilësi e mençurisë?

9 «Para së gjithash e dëlirë.» Të jesh i dëlirë do të thotë të jesh  i pastër e i pandotur, jo vetëm nga ana e jashtme, por edhe nga brenda. Bibla e shoqëron mençurinë me zemrën, por mençuria qiellore nuk mund të hyjë në një zemër që është e ndotur me mendime, dëshira dhe motive të liga. (Proverbat 2:10; Mateu 15:19, 20) Megjithatë, në qoftë se zemra jonë është e dëlirë, domethënë për sa është e mundur për njerëzit e papërsosur, do të ‘largohemi nga e keqja e do të bëjmë të mirën’. (Psalmi 37:27; Proverbat 3:7) A nuk është e drejtë që dëlirësia është radhitur si cilësia e parë e mençurisë? Fundja, po të mos jemi të pastër moralisht e frymësisht, si mund të pasqyrojmë në të vërtetë cilësitë e tjera të mençurisë nga lart?

10, 11. (a) Pse është e rëndësishme që të jemi paqësorë? (b)  Në qoftë se e ndien se ke fyer një bashkadhurues, si mund të tregosh se je paqebërës? (Shih edhe shënimin.)

10 «Pastaj paqësore.» Mençuria qiellore na shtyn të ndjekim paqen, e cila është një fryt i frymës së Perëndisë. (Galatasve 5:22) Përpiqemi që të mos prishim «lidhjen e paqes» që bashkon popullin e Jehovait. (Efesianëve 4:3) Gjithashtu, bëjmë çmos për ta rivendosur paqen kur prishet. Pse është e rëndësishme kjo? Bibla thotë: «Vazhdoni . . . të jetoni në paqe; dhe Perëndia i dashurisë e i paqes do të jetë me ju.» (2 Korintasve 13:11) Për sa kohë që të vazhdojmë të jetojmë në paqe, Perëndia i paqes do të jetë me ne. Mënyra se si i trajtojmë bashkadhuruesit ka ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhënien tonë me Jehovain. Si mund të tregojmë se jemi paqebërës? Shqyrto një shembull.

11 Çfarë duhet të bësh në qoftë se e kupton që ke fyer një bashkadhurues? Jezui tha: «Nëse ti, pra, po sjell dhuratën tënde në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde atje, para altarit, dhe ik; bëj më parë paqe me vëllanë tënd dhe pastaj, kur të jesh kthyer, ofro dhuratën tënde. (Mateu 5:23, 24) Këtë këshillë mund ta zbatosh duke marrë nismën për të shkuar i pari te vëllai yt. Me cilin synim?  Të ‘bësh paqe’ me të. * Për të arritur këtë synim, mund të të duhet ta pranosh se ai është lënduar, jo ta mohosh. Po të shkosh tek ai me synimin për të rivendosur paqen dhe ta mbash këtë qëndrim, ka të ngjarë që të sqarohen keqkuptimet, të kërkohet falja siç duhet dhe të falet gabimi. Duke bërë çmos për të vënë paqe, po tregon se udhëhiqesh nga mençuria e perëndishme.

«E arsyeshme, gati për t’u bindur»

12, 13. (a) Cila është domethënia e fjalës së përkthyer «e arsyeshme» te Jakovit 3:17? (b) Si mund ta tregojmë se jemi të arsyeshëm?

12 «E arsyeshme.» Çfarë do të thotë të jesh i arsyeshëm? Sipas studiuesve, fjala origjinale greke e përkthyer «e arsyeshme» te  Jakovit 3:17 është e vështirë për t’u përkthyer. Përkthyesit kanë përdorur fjalë të tilla, si: «zemërbutë», «i vetëpërmbajtur» dhe «i kujdesshëm». Një shënim në Përkthimin Bota e Re tregon se kuptimi i mirëfilltë është «që hap rrugë». Si mund ta tregojmë se ky aspekt i mençurisë nga lart po vepron në jetën tonë?

13 «Arsyetueshmëria juaj le të bëhet e njohur ndër të gjithë njerëzit»,—thuhet te Filipianëve 4:5. Një përkthim tjetër thotë: «Jini të njohur si njerëz që janë të arsyeshëm.» (The New Testament in Modern English, nga J. B. Filips) Vër re se çështja nuk është se si e shohim veten ne, por se si na shohin të tjerët, si na njohin. Ai që është i arsyeshëm nuk është një njeri që s’bën asnjë lëshim. Ai nuk këmbëngul që t’i dalë gjithnjë e tija. Në vend të kësaj, është i gatshëm t’i dëgjojë të tjerët dhe, kur është e përshtatshme, t’u hapë rrugë dëshirave të tyre. Është edhe zemërbutë, jo i sertë ose i ashpër në marrëdhëniet me të tjerët. Ndonëse kjo është e domosdoshme për të gjithë të krishterët, është veçanërisht e rëndësishme për ata që shërbejnë si pleq. Zemërbutësia tërheq, duke i bërë të afrueshëm pleqtë. (1 Selanikasve 2:7, 8) Të gjithë bëjmë mirë të pyesim veten: ‘A më njohin si një njeri që mendon për të tjerët, që hap rrugë e që jam zemërbutë?’

14. Si mund të tregojmë se jemi «gati për t’u bindur»?

14 «Gati për t’u bindur.» Fjala greke e përkthyer «gati për t’u bindur» nuk gjendet në asnjë vend tjetër në Shkrimet e Krishtere Greke. Sipas një studiuesi, kjo fjalë «përdoret shpesh për disiplinën ushtarake». Ajo përcjell idenë e një personi «që bindet me lehtësi» dhe është «i nënshtruar». Ai që udhëhiqet nga mençuria që vjen nga lart i nënshtrohet me gatishmëri asaj që thonë Shkrimet. Nuk njihet si një njeri që merr ndonjë vendim e pastaj nuk pranon të shqyrtojë ato fakte që janë në kundërshtim me vendimin që ka marrë. Jo, është një njeri që ndryshon menjëherë kur i paraqiten prova të qarta biblike se ka marrë një vendim të gabuar ose ka arritur në përfundime jo të drejta. A të njohin të tjerët si një njeri të tillë?

 «Plot mëshirë dhe fryte të mira»

15. Çfarë është mëshira dhe pse është me vend që ‘mëshira’ dhe ‘frytet e mira’ përmenden bashkë te Jakovit 3:17?

15 «Plot mëshirë dhe fryte të mira.» * Mëshira është pjesë e rëndësishme e mençurisë nga lart, sepse për këtë mençuri thuhet që është «plot mëshirë». Vër re se ‘mëshira’ dhe ‘frytet e mira’ përmenden bashkë. Kjo është me vend, sepse në Bibël mëshira shpesh i referohet interesimit aktiv për të tjerët, dhembshurisë që sjell si pasojë shumë vepra mirëdashëse. Një vepër referimi e përkufizon mëshirën si «një ndjenjë keqardhjeje për hallin që i ka rënë dikujt dhe përpjekjen për të bërë diçka për të». Prandaj, mençuria e perëndishme nuk është e thatë, e ftohtë ose thjesht në nivel mendor. Jo, por është e ngrohtë, del nga zemra dhe është e ndjeshme. Si mund ta tregojmë se jemi plot mëshirë?

16, 17. (a) Përveç dashurisë për Perëndinë, ç’gjë tjetër na motivon të marrim pjesë në veprën e predikimit dhe përse? (b) Në cilat mënyra mund ta tregojmë se jemi plot mëshirë?

16 Natyrisht që një mënyrë e rëndësishme është duke u dhënë të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Çfarë na motivon që të bëjmë këtë vepër? Kryesisht është dashuria për Perëndinë. Por jemi të motivuar edhe nga mëshira ose nga dhembshuria për të tjerët. (Mateu 22:37-39) Shumë njerëz sot janë ‘të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari’. (Mateu 9:36) Barinjtë e rremë fetarë i kanë lënë këta pas dore dhe të verbër frymësisht. Për pasojë, këta njerëz nuk dinë gjë për udhëheqjen e mençur që gjendet në Fjalën e Perëndisë ose për bekimet që do të sjellë së shpejti Mbretëria në tokë. Kur mendojmë kështu për nevojat frymore të atyre që na rrethojnë, dhembshuria që ndiejmë në zemër na shtyn të bëjmë çmos për t’u folur për qëllimin e dashur të Jehovait.

Kur u tregojmë mëshirë ose dhembshuri të tjerëve, pasqyrojmë ‘mençurinë nga lart’

17 Në cilat mënyra të tjera mund ta tregojmë se jemi plot  mëshirë? Kujto ilustrimin e Jezuit për samaritanin që gjeti një udhëtar i cili dergjej në rrugë, pasi e kishin grabitur dhe e kishin rrahur. I shtyrë nga dhembshuria, samaritani «veproi në mënyrë të mëshirshme», duke ia lidhur plagët viktimës dhe duke u kujdesur për të. (Luka 10:29-37) A nuk e ilustron kjo se mëshira përfshin t’u japim ndihmë praktike atyre që kanë nevojë për të? Bibla na thotë «të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim». (Galatasve 6:10) Shqyrto disa mundësi. Ndoshta një bashkëbesimtar që është i moshuar ka nevojë që ta shoqërojnë me makinë në mbledhjet e krishtere. Ndonjë vejushë në kongregacion mund të ketë nevojë ta ndihmojnë për të bërë riparime në shtëpi. (Jakovit 1:27) Një person i shkurajuar mund të ketë nevojë për ‘një fjalë të mirë’ që të çelet. (Proverbat 12:25) Kur tregojmë mëshirë në mënyra të tilla, japim prova se mençuria nga lart po vepron në jetën tonë.

«Nuk mban anë, nuk është hipokrite»

18. Çfarë duhet të përpiqemi të çrrënjosim nga zemra jonë, në qoftë se jemi të udhëhequr nga mençuria që vjen nga lart, dhe pse?

18 «Nuk mban anë.» Mençuria që vjen nga Perëndia ngrihet mbi paragjykimin racial dhe krenarinë kombëtare. Po të jemi të udhëhequr nga kjo mençuri, do të përpiqemi të çrrënjosim nga zemra ndonjë prirje për të mbajtur me hatër. (Jakovit 2:9) Nuk u bëjmë trajtim të veçantë të tjerëve në bazë të formimit të tyre arsimor, të gjendjes financiare ose të përgjegjësive në kongregacion. Nuk i shohim me përçmim bashkadhuruesit tanë, pavarësisht se sa e ulët mund të duket se është shtresa e tyre shoqërore a ekonomike. Në qoftë se Jehovai u ka dhënë këtyre personave dashurinë e tij, patjetër që ne duhet t’i quajmë të denjë për dashurinë tonë.

19, 20. (a) Nga rrjedh kuptimi i fjalës greke për ‘hipokrit’? (b) Si shfaqim «përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi» dhe pse është e rëndësishme kjo?

19 «Nuk është hipokrite.» Fjala greke për ‘hipokrit’ mund t’i referohet «një aktori që luan një rol». Në kohët e lashta, aktorët  grekë dhe romakë kur luanin në skenë mbanin maska të mëdha. Prandaj, fjala greke për ‘hipokrit’ si përfundim mori kuptimin e një personi që shtiret ose që sillet me mashtrim. Ky aspekt i mençurisë së perëndishme duhet të ndikojë jo vetëm në mënyrën se si i trajtojmë bashkadhuruesit, por edhe në atë që ndiejmë për ta.

20 Apostulli Pjetër komentoi se ‘bindja jonë ndaj së vërtetës’ duhet të sjellë si rrjedhojë «një përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi». (1 Pjetrit 1:22) Pikërisht, nuk duhet ta shfaqim vetëm sa për sy e faqe përzemërsinë për vëllezërit. Ne nuk vëmë maska e nuk luajmë role për t’i mashtruar të tjerët. Përzemërsia jonë duhet të jetë e sinqertë, nga zemra. Nëse është kështu, do të fitojmë besimin e bashkëbesimtarëve tanë, sepse do ta dinë se jemi ashtu siç dukemi. Ky sinqeritet shtron rrugën për marrëdhënie të çiltra e të ndershme midis të krishterëve dhe ndihmon për të krijuar një atmosferë mirëbesimi në kongregacion.

 «Ruaje mençurinë praktike»

21, 22. (a) Si dështoi Solomoni ta ruante mençurinë? (b) Si mund ta ruajmë ne mençurinë dhe si do të nxjerrim dobi po qe se bëjmë kështu?

21 Mençuria hyjnore është një dhuratë nga Jehovai, një dhuratë që duhet ruajtur. Solomoni tha: «Biri im, . . . ruaje mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar.» (Proverbat 3:21) Mjerisht, vetë Solomoni nuk e bëri këtë. Ai vazhdoi të ishte i mençur për sa kohë që mbajti një zemër të bindur, por, në fund, gratë e shumta të huaja që kishte marrë ia larguan zemrën nga adhurimi i pastër i Jehovait. (1 Mbretërve 11:1-8) Përfundimi i Solomonit ilustron se njohuria ka pak vlerë po qe se nuk përdoret mirë.

22 Si mund ta ruajmë mençurinë praktike? Nuk mjafton vetëm të lexojmë rregullisht Biblën dhe botimet biblike që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur». Duhet edhe të përpiqemi t’i vëmë në zbatim ato që mësojmë. (Mateu 24:45) Kemi çdo arsye për ta zbatuar mençurinë e Perëndisë. Ajo nënkupton një jetë më të mirë tani dhe na jep mundësi ‘të rrokim jetën e vërtetë’, jetën në botën e re të Perëndisë. (1 Timoteut 6:19) E ç’është më e rëndësishme, nëse zhvillojmë mençurinë nga lart do të afrohemi më shumë me burimin e çdo mençurie, me Perëndinë Jehova.

^ par. 1 Sipas 1 Mbretërve 3:16 dy gratë ishin prostituta. Libri Mendjehollësi mbi Shkrimet thotë: «Këto gra mund të kenë qenë prostituta jo në kuptimin që shitnin trupin, por gra që kishin kryer kurvëri; ose gra judeje, ose, gjë që ka shumë mundësi, gra me prejardhje të huaj.»—Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 11 Shprehja greke e përkthyer ‘bëj paqe’ vjen nga një folje që do të thotë «‘të shkaktosh një ndryshim, të këmbesh’ e prandaj ‘të pajtosh’». Kështu, synimi yt është të shkaktosh një ndryshim, të heqësh po qe se është e mundur keqdashjen nga zemra e atij që është fyer.Romakëve 12:18.

^ par. 15 Një version tjetër i përkthen këto fjalë «plot përdëllim e me punëra të mira».—Shoqata biblike për n’Angli dhe jashtë.