1, 2. Si e bën të qartë dielli fuqinë krijuese të Jehovait?

A KE ndenjur ndonjëherë afër zjarrit në një natë të ftohtë? Ndoshta i afroje duart tamam në largësinë e duhur nga zjarri, për t’u ngrohur me nxehtësinë që dilte prej tij. Po të afroheshe shumë te zjarri, nxehtësia bëhej e padurueshme. Po të largoheshe tepër, të mbështillte ajri i ftohtë i natës dhe filloje të ndieje të dridhura.

2 Ekziston një «zjarr» që ngroh trupat tanë gjatë ditës. Ky «zjarr» digjet rreth 150 milionë kilometra larg nesh. * Mendo sa shumë fuqi duhet të ketë dielli për të na ngrohur nga një largësi e tillë! Gjithsesi, toka rrotullohet në orbitë rreth kësaj furrnalte madhështore termobërthamore pikërisht në largësinë e duhur. Po të ishte tepër afër, uji i tokës do të avullonte; po të ishte shumë larg, uji do të ngrinte i tëri. Secili nga ekstremet do ta bënte të pajetë planetin tonë. Energjia që vjen nga drita e diellit është e domosdoshme për jetën në tokë, por ama është pa harxhime, nuk shkakton ndotje e madje na pëlqen.Eklisiastiu 11:7.

Jehovai ‘bëri ndriçuesin, domethënë diellin’

3. Cilën të vërtetë të rëndësishme dëshmon dielli?

3 Edhe pse jeta e tyre varet prej tij, për shumicën e njerëzve dielli është diçka që ekziston dhe kaq. Duke qenë kështu, nuk e kuptojnë atë që mund të na mësojë dielli. Bibla thotë për Jehovain: «Ti e bëre ndriçuesin, domethënë diellin.» (Psalmi 74:16) Po, dielli i sjell nderim Jehovait, ‘Bërësit të qiellit dhe të tokës’. (Psalmi 19:1; 146:6) Ai është vetëm një nga trupat e panumërt qiellorë që na mësojnë diçka  për fuqinë krijuese kolosale të Jehovait. Le t’i shqyrtojmë më nga afër disa nga këta trupa qiellorë e pastaj ta drejtojmë vëmendjen te toka dhe te jeta që lulëzon në të.

«Ngrijini sytë lart dhe shikoni»

4, 5. Sa i fuqishëm e sa i madh është dielli, e megjithatë si është në krahasim me yjet e tjera?

4 Siç mund ta dish, dielli ynë është një yll. Duket më i madh se yjet e tjerë që shohim natën, sepse, në krahasim me ta, është mjaft afër. Sa i fuqishëm është? Në bërthamën e diellit temperatura është rreth 15.000.000 gradë Celsius. Po të merrje nga bërthama e diellit një copëz me madhësi sa koka e një gjilpëre me kokë dhe ta vije në tokë, nuk do të qëndroje dot më afër se 140 kilometra nga ai burim fare i vogël nxehtësie! Çdo sekondë, dielli lëshon një energji që është e barabartë me shpërthimin e qindra milionë bombave bërthamore.

5 Dielli është kaq i madh, saqë brenda tij mund të hynin më shumë se 1.300.000 toka si e jona. Por, a është ai një yll jashtëzakonisht  i madh? Jo, astronomët e quajnë yll xhuxh të verdhë. Apostulli Pavël shkroi se «ylli ndryshon nga ylli për nga lavdia». (1 Korintasve 15:41) Ndoshta as vetë s’e dinte sa të vërteta janë këto fjalë të frymëzuara. Ekziston një yll kaq i madh, saqë po të vendosej në vendin ku është tani dielli, toka jonë do të ishte brenda atij ylli. Një yll tjetër gjigant i vendosur po në këtë vend do të arrinte deri te Saturni, ndonëse ky planet është kaq larg nga toka, saqë një anijeje kozmike iu deshën katër vjet për të arritur atje, duke udhëtuar 40 herë më shpejt se plumbi që del nga një pistoletë e fuqishme!

6. Si e tregon Bibla se numri i yjeve është jashtëzakonisht i madh nga pikëpamja njerëzore?

6 Numri i yjeve është edhe më mahnitës se përmasat e tyre. Bibla sugjeron se yjet janë pothuajse të panumërueshëm; t’i  numërosh ato është po aq e vështirë sa të numërosh ‘rërën e detit’. (Jeremia 33:22) Ky pohim nënkupton se ka shumë më tepër yje nga sa mund të shohim ne me sy të lirë. Fundja, nëse një shkrimtar biblik si Jeremia do të kishte parë qiellin e natës dhe do të ishte përpjekur të numëronte yjet që dukeshin, do të kishte numëruar vetëm rreth tre mijë, sepse kaq mund të dallojë njeriu me sy të lirë në një natë të kthjellët. Ky numër mund të krahasohet me numrin e kokrrizave që janë vetëm në një grusht me rërë. Por në të vërtetë numri i yjeve është marramendës, ashtu si rëra e detit. * Kush do të mund të arrinte t’i numëronte ato?

«Të gjitha [ato] i thërret madje me emër»

7. (a) Sa yje ka afërsisht galaktika jonë Udha e Qumështit dhe sa i madh është ai numër? (b) Pse ia vlen të përmendet që astronomët e kanë të vështirë të numërojnë galaktikat dhe çfarë na mëson kjo për fuqinë krijuese të Jehovait?

7 Isaia 40:26 përgjigjet: «Ngrijini sytë lart dhe shikoni. Kush i ka krijuar këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre madje me numër, të cilat i thërret të gjitha madje me emër.» Psalmi 147:4 thotë: «Ai llogarit numrin e yjeve.» Cili është ‘numri i yjeve’? Kjo nuk është një pyetje e thjeshtë. Astronomët përllogaritin se vetëm në galaktikën tonë Udha e Qumështit ka më shumë se 100 miliardë yje. * Por galaktika jonë është vetëm një nga galaktikat e shumta dhe shumë prej tyre kanë edhe më tepër yje. Sa galaktika ekzistojnë? Disa astronomë kanë përllogaritur 50 miliardë. Të tjerë kanë llogaritur se mund të ketë deri në 125 miliardë. Prandaj njeriu nuk mund të përcaktojë dot as numrin e galaktikave, jo më numrin e saktë të miliarda yjeve që përmbajnë ato. Megjithatë, Jehovai  e di atë numër. Jo vetëm kaq, por i vë secilit yll nga një emër.

8. (a) Si do t’i shpjegoje përmasat e galaktikës Udha e Qumështit? (b) Në ç’mënyrë e rregullon Jehovai lëvizjen e trupave qiellorë?

8 Frika ndaj Perëndisë na shtohet kur mendojmë për përmasat e galaktikave. Është llogaritur se galaktika Udha e Qumështit ka një distancë rreth 100.000 vjet-dritë nga njëri skaj në skajin tjetër. Imagjino një rreze drite që udhëton me shpejtësinë marramendëse prej 300.000 kilometrash në sekondë. Kësaj rrezeje do t’i duheshin 100.000 vjet për të përshkuar galaktikën tonë! E disa galaktika janë shumë herë më të mëdha sesa e jona. Bibla thotë se Jehovai ‘i shtrin’ këta qiej si të ishin një pëlhurë. (Psalmi 104:2) Ai gjithashtu rregullon lëvizjen e këtyre krijimeve. Që nga grimca më e vogël e pluhurit ndëryjor e deri te galaktika më e madhe, çdo gjë lëviz sipas ligjeve fizike që Perëndia ka formuluar dhe ka vënë në veprim. (Jobi 38:31-33) Kështu, shkencëtarët i kanë krahasuar lëvizjet e përpikta të trupave qiellorë me koreografinë e një baleti të ndërlikuar. Atëherë, mendo për Atë që ka krijuar këto gjëra. A nuk mbushesh me nderim të thellë ndaj Perëndisë që ka një fuqi të tillë krijuese kolosale?

«Bërësi i tokës me anë të fuqisë së tij»

9, 10. Si është e dukshme fuqia e Jehovait në lidhje me pozicionin e sistemit tonë diellor, të Jupiterit, të tokës dhe të hënës?

9 Fuqia krijuese e Jehovait është e dukshme edhe këtu në shtëpinë tonë, në tokë. Ai e ka vendosur me shumë kujdes tokën në këtë univers të paanë. Disa shkencëtarë mendojnë se shumë galaktika mund të jenë të papërshtatshme për një planet me jetë si i yni. Po ashtu, me sa duket edhe pjesa më e madhe e galaktikës Udha e Qumështit nuk ishte projektuar për të mirëpritur jetën. Qendra e galaktikës është e mbushur me yje. Rrezatimi radioaktiv është i fortë dhe rreziku i përplasjeve midis yjeve është i madh. Në skajet e galaktikës mungojnë shumë nga elementët që janë thelbësorë për  jetën. Sistemi ynë diellor është vendosur në mënyrë ideale midis këtyre ekstremeve.

10 Toka përfiton nga një mbrojtës i largët, por gjigant: planeti Jupiter. Me përmasa mbi një mijë herë më të mëdha se përmasat e Tokës, forca e rëndesës së Jupiterit ushtron një ndikim shumë të madh. Pasoja? Ai thith ose mënjanon objektet që lëvizin me shpejtësi nëpër hapësirë. Shkencëtarët llogaritin se po të mos ishte për Jupiterin, shiu i objekteve masive që godasin tokën do të ishte 10.000 herë më i madh se tani. Akoma më afër, toka jonë është e bekuar me një satelit të pazakontë: hënën. Më tepër se një gjë për zbukurim dhe një «dritë për natën», hëna e ndihmon tokën që të mbajë një pjerrësi të vazhdueshme e të njëtrajtshme. Kjo pjerrësi i jep tokës stinët, që janë gjithmonë të njëjtat dhe që vijnë kur i presim: një tjetër dobi e madhe për jetën këtu.

11. Si është projektuar atmosfera e tokës për të shërbyer si mburojë?

11 Fuqia krijuese e Jehovait është e dukshme në çdo aspekt të projektimit të tokës. Shqyrto atmosferën, e cila shërben si mburojë. Dielli rrezaton edhe rreze të dobishme, edhe vdekjeprurëse. Kur rrezet vdekjeprurëse arrijnë në atmosferën e sipërme të tokës, e kthejnë oksigjenin normal në ozon. Shtresa e ozonit që krijohet si pasojë thith shumicën e atyre rrezeve. Pikërisht, planeti ynë është projektuar me një çadër mbrojtëse!

12. Si e ilustron fuqinë krijuese të Jehovait cikli atmosferik i qarkullimit të ujit?

12 Ky është vetëm një aspekt i atmosferës sonë, e cila është një përzierje e ndërlikuar gazesh, ideale për të mbështetur jetën e krijesave në tokë ose afër sipërfaqes së saj. Një ndër mrekullitë e atmosferës është cikli i qarkullimit të ujit. Çdo vit dielli bën të avullojnë rreth 400.000 kilometra kub ujë nga oqeanet dhe detet e tokës. Uji formon re, të cilat erërat atmosferike i qarkullojnë ngado. Ky ujë, pasi filtrohet dhe kullohet, bie në formën e shiut, dëborës dhe akullit, duke rimbushur  rezervat e ujit. Është pikërisht siç thuhet te Eklisiastiu 1:7: «Gjithë përrenjtë dimërorë shkojnë në det, megjithatë deti nuk mbushet. Në vendin ku përrenjtë dimërorë dalin, atje kthehen, për të dalë.» Vetëm Jehovai mund ta vinte në veprim këtë cikël.

13. Cilën dëshmi të fuqisë së Krijuesit shohim te bimësia dhe te dheu i tokës?

13 Kudo ku shohim jetë, shohim dëshmi të fuqisë së Krijuesit. Që nga sekuotë hijerënda që janë më të larta se ndërtesat 30-katëshe e deri te bota mikroskopike bimore që gëlon në oqeane dhe siguron pjesën më të madhe të oksigjenit që thithim, fuqia krijuese e Jehovait duket qartë. Vetë dheu është i mbushur me qenie të gjalla: krimba, kërpudha dhe mikrobe, e që të gjitha bashkëveprojnë në mënyra të ndërlikuara që i ndihmojnë bimët të rriten. Me të drejtë Bibla thotë se dheu ka fuqi prodhuese.Zanafilla 4:12.

14. Çfarë fuqie fshihet edhe brenda atomit mikroskopik?

14 S’ka asnjë dyshim se Jehovai është «Bërësi i tokës me anë të fuqisë së tij». (Jeremia 10:12) Fuqia e Perëndisë është e dukshme edhe në krijimet më të vogla të tij. Për shembull, një milion atome të vendosura njëri pas tjetrit nuk do të ishin as sa trashësia e një fije floku të njeriut. Madje edhe po ta zmadhonim një atom derisa të ishte i lartë sa një ndërtesë 14-katëshe, bërthama e tij do të kishte përmasat e një kokrre kripe të vendosur në katin e shtatë. E megjithatë, ajo bërthamë mikroskopike është burimi i fuqisë mahnitëse që çlirohet në një shpërthim bërthamor!

«Çdo gjë që merr frymë»

15. Duke folur për disa lloje kafshësh të egra, cilin mësim i dha Jehovai Jobit?

15 Një dëshmi tjetër e gjallë e fuqisë krijuese të Jehovait gjendet në shumëllojshmërinë e jetës shtazore në tokë. Te Psalmi 148 radhiten shumë gjëra që lavdërojnë Jehovain dhe vargu 10 përmend ‘kafshët e egra dhe gjithë kafshët  shtëpiake’. Për të treguar pse njeriu duhet të mbetet i mahnitur para Krijuesit, Jehovai një herë i foli Jobit për kafshë të tilla, si: luani, zebra, demi i egër, Behemothi (ose hipopotami) dhe Leviathani (me sa duket krokodili). Cila është pika? Në qoftë se njeriu mbetet i shtangur para këtyre krijesave të fuqishme, frikësuese dhe të pazbutshme, si duhet të ndihet për Krijuesin e tyre?Jobi, kapitujt 38-41.

16. Çfarë të bën përshtypje lidhur me disa zogj që ka krijuar Jehovai?

16 Psalmi 148:10 përmend edhe ‘zogjtë me krahë’. Mendo vetëm për shumëllojshmërinë e madhe të zogjve! Jehovai i foli Jobit për strucin, i cili «qesh me kalin dhe me kalorësin e tij». Në të vërtetë, ky zog 2,5 metra i lartë mund të mos fluturojë, por mund të vrapojë me shpejtësi 65 kilometra në orë me hapa të gjatë që arrijnë deri në 4,5 metra secili! (Jobi 39:13, 18) Nga ana tjetër, albatrosi e kalon pjesën më të madhe të jetës në ajër, mbi dete. Ky zog ka një hapje të krahëve prej gati 3 metrash dhe manovron me lehtësi në ajër. Mund të endet në ajër për orë të tëra pa i rrahur krahët. Për të bërë një kontrast, kolibri-bletë me gjatësi prej vetëm 5 centimetrash është zogu më i vogël në botë. Ai i rreh krahët deri në 80 herë në sekondë. Kolibrat, duke vezulluar si xhevahirë të vegjël me krahë, mund të rrinë në një vend në ajër si helikopterët e madje të fluturojnë së prapthi.

17. Sa e madhe është balena e kaltër dhe cilin përfundim duhet të arrijmë vetiu pasi kemi medituar rreth krijimit shtazor të Jehovait?

17 Psalmi 148:7 thotë se edhe ‘përbindëshat e detit’ e lavdërojnë Jehovain. Mendo për atë që shpesh shihet si kafsha më e madhe që jeton në këtë planet: balenën e kaltër. Ky ‘përbindësh’ i thellësive mund të arrijë një gjatësi prej 30 metrash a më shumë. Mund të peshojë sa një kope prej 30 elefantësh të rritur. Vetëm gjuha i peshon sa një elefant. Zemra ka madhësinë e një makine të vogël. Ky organ gjigant rreh vetëm 9 herë në minutë, në dallim nga zemra e kolibrit, e cila rreh deri në 1.200 herë në minutë. Të paktën një nga enët e gjakut të balenës së kaltër është aq e madhe, saqë një  fëmijë mund të ecë këmbadoras brenda saj. Sigurisht, edhe ne ndihemi të shtyrë në zemër që të përsëritim thënien që mbyll librin e Psalmeve: «Çdo gjë që merr frymë le të lavdërojë Jah!»Psalmi 150:6.

Të mësojmë nga fuqia krijuese e Jehovait

18, 19. Sa të shumëllojshme janë qeniet e gjalla që ka bërë Jehovai këtu në tokë dhe çfarë na mëson krijimi rreth sovranitetit të tij?

18 Çfarë mësojmë nga mënyra se si e përdor Jehovai fuqinë e tij krijuese? Mbetemi të mahnitur duke parë shumëllojshmërinë e krijimit. Një psalmist tha me zë të lartë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! . . . Toka është plot me ato që ke bërë ti.» (Psalmi 104:24) Sa e vërtetë! Biologët kanë identifikuar më shumë se një milion lloje qeniesh të gjalla në tokë, e megjithatë ka mendime të ndryshme nëse mund të ketë deri në 10, 20, 30 milionë ose më shumë lloje. Artistëve njerëzorë nganjëherë mund t’u shterojë aftësia krijuese. Por, ndryshe nga ata, duket qartë se aftësia krijuese e Jehovait, domethënë fuqia e tij për të shpikur dhe për të krijuar gjëra të reja e të larmishme, është e pashterueshme.

19 Mënyra se si e përdor Jehovai fuqinë krijuese na mëson diçka për sovranitetin e tij. Vetë fjala «Krijues» e veçon Jehovain nga çdo gjë tjetër në univers, pasi çdo gjë tjetër është «krijim». Edhe Biri i vetëmlindur i Jehovait, i cili shërbeu si  «kryemjeshtër» gjatë krijimit, nuk quhet kurrë në Bibël Krijues ose bashkëkrijues. (Proverbat 8:30; Mateu 19:4) Në vend të kësaj, ai është «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolosianëve 1:15) Pozita e Jehovait si Krijuesi i jep atij të drejtën legjitime për të ushtruar fuqi të plotë si sovran mbi gjithë universin.Romakëve 1:20; Zbulesa 4:11.

20. Në cilin kuptim ka pushuar Jehovai që kur ka mbaruar krijimin e tij tokësor?

20 A mos vallë Jehovai nuk po e ushtron më fuqinë e tij krijuese? Po ja, Bibla vërtet thotë se kur Jehovai e mbaroi veprën e tij krijuese në ditën e gjashtë të krijimit, «nisi të pushonte ditën e shtatë nga tërë puna që kishte bërë». (Zanafilla 2:2) Apostulli Pavël tregoi se kjo ‘ditë’ e shtatë zgjat mijëra vjet, sepse në kohën e tij vazhdonte ende. (Hebrenjve 4:3-6) Por, a do të thotë fjala ‘pushim’ se Jehovai nuk po punon fare? Jo, Jehovai punon gjithmonë. (Psalmi 92:4; Gjoni 5:17) Prandaj, pushimi i tij duhet t’i referohet thjesht faktit që ka ndërprerë punën e krijimit fizik në tokë. Por punën për të përmbushur qëllimet e tij e ka vazhduar pa ndërprerje. Kjo punë ka përfshirë edhe frymëzimin e Shkrimeve të Shenjta. Ka përfshirë edhe krijimin e ‘një krijese të re’ për të cilën do të flasim në kapitullin 19.2 Korintasve 5:17.

21. Si do të ndikojë fuqia krijuese e Jehovait te njerëzit besnikë gjatë gjithë përjetësisë?

21 Kur dita e pushimit të Jehovait më në fund të mbarojë, ai do ta shpallë të gjithë punën e tij në tokë ‘shumë të mirë’, ashtu si bëri në fund të gjashtë ditëve të krijimit. (Zanafilla 1:31) Mbetet ende për t’u parë se si mund të zgjedhë ta ushtrojë ai fuqinë e tij të pakufishme krijuese më pas. Sidoqoftë, mund të jemi të sigurt se do të vazhdojmë të mahnitemi nga mënyra se si do ta përdorë Jehovai fuqinë krijuese. Gjatë gjithë përjetësisë do të mësojmë më shumë për Jehovain nëpërmjet krijimit të tij. (Eklisiastiu 3:11) Sa më shumë të mësojmë për të, aq më shumë do të mbetemi të shtangur para tij dhe aq më shumë do të afrohemi me Krijuesin tonë të Madh.

^ par. 2 Për ta kuptuar më mirë këtë numër gjigant, mendo për këtë: po ta përshkoje me makinë atë largësi, edhe sikur të ecje me shpejtësi 160 kilometra në orë, për 24 orë në ditë, do të të duheshin më shumë se 100 vjet.

^ par. 6 Disa mendojnë se njerëzit e lashtë në kohët biblike duhet të kenë përdorur një formë primitive të teleskopit. Përndryshe, vazhdojnë arsyetimin ata, si do të mund ta dinin njerëzit e atyre kohëve se numri i yjeve është kaq i madh, i panumërueshëm nga pikëpamja njerëzore? Një spekulim i tillë i pabazuar e lë jashtë Jehovain, Autorin e Biblës.2 Timoteut 3:16.

^ par. 7 Mendo se sa kohë do të të duhej vetëm për të numëruar 100 miliardë yje. Po të mund të numëroje nga një yll çdo sekondë, e të vazhdoje me këtë ritëm për 24 orë në ditë, do të të duheshin 3.171 vjet.