1, 2. (a) Si i përgjigjet natyrshëm një nënë së qarës së foshnjës së saj? (b) Cila ndjenjë është edhe më e thellë se dhembshuria e nënës?

NË MES të natës foshnja zë të qajë. Menjëherë nëna zgjohet. Që kur i ka lindur kjo foshnjë, ajo nuk bën më gjumë të mirë si më parë. Ka mësuar të dallojë llojet e ndryshme të së qarës së bebes. Prandaj, shpesh arrin ta kuptojë në qoftë se foshnja e saj ka nevojë për qumësht, për ta mbajtur pak në krahë ose për ndonjë gjë tjetër. Por, pavarësisht nga arsyeja pse qan foshnja, nëna ngrihet e shkon tek ajo. S’i bën zemra t’i shpërfillë nevojat e fëmijës së saj.

2 Dhembshuria që ndien një nënë për frytin e barkut të saj është ndër ndjenjat më të buta që njohin njerëzit. Por, megjithatë, ka një ndjenjë që është ku e ku më e thellë. Kjo është dhembshuria e butë e Perëndisë tonë, Jehovait. Shqyrtimi i kësaj cilësie që të bën për vete mund të na ndihmojë t’i afrohemi më shumë Jehovait. Pra, le të trajtojmë çfarë është dhembshuria dhe si e shfaq Perëndia atë.

Çfarë është dhembshuria?

3. Cila është domethënia e foljes hebraike të përkthyer «tregoj mëshirë» ose «ndiej keqardhje»?

3 Në Bibël ka një lidhje të ngushtë ndërmjet dhembshurisë dhe mëshirës. Ka disa fjalë hebraike dhe greke që përcjellin kuptimin e dhembshurisë së butë. Shqyrto, për shembull, foljen hebraike rakam, e cila shpesh përkthehet «tregoj mëshirë» ose «ndiej keqardhje». Një vepër referimi shpjegon se folja rakam «shpreh një ndjenjë të thellë e të butë dhembshurie, si ajo që lind kur shohim dobësinë ose vuajtjet e njerëzve tanë të shtrenjtë ose të atyre që kanë nevojë për ndihmën  tonë». Ky term hebraik, të cilin Jehovai e përdor për veten e tij, ka të bëjë me shprehjen «barku i nënës» dhe mund të përshkruhet si «dhembshuri prej nëne». *Dalja 33:19; Jeremia 33:26.

«A mundet një grua të harrojë . . . birin e barkut të saj?»

4, 5. Si i përdor Bibla ndjenjat që ka një nënë për foshnjën e saj për të na mësuar rreth dhembshurisë së Jehovait?

4 Bibla i përdor ndjenjat e nënës për foshnjën e saj për të na treguar se ç’domethënie ka dhembshuria e Jehovait. Tek Isaia 49:15 lexojmë: «E harron thua gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbë [rakam] për bamin [birin, BR] e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj.» (Dom Simon Filipaj) Ky përshkrim prekës zbulon se sa e thellë është dhembshuria e Jehovait për popullin e tij. Si e bën këtë?

5 E kemi të vështirë ta përfytyrojmë si një nënë mund të harrojë të ushqejë foshnjën e gjirit e të kujdeset për të. Se të gjithë e dimë që një foshnjë është e pambrojtur, ka nevojë natë e ditë për vëmendjen dhe dashurinë e nënës së vet. Por mjerisht s’është e padëgjuar që nënat t’i lënë pas dore fëmijët, sidomos në këto «kohë kritike», të karakterizuara nga mungesa e ‘përzemërsisë së natyrshme’. (2 Timoteut 3:1, 3) Megjithatë, Jehovai thotë: «Unë ty kurrë nuk të harroj.» Dhembshuria e butë që ka Jehovai për shërbëtorët e tij është e pashtershme. Ajo është shumë më e thellë edhe se ndjenja më e butë e natyrshme që mund të marrim me mend, pra më e thellë se dhembshuria që ndien normalisht një nënë për foshnjën e saj. Nuk habitemi që një komentues tha për shkrimin e Isaisë 49:15: «Kjo është një nga shprehjet më të fuqishme, në mos më e fuqishmja fare, që gjejmë në Besëlidhjen e Vjetër për dashurinë e Perëndisë.»

6. Ç’pikëpamje kanë pasur për dhembshurinë e butë shumë njerëz të papërsosur, por, për çfarë na siguron Jehovai?

 6 A është shenjë dobësie dhembshuria e butë? Shumë njerëz të papërsosur e kanë pasur këtë pikëpamje. Për shembull, filozofi romak Seneka, bashkëkohës i Jezuit dhe figurë e shquar intelektuale në Romë, mësonte se «keqardhja është dobësi e mendjes». Seneka ishte përkrahës i stoicizmit, një filozofi që e vë theksin te qetësia e arritur pa pasur ndjenja. Seneka thoshte se një njeri i mençur mund t’i ndihmojë ata që janë në gjendje të vështirë, por nuk duhet t’ia lejojë vetes të ndiejë keqardhje, sepse kjo ndjenjë do t’i hiqte qetësinë. Kjo pikëpamje egocentrike për jetën nuk linte vend për dhembshurinë që vjen nga zemra. Gjithsesi, Jehovai s’është aspak kështu! Në Fjalën e tij, Jehovai na siguron se është «shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm [fjalë për fjalë, i dhembshur]». (Jakovit 5:11) Siç do ta shohim, dhembshuria nuk është dobësi, por një cilësi që tregon forcë dhe energji. Le të shqyrtojmë se si e shfaq këtë cilësi Jehovai, si një prind i dashur.

Jehovai i tregoi dhembshuri një kombi

7, 8. Si vuanin izraelitët në Egjiptin e lashtë, dhe si reagoi Jehovai ndaj vuajtjeve të tyre?

7 Dhembshuria e Jehovait shihet qartë në mënyrën si veproi me kombin e Izraelit. Në fund të shekullit të 16-të p.e.s., miliona izraelitë ishin skllevër në Egjiptin e lashtë, ku i shtypnin rëndë. Egjiptianët «ua bënin të hidhur jetën me një skllavëri të rëndë, në llaç argjile, në tulla». (Dalja 1:11, 14) Ashtu në mjerim siç ishin, izraelitët i thirrën Jehovait për ndihmë. Si u përgjigj Perëndia i dhembshurisë së butë?

8 Zemra e Jehovait u prek. Ai tha: «Pa diskutim që e kam parë mundimin e popullit tim që është në Egjipt dhe e kam  dëgjuar klithmën e tyre, për shkak të atyre që i shtrëngojnë të punojnë; sepse i di dhembjet që heqin.» (Dalja 3:7) Jehovait s’mund të mos i dhimbsej populli i tij kur shihte vuajtjet që po hiqnin ose kur dëgjonte klithmat e tyre. Siç e pamë në kapitullin 24 të këtij libri, Jehovai është Perëndi me empati. Empatia, domethënë aftësia për të ndier dhembjen e tjetrit, lidhet ngushtë me dhembshurinë. Por Jehovai nuk u mjaftua vetëm duke ndier dhembshuri për popullin e tij, por u nxit që të vepronte në dobi të tyre. Tek Isaia 63:9 thuhet: «Në dashurinë dhe dhembshurinë e tij ai vetë i ribleu.» Me një «dorë të fortë», Jehovai i çliroi izraelitët nga Egjipti. (Ligji i përtërirë 4:34) Pas kësaj, u dha ushqim me anë të një mrekullie dhe i çoi në një tokë të frytshme që do të ishte e tyrja.

9, 10. (a) Pse Jehovai i çliroi sa e sa herë izraelitët pasi u vendosën në Tokën e Premtuar? (b) Nga cila shtypje i çliroi Jehovai izraelitët në ditët e Jefteut, dhe çfarë e shtyu ta bënte këtë?

9 Por dhembshuria e Jehovait nuk mbaroi me kaq. Kur u vendosën në Tokën e Premtuar, izraelitët vazhdimisht ranë në jobesnikëri dhe vuajtën për shkak të kësaj. Megjithatë, më vonë ata vinin në vete dhe i klithnin Jehovait, i cili i çliroi sa e sa herë. Përse? «Sepse ai ndjeu dhembshuri për popullin e tij.»2 Kronikave 36:15; Gjykatësve 2:11-16.

10 Shqyrto çfarë ndodhi në ditët e Jefteut. Meqë izraelitët kishin nisur t’u shërbenin perëndive të rreme, Jehovai lejoi që amonitët t’i shtypnin ata për 18 vjet. Së fundi, izraelitët u penduan. Bibla na thotë: «Ata zunë të hiqnin perënditë e huaja dhe t’i shërbenin Jehovait, të cilit iu lodh shpirti për shkak të telashit në të cilin gjendej Izraeli.» * (Gjykatësve 10:6-16) Tani që populli i tij kishte shfaqur pendim të sinqertë, Jehovai  nuk duronte dot më t’i shihte të vuanin. Prandaj Perëndia i dhembshurisë së butë i dha fuqi Jefteut që t’i çlironte izraelitët nga dora e armiqve të tyre.Gjykatësve 11:30-33.

11. Çfarë mësojmë për dhembshurinë nga mënyra se si i trajtoi Jehovai izraelitët?

11 Çfarë na mësojnë marrëdhëniet e Jehovait me kombin e Izraelit për dhembshurinë e butë? Pikësëpari, shohim se kjo cilësi nuk do të thotë vetëm të të vijë keq për vështirësitë që po kalojnë njerëzit. Kujto shembullin e një nëne që dhembshuria e shtyn të veprojë menjëherë kur dëgjon të qarat e foshnjës së saj. Po kështu, Jehovai nuk e bën veshin të shurdhër ndaj klithmave të popullit të tij. Dhembshuria e butë e shtyn që t’ua lehtësojë atyre dhembjen. Veç kësaj, mënyra se si veproi Jehovai me izraelitët na mëson se dhembshuria nuk është aspak dobësi, sepse kjo cilësi e butë e shtyu të ndërmerrte veprime të fuqishme e të vendosura në dobi të popullit të tij. Por, a u tregon Jehovai dhembshuri shërbëtorëve të tij vetëm si grup?

Jehovai ka dhembshuri për individët

12. Si e pasqyronte Ligji dhembshurinë e butë të Jehovait për individët?

12 Ligji që i dha Perëndia kombit të Izraelit tregonte dhembshurinë e tij për individët. Të marrim për shembull, interesimin e tij për të varfërit. Jehovai e dinte se mund të lindnin rrethana të paparashikuara që mund ta plandosnin në varfëri një izraelit. Si duheshin trajtuar njerëzit e varfër? Jehovai i urdhëroi rreptësisht izraelitët: «Nuk duhet ta ngurtësosh zemrën a të jesh dorështrënguar me vëllanë tënd të varfër. Duhet t’i japësh patjetër dhe zemra jote të mos jetë koprrace për t’i dhënë, sepse për këtë gjë Jehovai, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo vepër që do të bësh.» (Ligji i përtërirë 15:7, 10) Më tej, Jehovai i urdhëroi izraelitët që të mos i korrnin plotësisht arat deri në cepa e të mos i mblidhnin kallinjtë që kishin mbetur pas. Këto liheshin për ata që ishin  në gjendje të keqe. (Levitiku 23:22; Rutha 2:2-7) Kur kombi e zbatonte këtë ligj të dhembshur për dobinë e të varfërve që kishin në mesin e tyre, individët nevojtarë në Izrael s’kishin nevojë të lypnin për ushqim. A s’ishte ky një pasqyrim i dhembshurisë së butë të Jehovait?

13, 14. (a) Si na sigurojnë fjalët e Davidit se Jehovai interesohet thellësisht për ne si individë? (b) Si mund të ilustrohet se Jehovai është pranë atyre që e kanë «zemrën të thyer» ose «frymën të dërrmuar»?

13 Edhe sot Perëndia ynë i dashur interesohet thellësisht për ne si individë. Mund të jemi të sigurt se ai është plotësisht i vetëdijshëm për vuajtjet që mund të kalojmë. Psalmisti David shkroi: «Sytë e Jehovait janë ndaj të drejtëve dhe veshët e tij janë ndaj britmës së tyre për ndihmë. Jehovai është pranë atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:15, 18) Për njerëzit që përshkruhen me këto fjalë, një komentues i Biblës thotë: «Ata e kanë zemrën të thyer dhe shpirtin të vrarë, domethënë, të përulur për shkak të mëkatit, mendojnë se s’vlejnë asgjë; s’kanë besim te vetja dhe nuk shohin asgjë të mirë brenda vetes.» Këta njerëz mund të mendojnë se Jehovai është shumë larg dhe se janë fare të papërfillshëm që ai të interesohet për ta. Por nuk është kështu. Fjalët e Davidit na sigurojnë se Jehovai nuk i braktis ata që «s’kanë besim te vetja». Perëndia ynë i dhembshur e di se në periudha të tilla kemi nevojë për të më shumë se kurrë, dhe na qëndron pranë.

14 Shqyrto një përvojë. Në Shtetet e Bashkuara, një nënë e çoi me nxitim djalin e saj dyvjeçar në spital, sepse kishte kriza për shkak të bllokimit të kanalit të frymëmarrjes. Pasi e vizituan djalin, mjekët i thanë nënës se do ta mbanin fëmijën në spital atë natë. Ku e kaloi natën ajo nënë? Në spital, e ulur në një karrige afër shtratit të djalit të saj të vogël, pasi ishte sëmurë dhe ajo duhej t’i qëndronte pranë. Sigurisht që mund të presim edhe më shumë nga Ati ynë i dashur qiellor! Në fund të fundit, jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së  tij. (Zanafilla 1:26) Fjalët prekëse të Psalmit 34:18 na tregojnë se kur e kemi «zemrën të thyer» ose «frymën të dërrmuar», si një prind i dashur Jehovai «është pranë» nesh, gjithnjë i dhembshur dhe gati për të ndihmuar.

15. Në ç’mënyra na ndihmon Jehovai si individë?

15 Atëherë, si na ndihmon Jehovai individualisht? Nuk është se automatikisht na e heq shkakun e vuajtjeve. Por Jehovai ka marrë masa të shumta për ata që i thërrasin për ndihmë. Fjala e tij, Bibla, na jep këshilla praktike që vërtet hyjnë në punë. Në kongregacion Jehovai siguron mbikëqyrës të kualifikuar frymësisht, të cilët përpiqen të pasqyrojnë dhembshurinë e tij në ndihmën që u japin bashkadhuruesve. (Jakovit 5:14, 15) Duke qenë «Dëgjues i lutjes», ai u jep «frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Psalmi 65:2; Luka 11:13) Kjo frymë mund të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ për të qëndruar derisa Mbretëria e Perëndisë t’i heqë të gjitha problemet stresuese. (2 Korintasve 4:7) A nuk jemi mirënjohës për të gjitha këto masa? Le të mos e harrojmë se ato janë shprehje të dhembshurisë së butë të Jehovait.

16. Cili është shembulli më i madh i dhembshurisë së Jehovait, dhe si ndikon te secili prej nesh individualisht?

16 Natyrisht që shembullin më të madh të dhembshurisë Jehovai e la duke dhënë Atë që e kishte më të shtrenjtë si shpërblesë për ne. Ishte një sakrificë që Jehovai e bëri me dashuri, duke na hapur rrugën për të shpëtuar. Mos harro se shpërblesa zbatohet për secilin prej nesh si individë. Me arsye të vlefshme Zakaria, babai i Gjon Pagëzorit, paratha se kjo masë madhëronte ‘dhembshurinë e butë të Perëndisë tonë’.Luka 1:78.

Rastet kur Jehovai nuk tregon dhembshuri

17-19. (a) Si e tregon Bibla që dhembshuria e Jehovait e ka një kufi? (b) Çfarë bëri që dhembshuria e Jehovait për popullin e tij të arrinte kufirin?

17 A duhet të mendojmë se dhembshuria e butë e Jehovait  është pa kufi? Përkundrazi, Bibla tregon qartë se me të drejtë Jehovai nuk tregon dhembshuri në rastin e individëve që u kundërvihen udhëve të tij të drejta. (Hebrenjve 10:28) Për të kuptuar pse e bën këtë, sill ndër mend shembullin e kombit të Izraelit.

18 Ndonëse Jehovai i çliroi herë pas here izraelitët nga armiqtë e tyre, së fundi dhembshuria e tij arriti kufirin. Ky popull kokëfortë praktikonte idhujtarinë, duke i sjellë madje idhujt e vet të neveritshëm pikërisht brenda tempullit të Jehovait! (Ezekieli 5:11; 8:17, 18) Gjithashtu na thuhet: «Ata talleshin vazhdimisht me lajmëtarët e Perëndisë së vërtetë, përbuznin fjalët e tij dhe ia vinin në lojë profetët, deri kur tërbimi i Jehovait erdhi kundër popullit të tij, derisa nuk kishte shërim.» (2 Kronikave 36:16) Izraelitët arritën në një pikë ku nuk kishte më asnjë bazë të vlefshme për të treguar dhembshuri dhe provokuan zemërimin e drejtë të Jehovait. Cila ishte pasoja?

19 Jehovai nuk mund të ndiente më dhembshuri për popullin e tij. Ai shpalli: «Nuk do të tregoj dhembshuri, as nuk do të ndiej ndonjë keqardhje dhe nuk do të kem mëshirën për të mos i shkatërruar ata.» (Jeremia 13:14) Kështu, Jerusalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan dhe izraelitët u morën robër në Babiloni. Sa tragjike është kur njerëzit mëkatarë rebelohen kaq shumë, saqë i kapërcejnë kufijtë e dhembshurisë së Perëndisë!Vajtimet 2:21.

20, 21. (a) Çfarë do të ndodhë në ditët tona kur dhembshuria hyjnore të arrijë kufirin? (b) Për cilën masë të dhembshur të Jehovait do të flasim në kapitullin vijues?

20 Ç’të themi për sot? Jehovai nuk ka ndryshuar. I shtyrë nga dhembshuria, ai i ka caktuar Dëshmitarët e tij që ta predikojnë ‘lajmin e mirë të mbretërisë’ në gjithë tokën e banuar. (Mateu 24:14) Kur njerëzit me zemër të drejtë reagojnë  mirë, Jehovai i ndihmon të kuptojnë mesazhin e Mbretërisë. (Veprat 16:14) Por kjo vepër nuk do të vazhdojë përgjithmonë. Nuk do të ishte e dhembshur nga ana e Jehovait ta lejonte këtë botë të ligë, me gjithë mjerimet dhe vuajtjet e saj, të vazhdonte pambarimisht. Kur dhembshuria hyjnore të arrijë kufirin, Jehovai do të vijë për të ekzekutuar gjykimin mbi këtë sistem. Edhe atëherë do të veprojë nga dhembshuria, kësaj radhe nga dhembshuria për ‘emrin e tij të shenjtë’ dhe për shërbëtorët e tij të përkushtuar. (Ezekieli 36:20-23) Jehovai do të zhdukë ligësinë dhe do të sjellë një botë të re të drejtë. Për sa u përket të ligjve, Jehovai thotë: «Syrit tim nuk do t’i vijë keq dhe nuk do të tregoj dhembshuri. Do të bëj që t’u bjerë mbi kokë udha e tyre.»Ezekieli 9:10.

21 Derisa të vijë ajo kohë, Jehovai vazhdon të ndiejë dhembshuri për njerëzit, madje edhe për ata që i pret shkatërrimi. Njerëzit mëkatarë që janë penduar sinqerisht mund të nxjerrin dobi nga njëra prej masave më të dhembshura të Perëndisë, nga falja. Në kapitullin vijues do të trajtojmë disa nga ilustrimet e bukura që përdoren në Bibël, të cilat përcjellin idenë se sa e plotë është falja e Jehovait.

^ par. 3 Gjithsesi, është interesante se te Psalmi 103:13 folja hebraike rakam ka lidhje me mëshirën ose dhembshurinë që tregon një baba për fëmijët e tij.

^ par. 10 Shprehja «iu lodh shpirti» fjalë për fjalë do të thotë «shpirti i tij u shkurtua; iu sos durimi». Në versionin The New English Bible lexojmë: «Ai nuk duronte dot më të shihte gjendjen e mjeruar të Izraelit.» Tanakh—A New Translation of the Holy Scriptures e përkthen kështu: «Ai nuk mund t’i duronte vuajtjet e Izraelit.»