1-3. (a) Çfarë mund të mësojmë për natyrën njerëzore duke vënë re lidhjen ndërmjet prindërve dhe foshnjës së tyre? (b) Cili proces ndodh natyrshëm kur dikush na tregon dashuri dhe cilën pyetje të rëndësishme mund t’i bëjmë vetes?

PRINDËRIT lumturohen kur shohin buzëqeshjen e foshnjës që sapo u ka lindur. Shpesh ata e afrojnë fytyrën te fytyra e foshnjës, duke imituar gugatjen e fëmijës e duke i qeshur gjithë kënaqësi. Mezi presin të shohin reagimin. S’kalon shumë dhe foshnja përgjigjet: faqet i formojnë gropëza, buzët harkohen dhe ja, një buzëqeshje e këndshme! Në mënyrën e vet të veçantë, ajo buzëqeshje duket se shpreh përzemërsi, fillimin e dashurisë që ndien foshnja në këmbim të dashurisë së prindërve.

2 Buzëqeshja e një foshnje na kujton diçka të rëndësishme për natyrën njerëzore. Për ne është e natyrshme që t’i përgjigjemi dashurisë me dashuri. Thjesht kjo është mënyra se si jemi bërë. (Psalmi 22:9) Ndërsa rritemi, edhe aftësia jonë për t’iu përgjigjur dashurisë përsoset. Ndoshta të kujtohet kur ishe fëmijë se si të tregonin dashuri prindërit, të afërmit ose shokët. Ty të lindte në zemër një ndjenjë e përzemërt, e cila rritej dhe shprehej me veprime. Kështu, edhe ti u tregoje dashuri. A po ndodh një proces i ngjashëm edhe në marrëdhënien që ke me Perëndinë Jehova?

3 Bibla thotë: «Nga ana jonë, ne kemi dashuri, sepse ai na deshi i pari.» (1 Gjonit 4:19) Pjesa 1 deri në pjesën 3 të këtij libri na kujtuan se Perëndia Jehova e ka përdorur me dashuri dhe në dobinë tonë fuqinë, drejtësinë dhe mençurinë e tij. Kurse në pjesën 4 shqyrtuam se si e ka shprehur ai drejtpërdrejt dashurinë e tij për njerëzimin, e për secilin prej nesh si individ, në mënyra të jashtëzakonshme. Tani lind një pyetje. Në njëfarë  kuptimi, është pyetja më e rëndësishme që secili mund t’i bëjë vetes: ‘Si do t’i përgjigjem dashurisë së Jehovait?’

Çfarë do të thotë të duam Perëndinë?

4. Në ç’kuptim njerëzit janë të pështjelluar e nuk dinë ç’do të thotë të duash Perëndinë?

4 Jehovai, Burimi i dashurisë, e di mirë se dashuria ka një fuqi të jashtëzakonshme t’i bëjë të tjerët të shfaqin cilësitë e tyre më të mira. Prandaj, pavarësisht nga rebelimi i vazhdueshëm i njerëzimit jobesnik, ai ka qenë gjithnjë i sigurt se disa njerëz do t’i përgjigjeshin dashurisë së tij. E në të vërtetë miliona i janë përgjigjur. Por, mjerisht, fetë e kësaj bote të korruptuar i kanë lënë njerëzit të pështjelluar, duke mos ditur ç’do të thotë të duash Perëndinë. Shumë e shumë njerëz thonë se e duan Perëndinë, por, me sa duket, mendojnë se kjo dashuri është vetëm një ndjenjë që shprehet me fjalë. Dashuria për Perëndinë ndoshta mund të fillojë në këtë mënyrë, ashtu si dashuria e foshnjës për prindërit fillimisht tregohet me një buzëqeshje. Gjithsesi, te njerëzit e pjekur dashuria përfshin më shumë.

5. Si e përkufizon Bibla dashurinë që duhet të kemi për Perëndinë dhe pse ky përkufizim duhet të na tërheqë?

5 Jehovai e përkufizon se çfarë do të thotë ta duam atë. Në Fjalën e tij thuhet: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» Pra, dashuria për Perëndinë duhet shprehur me veprime. Kuptohet, për shumë veta ideja që duhet të binden nuk është e pëlqyeshme. Por, me dashamirësi i njëjti varg vazhdon: «Dhe megjithatë urdhërimet e [Perëndisë] nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Ligjet dhe parimet e Jehovait janë bërë që të na sjellin dobi, jo që të na shtypin. (Isaia 48:17, 18) Fjala e Perëndisë është plot me parime që na ndihmojnë t’i afrohemi më shumë atij. Si? Le të rishikojmë tri aspekte të marrëdhënies sonë me Perëndinë: të komunikojmë me të, ta adhurojmë dhe ta imitojmë.

 Të komunikojmë me Jehovain

6-8. (a) Me anë të cilit mjet mund ta dëgjojmë Jehovain? (b) Si mund t’i bëjmë të gjalla Shkrimet kur i lexojmë?

6 Kapitulli 1 fillonte me pyetjen: «A e përfytyron dot të bësh një bisedë me Perëndinë?» E pamë se kjo ide nuk është joreale. Moisiu, për shembull, pati një bisedë të tillë. Po ne? Tani nuk është koha që Jehovai të dërgojë engjëjt e tij për të biseduar me njerëzit, por ai ka mjete të shkëlqyera për të komunikuar me ne sot. Si mund ta dëgjojmë Jehovain?

7 Meqenëse «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia», e dëgjojmë Jehovain duke lexuar Fjalën e tij, Biblën. (2 Timoteut 3:16) Kështu, psalmisti i nxiti shërbëtorët e Jehovait që të lexojnë «ditë e natë». (Psalmi 1:1, 2) Kjo kërkon mjaft përpjekje nga ana jonë. Por që të gjitha përpjekjet e këtij lloji ia vlejnë. Siç e pamë në kapitullin 18, Bibla është si një letër e shtrenjtë që na e ka dërguar Ati ynë qiellor. Prandaj leximi i saj nuk duhet të jetë një angari. Duhet t’i bëjmë të gjalla Shkrimet kur i lexojmë. Si mund ta bëjmë këtë?

8 Përfytyroji tregimet biblike ndërsa i lexon. Përpiqu t’i shohësh personazhet e Biblës si njerëz realë. Mundohu të kuptosh formimin e tyre, rrethanat dhe motivet që kishin. Pastaj, mendo thellë për atë që po lexon, duke i bërë vetes pyetje të tilla, si: ‘Çfarë më mëson për Jehovain ky tregim? Cilën cilësi të tij shoh këtu? Cilin parim dëshiron Jehovai që të mësoj dhe si mund ta zbatoj atë në jetën time?’ Lexo, medito, pastaj vëre në praktikë dhe, ndërsa bën këtë, Fjala e Perëndisë do të të bëhet e gjallë.Psalmi 77:12; Jakovit 1:23-25.

9. Kush është «skllavi i besueshëm dhe i matur», e përse është e rëndësishme që ta dëgjojmë me vëmendje këtë ‘skllav’?

9 Jehovai na flet edhe nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. Siç e paratha Jezui, një grup i vogël burrash të krishterë të mirosur është caktuar që të sigurojë ‘ushqim frymor në kohën e duhur’ gjatë këtyre ditëve të fundit të trazuara. (Mateu 24:45-47) Kur lexojmë literaturën që është përgatitur për të na ndihmuar që të marrim njohuri të saktë për Biblën  dhe kur ndjekim mbledhjet, asambletë e kongreset e krishtere, po ushqehemi frymësisht nga ky skllav. Duke qenë se është skllavi i Krishtit, tregohemi të mençur kur zbatojmë fjalët e Jezuit: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.» (Luka 8:18) Dëgjojmë me vëmendje sepse e pranojmë skllavin e besueshëm si një nga mjetet që Jehovai përdor për të komunikuar me ne.

10-12. (a) Pse lutja është një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai? (b) Si mund të lutemi në një mënyrë që i pëlqen Jehovait dhe pse mund të jemi të sigurt se ai i vlerëson lutjet tona?

10 Po për sa i përket komunikimit tonë me Perëndinë? A mund të flasim ne me Jehovain? Si mendim të bën të drithërohesh. Çfarë mundësish do të kishe po të përpiqeshe t’i afroheshe sundimtarit më të fuqishëm në vendin tënd për t’i folur për ndonjë shqetësim që ke ti vetë? Në disa raste edhe vetëm orvatja për ta bërë këtë mund të jetë e rrezikshme. Në kohën e Esterës dhe të Mordekait, një njeri mund të vritej për faktin që i ishte afruar monarkut pers pa qenë i ftuar nga vetë ai. (Estera 4:10, 11) Tani mendo të dalësh përpara Zotërisë Sovran të universit, në krahasim me të cilin edhe njerëzit më të fuqishëm «janë si karkaleca». (Isaia 40:22) A duhet të ndihemi tepër të frikësuar për t’iu afruar atij? Aspak!

11 Për t’iu afruar, Jehovai na ka siguruar një mjet që është në dispozicion të kujtdo, e megjithatë i thjeshtë. Ky mjet është lutja. Edhe fëmijët e vegjël fare mund t’i luten Jehovait me besim, duke e bërë këtë në emër të Jezuit. (Gjoni 14:6; Hebrenjve 11:6) Gjithsesi, lutja na jep mundësi edhe të përcjellim mendimet e ndjenjat tona më të ndërlikuara e të brendshme, madje edhe ato të dhembshmet, të cilat e kemi të vështirë t’i shprehim me fjalë. (Romakëve 8:26) Është e kotë të përpiqemi t’i bëjmë përshtypje Jehovait duke përdorur fjalë të mëdha e të zbukuruara ose lutje të gjata e plot fjalë. (Mateu 6:7, 8) Nga ana tjetër, Jehovai nuk vendos ndonjë kufi se sa gjatë mund t’i flasim ose sa shpesh. Madje Fjala e tij na fton që ‘të lutemi pa pushim’.1 Selanikasve 5:17.

 12 Mos harro se vetëm Jehovai quhet «Dëgjues i lutjes» dhe se ai dëgjon me empati të vërtetë. (Psalmi 65:2) Ndoshta Jehovai vetëm sa i toleron lutjet e shërbëtorëve të tij besimplotë? Jo, e vërteta është që ai gjen kënaqësi në këto lutje. Fjala e tij i krahason ato me temjanin, i cili kur digjet bën të ngjitet lart një tym që ka aromë të ëmbël e paqtuese. (Psalmi 141:2; Zbulesa 5:8; 8:4) A nuk është ngushëlluese të mendojmë se edhe lutjet tona të sinqerta ngjiten lart dhe kënaqin Zotërinë Sovran? Prandaj, nëse dëshiron t’i afrohesh Jehovait, me përulësi lutju atij shpesh, çdo ditë. Zbrazja zemrën atij, mos i mbaj asgjë. (Psalmi 62:8) Thuaja Atit tënd qiellor shqetësimet e tua, gëzimet që ndien, falënderimet e tua dhe lavdërimet. Si pasojë e kësaj, lidhja ndërmjet teje dhe atij do të bëhet gjithnjë e më e fortë.

Të adhurojmë Jehovain

13, 14. Çfarë do të thotë të adhurojmë Jehovain dhe pse është e përshtatshme që ta bëjmë këtë?

13 Kur komunikojmë me Perëndinë Jehova, s’është se po dëgjojmë e po flasim siç mund të bëjmë me një mik ose me një të afërm. Në realitet jemi duke e adhuruar Jehovain, duke i dhënë atij nderim të thellë, të cilin e meriton kaq shumë. Adhurimi i vërtetë është e gjithë jeta jonë. Ky adhurim është mënyra me të cilën i shprehim Jehovait dashurinë dhe përkushtimin tonë me gjithë shpirt, si dhe ajo që i bashkon të gjitha krijesat besimplote të Jehovait, qofshin në qiell a në tokë. Në një vegim, apostulli Gjon dëgjoi një engjëll që shpallte këtë urdhërim: «Adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave.»Zbulesa 14:7.

14 Pse duhet ta adhurojmë Jehovain? Mendo për cilësitë që kemi shqyrtuar deri tani, si për shembull: shenjtëria, fuqia, vetëpërmbajtja, drejtësia, guximi, mëshira, mençuria, përulësia, dashuria, dhembshuria, besnikëria dhe mirësia. Kemi parë se Jehovai paraqet pikërisht kulmin ose standardin më të lartë për secilën cilësi të çmuar. Kur përpiqemi të kuptojmë në tërësi gjithë cilësitë e tij, e dallojmë se ai është shumë më  tepër se një Person madhështor e i admirueshëm. Mbetemi pa fjalë kur mendojmë për lavdinë e tij. Sa e sa më lart se ne qëndron ai. (Isaia 55:9) Pa dyshim Jehovai është Sovrani ynë legjitim, e sigurisht që e meriton adhurimin tonë. Por, si duhet ta adhurojmë Jehovain?

15. Si mund ta adhurojmë Jehovain «me frymë dhe të vërtetë», e çfarë mundësie na japin mbledhjet e krishtere?

15 Jezui tha: «Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Kjo do të thotë ta adhurojmë Jehovain me një zemër që është plot besim e dashuri, e udhëhequr nga fryma e tij. Do të thotë gjithashtu ta adhurojmë në përputhje me të vërtetën, me njohurinë e saktë që gjendet në Fjalën e Perëndisë. Kemi një mundësi të shkëlqyer për të adhuruar Jehovain «me frymë dhe të vërtetë» sa herë që mblidhemi me bashkadhuruesit. (Hebrenjve 10:24, 25) Kur i këndojmë lavdi Jehovait, kur  bashkohemi të gjithë në lutje drejtuar atij dhe kur dëgjojmë e marrim pjesë në shqyrtimin e Fjalës së tij, po e shprehim dashurinë për të me adhurimin e pastër.

Mbledhjet e krishtere janë raste të shkëlqyera për të adhuruar Jehovain

16. Cili është një nga urdhërimet më të mëdha që u janë ngarkuar të krishterëve të vërtetë, dhe pse motivohemi që t’i bindemi atij?

16 E adhurojmë Jehovain edhe kur u flasim të tjerëve për të, duke e lavdëruar atë para të gjithëve. (Hebrenjve 13:15) Në të vërtetë, predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë së Jehovait është një nga urdhërimet më të mëdha që u janë ngarkuar të krishterëve të vërtetë. (Mateu 24:14) Bindemi me gatishmëri, sepse e duam Jehovain. Kur mendojmë se si «perëndia i këtij sistemi», pra Satana Djalli, «ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve», duke përhapur gënjeshtra shpifëse për Jehovain, a nuk digjemi nga dëshira për të shërbyer si Dëshmitarë të Perëndisë tonë, që ta përgënjeshtrojmë këtë shpifje? (2 Korintasve 4:4; Isaia 43:10-12) E kur mendojmë për cilësitë e mrekullueshme të Jehovait, a nuk ndiejmë të lindë brenda nesh dëshira për t’u treguar të tjerëve për të? Në të vërtetë nuk mund të ketë privilegj më të madh sesa të ndihmojmë të tjerët që të njohin e të duan Atin tonë qiellor, ashtu siç bëjmë ne.

17. Çfarë përfshin adhurimi që i bëjmë Jehovait, dhe pse duhet ta adhurojmë me besnikëri atë?

17 Adhurimi që i bëjmë Jehovait shkon edhe më thellë. Ai përfshin çdo fushë të jetës sonë. (Kolosianëve 3:23) Në qoftë se e pranojmë vërtet Jehovain si Zotërinë tonë Sovran, atëherë do të përpiqemi të bëjmë vullnetin e tij në çdo gjë: në jetën tonë familjare, në punë, në marrëdhëniet me të tjerët e në kohën e lirë. Do të përpiqemi t’i shërbejmë Jehovait «me gjithë zemër», me besnikëri. (1 Kronikave 28:9) Ky adhurim nuk lë vend për një zemër të përçarë ose për një jetë të dyfishtë: të hiqemi sikur i shërbejmë Jehovait, ndërkohë që në fshehtësi vazhdojmë të kryejmë mëkate të rënda. Besnikëria e bën të pamundur një gjë të tillë, kurse dashuria e bën të neveritshme. Edhe frika hyjnore do të na ndihmojë, sepse sipas Biblës, që të vazhdojmë të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain duhet të kemi nderim të thellë për të.Psalmi 25:14.

 Të imitojmë Jehovain

18, 19. Pse është realiste të mendojmë se njerëzit e papërsosur mund ta imitojnë Perëndinë Jehova?

18 Secila pjesë e këtij libri është mbyllur me një kapitull se si ‘të bëhemi imitues të Perëndisë, si bij të dashur’. (Efesianëve 5:1) Është jetësore të mos harrojmë se sado të papërsosur që jemi, mund ta imitojmë vërtet mënyrën e përsosur si e përdor Jehovai fuqinë, si e zbaton drejtësinë, si vepron me mençuri dhe si tregon dashuri. Si e dimë që është vërtet e mundur ta imitojmë të Plotfuqishmin? Mbaj në mend që domethënia e emrit të Jehovait na mëson se ai shkakton të bëhet çfarëdo gjëje që zgjedh, për të përmbushur qëllimet e tij. Me të drejtë mbetemi të mahnitur nga kjo aftësi, por a është e pamundur për ne ta imitojmë Jehovain në këtë drejtim? Jo.

19 Ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zanafilla 1:26) Kështu, ne njerëzit jemi ndryshe nga të gjitha krijesat e tjera në tokë. Nuk udhëhiqemi vetëm nga instinkti, nga gjenet ose nga faktorët e ndryshëm në mjedisin tonë. Jehovai na ka dhënë një dhuratë të çmuar: vullnetin e lirë. Pavarësisht nga kufizimet dhe nga papërsosmëritë që kemi, jemi të lirë të zgjedhim se çfarë do të bëhemi. A dëshiron të jesh një njeri i dashur, i mençur, i drejtë, i cili e përdor siç duhet fuqinë? Falë ndihmës së frymës së Jehovait, mund të bëhesh pikërisht një njeri i tillë! Mendo se sa të mira do të bëje si pasojë e kësaj.

20. Çfarë të mirash bëjmë kur imitojmë Jehovain?

20 Do ta kënaqësh Atin tënd qiellor, duke ia gëzuar zemrën. (Proverbat 27:11) Madje mund të arrish ‘t’i pëlqesh plotësisht’ Jehovait, sepse ai i kupton kufizimet e tua. (Kolosianëve 1:9, 10) E ndërsa vazhdon të zhvillosh cilësi të mira, duke imituar Atin tënd të dashur, do të bekohesh me një privilegj të madh. Në këtë botë të errët të larguar nga Perëndia, do të jesh mbajtës i dritës. (Mateu 5:1, 2, 14) Ti bashkë me të tjerët do të ndihmoni që njerëzit në mbarë tokën të shohin të pasqyruara te ju disa cilësi të personalitetit të lavdishëm të Jehovait. Çfarë nderi!

 ‘Afroju Perëndisë dhe ai do të të afrohet’

Afroju gjithnjë e më shumë Jehovait

21, 22. Cili udhëtim pa fund gjendet para gjithë atyre që e duan Jehovain?

21 Kjo ftesë e thjeshtë që e gjejmë te Jakovit 4:8 nuk është vetëm një pikësynim, por është një udhëtim. Për sa kohë të qëndrojmë besimplotë, ky udhëtim nuk do të mbarojë kurrë. Nuk do të pushojmë kurrë së afruari Jehovait. Në fund të fundit, do të ketë gjithnjë më shumë për të mësuar për të. Nuk duhet të mendojmë se me këtë libër kemi mësuar gjithçka që duhet të dimë për Jehovain. Vetëm sa kemi filluar të trajtojmë gjithë ato gjëra që thotë Bibla për Perëndinë tonë. E madje edhe vetë Bibla nuk na thotë gjithçka që duhet të dimë për Jehovain. Apostulli Gjon shprehu mendimin se, po të shkruheshin të gjitha gjërat që bëri Jezui gjatë shërbimit të tij tokësor, «as bota vetë nuk do të mund t’i mbante rrotullat e shkruara». (Gjoni 21:25) Nëse kjo gjë mund të thuhet për Birin, aq më tepër mund të thuhet për Atin!

22 Madje as jeta e përjetshme nuk do të na mjaftojë që t’i  shkojmë në fund asaj që duhet të mësojmë për Jehovain. (Eklisiastiu 3:11) Mendo, atëherë, për perspektivën që gjendet para nesh. Pasi të kemi jetuar qindra, mijëra, miliona e miliarda vjet, do të dimë për Perëndinë Jehova shumë më tepër nga sa dimë tani. Por ende do të ndiejmë se ka gjëra të mrekullueshme të panumërta për të mësuar. Do të jemi të etur për të mësuar më shumë, sepse do të kemi gjithnjë arsye për t’u ndier si psalmisti, i cili këndoi: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë.» (Psalmi 73:28) Jeta e përhershme do të jetë domethënëse dhe e larmishme në një masë që ne as mund ta marrim me mend. Pjesa më shpërblyese e kësaj jete do të jetë gjithmonë t’i afrohemi më shumë Jehovait.

23. Çfarë inkurajohet të bëjë secili prej nesh?

23 Të urojmë t’i përgjigjesh tani dashurisë së Jehovait, duke e dashur me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde. (Marku 12:29, 30) Dashuria jote le të jetë besnike dhe e patundur. Vendimet që merr çdo ditë, që nga më i vogli e deri te më i rëndësishmi, le të pasqyrojnë të njëjtin parim nga i cili drejtohesh: të zgjedhësh gjithnjë shtegun që të çon në një marrëdhënie më të ngushtë me Atin tënd qiellor. Mbi të gjitha, të urojmë t’i afrohesh gjithnjë e më shumë Jehovait dhe që ai të të afrohet gjithnjë e më shumë, për gjithë përjetësinë!