PSE KA RËNDËSI

Kur i del për zot vetes, e ke ti nën kontroll jetën tënde, në vend që ta kontrollojnë të tjerët.

ÇFARË DO TË BËJE TI?

Imagjino këtë situatë: ndërsa i afrohen dy shokë shkolle, Brajani ndien se po i mblidhet një lëmsh në stomak. Gjatë kësaj jave i kanë ofruar cigare dy herë. Kjo është hera e tretë.

Njëri prej tyre e pyet:

«Prapë vetëm ti? Atëherë po të prezantoj një shok.»

Kur thotë fjalën «shok», shkel syrin ndërsa nxjerr diçka nga xhepi dhe ia zgjat Brajanit.

Brajanit i shkojnë sytë te cigarja mes gishtave të shokut. Lëmshi në stomak i mblidhet edhe më shumë.

Brajani i përgjigjet: «Më vjen keq, po ta kam thënë tashmë se unë nuk . . . »

Ndërhyn shoku i dytë e i thotë: «Mos u bëj frikacak!»

Brajani merr kurajë e ia kthen: «Nuk jam frikacak!»

Shoku i dytë i hedh krahun Brajanit e i thotë ëmbël: «Hë tani, merre!»

Shoku i parë ia afron edhe më shumë cigaren drejt fytyrës dhe i pëshpërit: «Nuk do të tregojmë. S’ka për ta marrë vesh njeri.»

Nëse do të ishe Brajani, si do të përgjigjeshe?

 NDALU E MENDO

A e dinë mirë shokët e Brajanit se çfarë po bëjnë? A e kanë marrë vetë këtë vendim? Ka të ngjarë që jo. Edhe ata kanë rënë pre e ndikimit të të tjerëve. Duan që të tjerët t’i pranojnë, ndaj sillen siç ua diktojnë të tjerët.

Po të ishe në të njëjtën situatë, si mund të kishe vepruar që t’i rezistoje presionit të moshatarëve?

  1. PARASHIKO

    Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»Proverbat 22:3.

    Shpesh mund ta nuhasësh që më parë një problem. Për shembull, sheh disa shokë klase që po vijnë drejt teje me cigare në dorë. Nëse e parashikon problemin, do të jesh i përgatitur ta shmangësh ose ta përballosh.

  2. MENDO

    Bibla thotë: «Mbani një ndërgjegje të mirë.»1 Pjetrit 3:16.

    Pyet veten: «Si do të ndihem më pas nëse bëj si të tjerët?» Është e vërtetë se për pak kohë shokët do të të kenë me sy të mirë. Por, si do të ndihesh më vonë? A je gati të shkelësh mbi veten vetëm për t’u bërë qejfin shokëve të klasës?Dalja 23:2.

  3. VENDOS

    Bibla thotë: «Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»Proverbat 14:15.

    Herët a vonë të gjithë duhet të marrin vendime e të jetojmë me pasojat e tyre. Bibla flet për burra, si Jozefi, Jobi dhe Jezui, të cilët morën vendimet e duhura. Por flet edhe për Kainin, Esaun dhe Judën që morën vendime të gabuara. Po ti, çfarë do të bësh?

Bibla thotë: «Vepro me besnikëri.» (Psalmi 37:3) Nëse ke menduar për pasojat dhe e ke vendosur ç’do të bësh, mund të habitesh sa e lehtë dhe e dobishme është ta shprehësh qëndrimin tënd.

Mos ki merak, nuk të duhet t’u mbash leksion shokëve. Mjafton thjesht një JO e vendosur. Ose, që t’ua bësh të qartë se nuk do të ndryshosh mendje, mund të thuash:

  • «Mua mos më llogarit!»

  • «S’merrem me këto gjëra!»

  • «Akoma s’më ke njohur?!»

E rëndësishme është të përgjigjesh menjëherë e me bindje, dhe do të çuditesh sa shpejt do të tërhiqen.

 TË PËRBALLOSH TALLJET

Nëse i dorëzohesh presionit të moshatarëve, bëhesh si robot i komanduar prej tyre

Po sikur moshatarët të të tallin? Po sikur të të thonë: «Çfarë ke, s’ta mban, ë?!» Kjo lloj talljeje s’është veçse presion nga moshatarët, prandaj shihe si të tillë. Si të përgjigjesh? Ke të paktën dy mundësi.

  • Mund ta pranosh. (Mund të thuash: «Po, ashtu është, s’ma mban.» E pastaj të tregosh shkurtimisht arsyen.)

  • Edhe ti mund ta vësh nën presion. Trego arsyen pse nuk pranon dhe bëje t’i thërrasë mendjes. (Mund të thuash: «Të dija më të zgjuar!»)

Nëse shokët vazhdojnë të të tallin, largohu! Sa më shumë të rrish, aq më i fortë do të bëhet presioni. Duke u larguar, tregon se nuk po i lejon të tjerët të të ndryshojnë.

Kuptohet që s’i fshihesh dot presionit të shokëve. Por, ti mund të vendosësh çfarë do, të shprehësh qëndrimin tënd dhe të marrësh situatën në dorë. Pastaj, zgjedhja të përket ty.Josiu 24:15.