Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PYETJA 8

Ç’duhet të di për sulmet seksuale?

Ç’duhet të di për sulmet seksuale?

PSE KA RËNDËSI

Çdo vit miliona njerëz përdhunohen ose bëhen viktima të formave të tjera të abuzimit seksual, dhe shënjestra kryesore janë të rinjtë.

ÇFARË DO TË BËJE TI?

Ai që sulmoi Anetën, e hodhi përtokë aq shpejt sa ajo nuk po kuptonte ç’po ndodhte. «U përpoqa të mbrohesha me çdo mënyrë,—thotë ajo.—U përpoqa të bërtisja, por përveç ajrit, s’më doli asnjë tingull. E shtyva, e gjuajta me shkelma, me grushta dhe i ngula thonjtë. Dhe në atë moment ndjeva majën e thikës që m’u ngul në trup. U mpiva komplet.»

Si do të reagoje po të ishe në një situatë të ngjashme?

NDALU E MENDO

Edhe pse mund të përgatitesh, ndoshta duke treguar kujdes kur del natën, mund të ndodhin gjëra të pakëndshme. Bibla thotë: «Garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët, . . . as ata me njohuri nuk kanë hir, sepse të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.»Eklisiastiu 9:11.

Disa të rinj, si Aneta, sulmohen nga ndonjë i panjohur. Të tjerë sulmohen nga një fqinj ose madje nga një pjesëtar i familjes. Kështu i ndodhi Natalisë. Kur ishte vetëm 10 vjeçe, një adoleshent që jetonte afër shtëpisë së saj, abuzoi me të seksualisht. «Isha kaq e frikësuar dhe e turpëruar, sa në fillim nuk i tregova askujt»,—thotë ajo.

 NUK ËSHTË FAJI YT

Aneta lufton akoma me ndjenjat e fajit për atë që ndodhi. Ajo thotë: «S’më shqiten nga mendja skenat e asaj nate. Më duket sikur duhej të isha përpjekur më fort që ta largoja. Por, pasi më nguli thikën, u paralizova nga frika. S’mund të bëja asgjë më tepër, edhe pse mendoj se duhej të isha përpjekur më shumë.»

Edhe Natalia lufton me ndjenjat e fajit. «Nuk duhej të kisha aq shumë besim te njerëzit,—thotë ajo.—Prindërit na kishin vënë rregull që unë dhe motra të rrinim bashkë kur luanim jashtë, por nuk ua vura veshin. Prandaj mendoj se i krijova mundësi fqinjit që të më bënte keq. Ajo që ndodhi, ndikoi edhe te familja ime, ndaj ndihem fajtore që u shkaktova aq shumë dhembje. Kjo më vret më shumë.»

Nëse ndihesh si Aneta ose Natalia, gjithmonë përpiqu të mbash parasysh se nuk doje ti që të të përdhunonin. Disa e nënvlerësojnë këtë çështje me justifikimin se «djemtë janë djem» dhe se ato që përdhunohen, e kërkojnë vetë. Por, askush nuk meriton të përdhunohet. Nëse ke qenë viktimë e një akti të tillë të llahtarshëm, nuk është faji yt.

Sigurisht, është e lehtë të lexosh fjalët «nuk është faji yt», por t’i besosh, mund të jetë shumë më e vështirë. Disa e mbajnë përbrenda atë që u ka ndodhur dhe vuajnë nga faji e nga ndjenja të tjera negative. Megjithatë, kujt i leverdis më tepër heshtja jote, ty apo abuzuesit? Ti meriton të gjesh një zgjidhje tjetër.

TREGO ÇFARË NDODHI

Bibla na tregon se në kulmin e dëshpërimit, Jobi i drejtë tha: «Do të flas në vrerin e shpirtit tim.» (Jobi 10:1) Edhe ti do ta kesh më të lehtë po të veprosh si ai. Nëse flet me një njeri të besuar, do të arrish ta pranosh atë që ndodhi dhe të lehtësohesh nga brenga.

Ndjenjat mund të jenë një peshë tepër e rëndë për t’i mbajtur vetëm. Pse të mos kërkosh ndihmë e të flasësh me dikë?

Aneta kuptoi se kjo ishte më se e vërtetë. Ajo thotë: «Fola me një shoqe të ngushtë që më nxiti të flisja me dy pleq të krishterë në kongregacion. Jam e kënaqur që e bëra këtë. Ata u ulën e biseduan me mua disa herë dhe më thanë pikërisht ato fjalë që kisha nevojë të dëgjoja—se ajo që kishte ndodhur, nuk ishte për fajin tim. Nuk kisha faj për asgjë.»

Natalia foli me prindërit për abuzimin. «Ata më mbështetën,—thotë ajo.—Më nxitën të flisja dhe kjo më ndihmoi të mos ndihesha aq e dëshpëruar dhe e zemëruar përbrenda.»

Natalia gjeti ngushëllim edhe te lutja. «Lehtësohesha shumë kur flisja me Perëndinë,—shprehet ajo,—sidomos në rastet kur ndieja se nuk mund të hapesha me asnjë njeri. Kur lutem, mund të flas lirshëm. Lutja më jep paqe dhe qetësi të vërtetë.»

Edhe ti mund të provosh se ka ‘një kohë për t’u shëruar’. (Eklisiastiu 3:3) Kujdesu për veten fizikisht dhe emocionalisht. Pusho sa duhet. Dhe mbi të gjitha, mbështetu te Perëndia i çdo ngushëllimi, Jehovai.2 Korintasve 1:3, 4.

 NËSE JE AQ I RRITUR SA TË LIDHESH ME DIKË

Nëse je vajzë e të bëjnë presion që të përfshihesh në sjellje të papastër, nuk ka asgjë të keqe të thuash prerazi: «Mos guxo!» ose «Hiqi duart!» Mos ngurro nga frika se do të humbasësh të dashurin. Nëse ai të lë vetëm për këtë çështje, nuk ia vlen të vazhdosh me të. Ti meriton një burrë të vërtetë, një burrë që respekton trupin dhe parimet e tua.

PYETËSOR

«Në shkollë të mesme, çunat më tërhiqnin rripin e reçipetave dhe bënin komente të pista, si për shembull sa mirë do të ndihesha po të bëja seks me ta.»—Koreta.

Si thua, ata çuna po . . .

  1. talleshin me të?

  2. flirtonin me të?

  3. e ngacmonin seksualisht?

«Në autobus, një djalë më kapi fort nga krahu dhe nisi të më thoshte gjëra të turpshme. I gjuajta në dorë dhe i thashë të më hiqej sysh. Më pa sikur të isha e çmendur.»—Kandisa.

Si mendon, sjellja e tij është:

  1. tallje?

  2. flirtim?

  3. ngacmim seksual?

«Vitin e kaluar një djalë më thoshte orë e minutë se më kishte qejf dhe se donte të dilte me mua, sado që i thosha vazhdimisht jo. Nganjëherë më fërkonte krahun. I thosha të mos e bënte më, por nuk merrte vesh. Një herë kur po lidhja këpucën, më gjuajti në të pasme.»—Betania.

Sipas teje, ky djalë po . . .

  1. tallej me të?

  2. flirtonte me të?

  3. e ngacmonte seksualisht?

Përgjigjja e saktë për të tria pyetjet është alternativa C.

Ku ndryshon ngacmimi seksual nga flirtimi ose tallja?

Ngacmimi seksual është i njëanshëm. Vazhdon edhe kur i thua tjetrit të ndalet.

Ngacmimi seksual është diçka serioze. Mund të çojë edhe në dhunë seksuale.