Miqësia bazohet në dashurinë. Sa më shumë të mësosh rreth Jehovait, aq më e madhe bëhet dashuria jote për të. Ndërsa rritet dashuria për Perëndinë, rritet edhe dëshira për t’i shërbyer atij. Kjo gjë do të të nxitë që të bëhesh një dishepull i Jezu Krishtit. (Mateu 28:19) Duke u bërë pjesë e familjes së lumtur të Dëshmitarëve të Jehovait, mund të përjetosh përgjithmonë miqësinë e Perëndisë. Çfarë duhet të bësh?

Duhet ta tregosh dashurinë për Perëndinë duke iu bindur ligjeve të tij. «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»​—1 Gjonit 5:3.

Zbato atë që mëson. Jezui tregoi një histori që ilustron këtë gjë. Një njeri i mençur e ndërtoi shtëpinë mbi një shkëmb. Një njeri i pamend e ndërtoi shtëpinë mbi rërë. Kur erdhi një stuhi e madhe, shtëpia e ndërtuar mbi shkëmb nuk u shemb, ndërsa shtëpia e ndërtuar mbi rërë u rrëzua me një zhurmë të madhe. Jezui tha se ata që i dëgjojnë mësimet e tij dhe i zbatojnë ato, janë si njeriu i mençur që ndërtoi mbi shkëmb. Por ata që i dëgjojnë mësimet e tij dhe nuk i zbatojnë, janë si njeriu i pamend që ndërtoi mbi rërë. Cilit prej të dyve do të doje t’i ngjaje?​—Mateu 7:24-27.

 Dedikohu. Kjo do të thotë që t’i afrohesh në lutje Jehovait dhe t’i thuash se do që t’i shërbesh përgjithmonë. Duke bërë vullnetin e Perëndisë, tregon se je një dishepull i Jezu Krishtit.​—Mateu 11:29.

Pagëzohu. «Pagëzohu dhe lahu nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e tij.»​—Veprat 22:16.

Përfshihu plotësisht në shërbimin ndaj Perëndisë. «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.»​—Kolosianëve 3:23.