Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PJESA 16

Vjen Mesia

Vjen Mesia

Jehovai identifikon si Mesinë e shumëpritur Jezuin e Nazaretit

A DO t’i ndihmonte Jehovai njerëzit ta identifikonin Mesinë e premtuar? Po. Shqyrtoni çfarë bëri Perëndia. Rreth katër shekuj pasi ishin përfunduar Shkrimet Hebraike, në Nazaret, një qytet në rajonin verior të Galilesë, një e re me emrin Mari (e njohur edhe si Merjeme) pati një vizitë befasuese. Një engjëll me emrin Gabriel (Xhibril) iu shfaq dhe i tha se Perëndia do të përdorte forcën e tij vepruese, frymën e shenjtë, që ajo të lindte një bir, ndonëse ishte e virgjër. Ky bir do të bëhej Mbreti i premtuar kohë më parë, i cili do të sundonte përgjithmonë. Ky fëmijë do të ishte vetë Biri i Perëndisë, jetën e të cilit ai do ta transferonte nga qielli në barkun e Marisë.

Maria e pranoi me përulësi këtë caktim të privilegjuar. I fejuari i Marisë, një zdrukthëtar me emrin Jozef (Jusuf), u martua me të pasi Perëndia i dërgoi një engjëll që t’i shpjegonte shkakun e shtatzënisë së saj. Ç’të themi për profecinë se Mesia do të lindte në Betlehem? (Mikea 5:2) Ai qytet i vogël ishte rreth 140 kilometra larg.

Një sundimtar romak dekretoi që të bëhej regjistrimi i popullsisë. Njerëzve iu kërkua të regjistroheshin në qytetet e lindjes. Duket se edhe Jozefi, edhe Maria e kishin prejardhjen nga Betlehemi, prandaj Jozefi e çoi atje gruan e tij shtatzënë. (Luka 2:3) Maria e lindi foshnjën në një stallë dhe e vuri në një grazhd. Një grup barinjsh ndodhej në një kodër aty pranë, dhe Perëndia dërgoi një shumicë engjëjsh t’u thoshin se fëmija që sapo kishte lindur, ishte Mesia i premtuar ose Krishti.

Më vonë, edhe të tjerë do të dëshmonin se Jezui ishte Mesia i premtuar. Profeti Isaia kishte parathënë se do të dilte një njeri që do të përgatiste udhën për veprën jetësore të Mesisë. (Isaia 40:3) Ky pararendës ishte Gjon Pagëzori (Jahjai). Kur pa Jezuin, ai thirri: «Shihni, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!» Disa dishepuj të Gjonit menjëherë ndoqën Jezuin. Njëri prej tyre tha: «Kemi gjetur Mesinë.»—Gjoni 1:29, 36, 41.

Pati edhe dëshmi të tjera. Kur Gjoni pagëzoi Jezuin, vetë Jehovai foli nga qielli. Me anë të frymës së shenjtë ai e emëroi Jezuin si Mesia dhe tha: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mateu 3:16, 17) Mesia i premtuar kohë më parë, kishte ardhur!

Kur ndodhi kjo? Në vitin 29 të e.s., pikërisht kur mbaruan 483 vitet e parathëna nga Danieli. Edhe kjo është pjesë e provave të panumërta që tregojnë se Jezui është Mesia ose Krishti. Por, ç’mesazh do të shpallte ai gjatë kohës që do të ishte në tokë?

—Bazuar te Mateu, kapitujt 1 deri në 3; Marku, kapitulli 1; Luka, kapitulli 2; Gjoni, kapitulli 1.