Me anë të Mbretërisë me Mbret Krishtin, Jehovai shenjtëron emrin e Tij, shfajëson sovranitetin e Tij dhe zhduk çdo ligësi

LIBRI i fundit i Biblës, i quajtur Zbulesa ose Apokalipsi, i jep shpresë gjithë njerëzimit. Ky libër i dokumentuar nga apostulli Gjon përmban vegime që arrijnë kulmin me plotësimin e qëllimit të Jehovait.

Në vegimin e parë, Jezui i ringjallur lavdëron dhe ndreq disa kongregacione. Vegimi tjetër na çon para fronit qiellor të Perëndisë, ku krijesat qiellore i thurin lavde.

Ndërsa qëllimi i Perëndisë shkon drejt përmbushjes, Qengji, Jezu Krishti, merr një rrotull me shtatë vula. Me hapjen e katër rrotullave të para, në skenën botërore hyjnë disa kalorës simbolikë. I pari është Jezui në një kalë të bardhë e i kurorëzuar si Mbret. Pas tij vijnë kalorës në kuaj me ngjyra të ndryshme, që paraqitin në mënyrë profetike luftëra, zi buke dhe murtaja. Të gjitha këto ndodhin gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi. Kur hapet vula e shtatë bien shtatë trumbeta simbolike, që tregojnë shpallje të gjykimeve të Perëndisë. Këto sinjalizojnë shtatë plagë simbolike ose shprehje të zemërimit të Perëndisë.

Në qiell themelohet Mbretëria e Perëndisë, e paraqitur si një djalë i sapolindur. Shpërthen lufta dhe Satanai me engjëjt e tij të ligj hidhen në tokë. «Mjerë ti tokë»,—thotë një zë i fortë. Djalli ka zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër.—Zbulesa 12:12.

Gjoni sheh Jezuin në qiell, të paraqitur si një qengj, e bashkë me të janë 144.000 të zgjedhur nga mesi i njerëzimit. Këta «do të mbretërojnë me» Jezuin. Kështu Zbulesa tregon se pjesëtarët dytësorë të farës do të jenë gjithsej 144.000.—Zbulesa 14:1; 20:6.

Sundimtarët e tokës mblidhen në Harmagedon, që është ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’. Ata luftojnë kundër atij që rri mbi kalin e bardhë, domethënë Jezuit, i cili udhëheq ushtritë qiellore. Të gjithë sundimtarët e kësaj bote shkatërrohen. Satanai lidhet, dhe Jezui me të 144.000-t mbretërojnë mbi tokë «për një mijë vjet». Në fund të një mijë vjetëve, Satanai shkatërrohet.—Zbulesa 16:14; 20:4.

Ç’do t’u sjellë njerëzve të bindur Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit me bashkësundimtarët e tij? Gjoni shkruan: «[Jehovai] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:4) Toka bëhet parajsë!

Kështu, libri i Zbulesës plotëson mesazhin e Biblës. Me anë të Mbretërisë mesianike, emri i Jehovait shenjtërohet dhe sovraniteti i tij shfajësohet plotësisht, për gjithë përjetësinë.

Bazuar në librin e Zbulesës.