Pasardhësit e Abrahamit begatohen. Perëndia mbron Jozefin në Egjipt

JEHOVAI e dinte se një ditë Personi më i shtrenjtë për të, do të vuante e do të vdiste. Këtë e nënkuptonte profecia që gjejmë te Zanafilla 3:15. Si mund t’ia tregonte Perëndia njerëzimit sa do t’i kushtonte ajo vdekje? Bibla përmban një ilustrim të gjallë. Perëndia i kërkoi Abrahamit të flijonte birin e vet të dashur, Isakun.

Abrahami kishte shumë besim. Të mos harrojmë se Perëndia i kishte premtuar se nga Isaku do të vinte Çlirimtari ose Fara e parathënë. Me besim se Perëndia do ta ringjallte Isakun po të ishte nevoja, Abrahami u bind dhe gati e flijoi të birin. Por një engjëll i dërguar nga Perëndia e ndali tamam në kohë. Pasi e lavdëroi Abrahamin që ishte i gatshëm të ofronte çka kishte më të çmuar, Perëndia ia përsëriti premtimet atij patriarku besnik.

Më vonë, Isaku pati dy djem, Esaun dhe Jakobin (i njohur edhe si Jakubi). Ndryshe nga Esau, Jakobi i vlerësonte gjërat e shenjta dhe u shpërblye për këtë. Perëndia ia ndryshoi emrin Jakobit në Izrael (Israil) dhe 12 djemtë e tij u bënë krerët e fiseve të Izraelit. Po si u bë një komb i madh ajo familje?

Kur shumica e djemve të Jakobit u bënë xhelozë për vëllanë e tyre të vogël, Jozefin (Jusufin), nisi një zinxhir ngjarjesh. Ata e shitën si skllav Jozefin, i cili përfundoi në Egjipt. Por Perëndia e bekoi atë djalosh besnik e trim. Pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, me kalimin e kohës faraoni, mbreti i Egjiptit, e veçoi Jozefin dhe i dha autoritet të madh. Kjo ishte në kohën e duhur, pasi një zi buke e detyroi Jakobin të dërgonte në Egjipt disa nga djemtë që të blinin ushqime. Por tani përgjegjës për të gjitha ushqimet ishte Jozefi. Pas një bashkimi emocionues me vëllezërit e tij të penduar, Jozefi i fali dhe mori masa që e gjithë familja të shpërngulej në Egjipt. Atje iu dha toka më e mirë, ku mund të vazhdonin të shtoheshin e të begatoheshin. Jozefi e kuptoi se Perëndia i kishte rregulluar çështjet në këtë mënyrë, që të përmbushte qëllimet e Tij.

Jakobi i moshuar e kaloi pjesën tjetër të jetës në Egjipt, i rrethuar nga familja e tij që sa vinte e shtohej. Në shtratin e vdekjes, ai paratha se Fara ose Çlirimtari i premtuar do të ishte një Sundimtar i fuqishëm që do të vinte nga linja gjenealogjike e një prej djemve, Judës. Vite më vonë, edhe Jozefi, para se të vdiste, profetizoi se një ditë Perëndia do ta nxirrte familjen e Jakobit nga Egjipti.

—Bazuar te Zanafilla, kapitujt 20 deri në 50; Hebrenjve 11:17-22.