Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PJESA 24

Pavli u shkruan kongregacioneve

Pavli u shkruan kongregacioneve

Letrat e Pavlit forcojnë të krishterët e shekullit të parë

KONGREGACIONI i krishterë i sapoformuar do të luante një rol të rëndësishëm në përmbushjen e qëllimit të Jehovait. Por shumë shpejt, të krishterët e shekullit të parë u bënë objekt sulmi. A do t’i mbeteshin besnikë Perëndisë përballë përndjekjes nga jashtë kongregacionit dhe rreziqeve më tinëzare nga brenda tij? Shkrimet e Krishtere Greke përmbajnë 21 letra që siguruan këshillat dhe inkurajimin e duhur.

Katërmbëdhjetë letra, nga Romakëve deri te Hebrenjve, u shkruan nga apostulli Pavël. Ato mbajnë emrin e individit ose të vendeve ku ndodheshin kongregacionet të cilave iu dërguan. Shqyrto disa nga temat që trajtoheshin në letrat e Pavlit.

Këshilla për moralin dhe sjelljen. Ata që praktikojnë imoralitetin, kurorëshkeljen dhe mëkate të tjera të rënda, «nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (Galatasve 5:19-21; 1 Korintasve 6:9-11) Adhuruesit e Perëndisë duhet të jenë të bashkuar, pavarësisht nga kombësia. (Romakëve 2:11; Efesianëve 4:1-6) Duhet të japin me gëzim për të ndihmuar bashkëbesimtarët nevojtarë. (2 Korintasve 9:7) «Lutuni pa pushim»,—thotë Pavli. Po, adhuruesit nxiten t’ia zbrazin zemrën Jehovait në lutje. (1 Selanikasve 5:17; 2 Selanikasve 3:1; Filipianëve 4:6, 7) Lutjet duhen bërë me besim, që Perëndia t’i dëgjojë.—Hebrenjve 11:6.

Ç’do t’i ndihmojë familjet të kenë sukses? Burrat duhet t’i duan gratë e tyre si vetë trupat e tyre. Gratë duhet të kenë respekt të thellë për burrat e tyre. Fëmijët duhet t’u binden prindërve, sepse kjo i pëlqen Perëndisë. Prindërit duhet t’i drejtojnë e t’i stërvitin fëmijët me dashuri, duke përdorur parimet hyjnore.—Efesianëve 5:22–6:4; Kolosianëve 3:18-21.

Qëllimi i Perëndisë qartësohet më tej. Shumë aspekte të Ligjit të Moisiut shërbenin për të mbrojtur e drejtuar izraelitët derisa të vinte Krishti. (Galatasve 3:24) Kurse të krishterët nuk kanë nevojë të zbatojnë Ligjin që të adhurojnë Perëndinë. Kur u shkroi hebrenjve, pra, të krishterëve me origjinë hebraike, Pavli e bëri shumë më të qartë domethënien e Ligjit dhe si përmbushet te Krishti qëllimi i Perëndisë. Pavli shpjegoi se disa aspekte të Ligjit kishin vlerë profetike. Për shembull, flijimi i kafshëve  paraqiste vdekjen flijuese të Jezuit, që do të sillte faljen e vërtetë të mëkateve. (Hebrenjve 10:1-4) Me anë të vdekjes së Jezuit, Perëndia e hoqi besëlidhjen e Ligjit, sepse nuk nevojitej më.—Kolosianëve 2:13-17; Hebrenjve 8:13.

Udhëzime për organizimin e duhur të kongregacionit. Burrat që dëshirojnë të mbajnë përgjegjësi në kongregacion, duhet të kenë norma të larta morale e të plotësojnë kërkesat e parashtruara në Bibël. (1 Timoteut 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9) Adhuruesit e Perëndisë Jehova duhet të mblidhen rregullisht me bashkëbesimtarët për të inkurajuar njëri-tjetrin. (Hebrenjve 10:24, 25) Mbledhjet për adhurim duhet të jenë ndërtuese dhe të dobishme.—1 Korintasve 14:26, 31.

Kur i shkroi letrën e dytë Timoteut, Pavli ishte përsëri në Romë, i burgosur e në pritje të gjyqit. Vetëm pak njerëz të guximshëm rrezikuan të shkonin ta takonin. Pavli e dinte se s’i kishte mbetur shumë kohë. Ai tha: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta.» (2 Timoteut 4:7) Ka mundësi që pak më vonë Pavlin ta kenë vrarë për besimin. Por, letrat e tij i udhëheqin adhuruesit e vërtetë të Perëndisë edhe sot e kësaj dite.

—Bazuar te Romakëve; 1 Korintasve; 2 Korintasve; Galatasve; Efesianëve; Filipianëve; Kolosianëve; 1 Selanikasve; 2 Selanikasve; 1 Timoteut; 2 Timoteut; Titit; Filemonit; Hebrenjve.