Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PJESA 1

Krijuesi e vendos njeriun në Parajsë

Krijuesi e vendos njeriun në Parajsë

Perëndia krijon universin dhe jetën në tokë; krijon një burrë e një grua të përsosur, i vë në një kopsht të bukur dhe u jep urdhra të cilëve duhet t’u binden

«NË FILLIM Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Këto janë quajtur fjalët hapëse më të famshme që janë shkruar ndonjëherë. Me këtë fjali të thjeshtë e madhështore njëkohësisht, Bibla na prezanton Personin që është figura qendrore e gjithë Shkrimeve të Shenjta, Perëndinë e plotfuqishëm, Jehovain. Vargu i parë i Biblës zbulon se Perëndia është Krijuesi i universit të paanë, përfshirë dhe planetin ku jetojmë. Vargjet vijuese shpjegojnë se Perëndia e përgatiti shtëpinë tonë tokësore gjatë një serie periudhash të gjata, të quajtura në mënyrë të figurshme ditë, duke sjellë në jetë të gjitha mrekullitë e natyrës.

Kurorëzimi i krijesave tokësore të Perëndisë ishte njeriu. Ai u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë Jehova, me aftësinë për të pasqyruar cilësitë e Tij, si dashurinë dhe mençurinë. Perëndia e bëri njeriun nga pluhuri i tokës. Ia vuri emrin Adam (i njohur edhe si Adem) dhe e vendosi në një parajsë, në kopshtin e Edenit. Këtë kopsht e mbolli vetë Perëndia dhe e mbushi me pemë frutore të bukura.

Perëndisë iu duk mirë që burri të kishte një shoqe. Me një brinjë të Adamit, bëri një grua dhe ia çoi atij si bashkëshorte, të cilën më vonë ky e quajti Evë (Hava). I ngazëllyer, Adami i shprehu ndjenjat në vargje: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.» Perëndia shpjegoi: «Ja përse burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.»—Zanafilla 2:22-24; 3:20.

Perëndia u dha dy urdhra Adamit dhe Evës. Së pari, u tha ta kultivonin tokën, të kujdeseshin për të dhe ta mbushnin me pasardhës. Së dyti, u tha të mos hanin nga fryti i një peme të vetme në gjithë atë kopsht të paanë, «nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». (Zanafilla 2:17) Po të mos bindeshin, do të vdisnin. Duke u dhënë këta urdhra, Perëndia u dha burrit dhe gruas një mundësi që të tregonin se e pranonin si Sundimtar. Me bindjen do të tregonin edhe dashurinë e mirënjohjen e tyre. Kishin çdo arsye ta pranonin sundimin e tij të dashur. Ata njerëz të përsosur s’kishin asnjë të metë. Bibla na thotë: «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.»—Zanafilla 1:31.

—Bazuar te Zanafilla, kapitujt 1 dhe 2.