Satanai vë në dyshim besnikërinë e Jobit ndaj Perëndisë Jehova; megjithatë, Jobi i qëndron besnik Jehovait

A DO t’i qëndrojë besnik Perëndisë ndonjë njeri nëse sprovohet deri aty ku s’mban më e nëse duket sikur bindja nuk i sjell ndonjë dobi materiale? Kjo pyetje u ngrit dhe mori përgjigje te një njeri me emrin Job (i njohur edhe si Ejub).

Ndërsa izraelitët ishin ende në Egjipt, Jobi, një i afërm i Abrahamit, jetonte në vendin që sot është Arabia. Ndërkohë, engjëjt në qiell u paraqitën para Perëndisë e me ta hyri edhe Satanai rebel. Para asamblesë qiellore, Jehovai shprehu sigurinë që kishte te shërbëtori besnik Job. Madje, tha se asnjeri tjetër s’ishte aq besnik sa Jobi. Por Satanai pohoi se Jobi i shërbente Perëndisë vetëm ngaqë ai e kishte bekuar e mbrojtur. Satanai pretendoi se po t’i hiqej gjithçka që kishte, Jobi do ta mallkonte Perëndinë.

Perëndia e lejoi Satanain t’i hiqte Jobit pasurinë, fëmijët e në fund shëndetin. Ngaqë s’e dinte rolin e Satanait në këtë çështje, Jobi nuk arrinte ta kuptonte pse Perëndia lejoi t’i binin këto sprova. Megjithatë, kurrë nuk u kthye kundër Perëndisë.

Tre shokë të rremë shkuan të takonin Jobin. Në një seri fjalimesh që mbushin faqe të tëra të librit të Jobit, ata në mënyrë të gabuar u orvatën ta bindnin se Perëndia po e ndëshkonte për mëkate që kishte kryer fshehurazi. Madje pohuan se Perëndia as gjen kënaqësi te shërbëtorët e tij, as u beson. Jobi e hodhi poshtë arsyetimin e tyre të gabuar. Me besim, ai deklaroi se do të mbetej besnik deri në vdekje.

Por gabimi i Jobit ishte se u përqendrua tepër te shfajësimi i vetes. Elihu, që ishte më i ri se ata dhe e kishte dëgjuar gjithë debatin, u ngrit të fliste. Ai e qortoi Jobin ngaqë ky nuk e kuptoi se shfajësimi i sovranitetit të Perëndisë Jehova është shumë më i rëndësishëm se shfajësimi i çdo njeriu. Gjithashtu, Elihu qortoi rëndë shokët e rremë të Jobit.

Pastaj Jobit i foli vetë Perëndia Jehova, që ia ndreqi mënyrën e të menduarit. Duke përdorur mrekullitë e shumta të krijimit, i dha Jobit një mësim për t’i treguar sa i vogël është njeriu në krahasim me Perëndinë madhështor. Jobi e pranoi me përulësi ndreqjen nga Perëndia. Ngaqë Jehovai është «shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm», ia ktheu shëndetin Jobit, i dha dyfishin e pasurisë së mëparshme dhe e bekoi me dhjetë fëmijë të tjerë. (Jakovi 5:11) Me besnikërinë e tij gjatë sprovave të rënda, Jobi iu përgjigj me sukses akuzës së Satanait se njerëzit nuk do t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë po të vihen në provë.

Bazuar në librin e Jobit.