KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Mbretëria plotëson të gjitha premtimet e Perëndisë për njerëzimin dhe tokën

1, 2. (a) Pse mund të jetë e vështirë hera-herës të besojmë se Parajsa do të vijë? (b) Çfarë mund të na ndihmojë të forcojmë besimin te premtimet e Perëndisë?

NJË vëlla besnik vjen në mbledhje i lodhur pas një dite stresuese. Ka duruar keqtrajtimin e një shefi që s’kënaqet kollaj, stresin e sfidave për t’u kujdesur për familjen dhe ka përjetuar ankth nga sëmundja që vuan gruaja. Ndërsa muzika e këngës hapëse fillon, merr frymë i lehtësuar, i kënaqur që ndodhet në Sallën e Mbretërisë me vëllezërit dhe motrat. Kënga flet për shpresën e jetës në Parajsë dhe vargjet e ftojnë ta përfytyrojë këtë shpresë, ta shohë veten aty. Gjithmonë e ka pasur për zemër këtë këngë dhe, tek këndon bashkë me familjen, zemra e trazuar i mbushet me shpresë.

2 A je ndier ndonjëherë kështu? Shumica prej nesh po. S’është çudi që ky sistem i vjetër na e bën shumë të vështirë të besojmë se Parajsa do të vijë, pasi këto janë «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» dhe bota ku jetojmë nuk është aspak Parajsë. (2 Tim. 3:1) Çfarë mund të na ndihmojë ta shohim si reale shpresën tonë? Nga e dimë se vërtet Mbretëria e Perëndisë do të qeverisë gjithë njerëzimin së shpejti? Të shqyrtojmë disa profeci të Jehovait që populli i tij i pa të plotësoheshin në lashtësi. Më pas do të shohim si po plotësohen tani në mënyrë rrëqethëse këto dhe profeci të ngjashme. Së fundi, me besim të forcuar, do të përqendrohemi se ç’domethënie kanë për të ardhmen tonë këto profeci.

Si i plotësoi Jehovai premtimet e tij në lashtësi?

3. Cili premtim i ngushëllonte judenjtë e mërguar në Babiloni?

3 Imagjino jetën e judenjve të mërguar në Babiloni, në shekullin e gjashtë p.e.s. Shumica ishin rritur në mërgim si prindërit e tyre, dhe jeta ishte e vështirë. Babilonasit i tallnin që besonin te Jehovai. (Psal. 137:1-3) Gjatë dekadave, judenjtë besnikë u kapën fort pas kësaj shprese të ndritur: premtimit se Jehovai do ta kthente sërish popullin e tij në atdhe. Jehovai tha se atje kushtet do të ishin të mrekullueshme.  Madje e krahasoi vendin e përtërirë të Judës me kopshtin e Edenit​—me një parajsë! (Lexo Isainë 51:3.) Këto premtime ishin menduar sidomos për ta siguruar popullin e Perëndisë e për t’i hequr çdo dyshim që mund t’i trazonte zemrën. Si? Të shohim disa profeci specifike.

4. Si i garantoi Jehovai judenjtë se në atdhe do të ishin të sigurt?

4 Siguri. Të mërguarit nuk do të ktheheshin në një parajsë të mirëfilltë, por në një vend të largët që kishte mbetur i shkretë për 70 vjet, në një vend që pak prej tyre e kishin parë ndonjëherë. Në atë kohë, në vendet biblike ishin të zakonshëm luanët, ujqërit, leopardët dhe grabitqarë të tjerë. Një kryefamiljar mund të pyeste veten: «Si do ta mbroj gruan dhe fëmijët? Po delet dhe gjedhët si do t’i mbroj?» Këto do të ishin shqetësime më se të natyrshme. Mendo edhe për premtimin e Zotit tek Isaia 11:6-9 dhe sa ngushëllim duhet t’u ketë dhënë. (Lexoje.) Me këto fjalë të dashura poetike, Jehovai i garantoi të mërguarit se ata dhe bagëtia e tyre do ishin të sigurt. Luani do të hante kashtë në kuptimin që nuk do t’ua gllabëronte gjedhët. Besnikët nuk do të kishin pse t’u frikësoheshin këtyre grabitqarëve. Jehovai premtoi se populli do të ishte i sigurt në vendin e përtërirë të Judës, si në shkretëtirë, edhe nëpër pyje.—Ezek. 34:25.

5. Cilat profeci i ndihmuan judenjtë e kthyer nga mërgimi të besonin se Jehovai do t’i plotësonte me bollëk nevojat e tyre?

5 Bollëk. Mund t’u lindnin edhe shqetësime të tjera. «A do ta ushqej dot familjen në atdheun e përtërirë? Ku do ta futim kokën? A do të gjej punë dhe a do të jetë më e mirë se stërmundimi në mërgim nën thundrën e pushtuesve?» Nëpërmjet profecive të frymëzuara, Jehovai me mirëdashje iu përgjigj edhe këtyre pyetjeve. Jehovai premtoi se populli i tij i bindur do të kishte shira të bollshëm, e si rezultat toka do të prodhonte bukë «të ushqyeshme që të ngop». (Isa. 30:23) Sa për strehimin dhe punën e kënaqshme, Jehovai i premtoi popullit: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.» (Isa. 65:21, 22) Po, në shumë aspekte jeta do të ishte e mrekullueshme në krahasim me robërinë në Babiloninë pagane. Po ç’mund të thuhet për problemet kryesore, ato për të cilat shkuan në mërgim?

6. Nga cilat probleme shëndetësore kishte vuajtur prej kohësh populli i Perëndisë dhe për çfarë i siguroi Jehovai të mërguarit që u kthyen?

6 Shëndet frymor. Kohë para se të shkonte në mërgim, populli i Zotit ishte sëmurur frymësisht. Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai tha për popullin e tij: «Kokën e keni të sëmurë dhe zemra ju lëngon.» (Isa. 1:5) Frymësisht ishin të shurdhër dhe të verbër, sepse vazhdimisht i mbyllnin veshët ndaj këshillave të Jehovait dhe sytë ndaj ndriçimit që u jepte. (Isa. 6:10; Jer. 5:21; Ezek. 12:2) Po sikur t’i zinin prapë të  njëjtat probleme, ç’siguri mund të kishin? A nuk do ta humbnin përsëri miratimin e Jehovait? Sa sigurues ishte premtimi i Jehovait: «Atë ditë të shurdhrit do t’i dëgjojnë fjalët e librit. Madje edhe sytë e të verbërve, dikur në terr dhe në errësirë, do të shohin.» (Isa. 29:18) Po, Jehovai do ta shëronte frymësisht popullin e tij të disiplinuar e të penduar. Për sa kohë të qëndronin të ndjeshëm e të bindur ndaj Jehovait, ai do t’u siguronte drejtim dhe ndriçim jetëdhënës.

7. Si u plotësuan premtimet e Perëndisë për popullin e tij të mërguar dhe pse duhet të na forcojë besimin kjo?

7 A i mbajti Jehovai premtimet? Faktet i përgjigjen kësaj pyetjeje. Judenjtë e kthyer në atdhe u bekuan me siguri, bollëk dhe shëndet frymor. Për shembull, Jehovai i mbrojti nga popujt fqinj që ishin më të fuqishëm e më të shumtë në numër. Grabitqarët nuk e përlanë bagëtinë e judenjve. Vërtet, judenjtë panë vetëm një plotësim në miniaturë të profecive parajsore që shkruan Isaia, Jeremia dhe Ezekieli, ama ishte drithërues dhe tamam çfarë u nevojitej. Ndërsa mendojmë për çka bëri Jehovai për popullin e tij në atë kohë, do të na forcohet besimi. Nëse plotësimi fillestar në miniaturë i këtyre profecive ishte emocionues, si do të jetë plotësimi më i madh? Shih ç’ka bërë Jehovai për ne sot.

Si ka filluar Jehovai t’i plotësojë premtimet e tij në kohën tonë?

8. Çfarë ‘vendi’ gëzon populli i Zotit?

8 Sot populli i Jehovait nuk është një komb i mirëfilltë e as jeton në një vend. Përkundrazi, të krishterët e mirosur janë një komb frymor, ‘Izraeli i Perëndisë’. (Gal. 6:16) Shokët e tyre nga ‘delet e tjera’ bashkohen me ta në një «vend» frymor, sferë aktiviteti ku adhurojnë të bashkuar Jehovain. Ky adhurim është mënyrë jetese. (Gjoni 10:16; Isa. 66:8) Dhe çfarë ‘vendi’ na ka dhënë Jehovai? Një parajsë frymore. Këtu premtimet e Zotit për kushtet edenike janë plotësuar frymësisht në mënyrë të mrekullueshme. Shqyrto disa shembuj.

9, 10. (a) Si po plotësohet sot profecia e Isaisë 11:6-9? (b) Çfarë dëshmon se mes popullit të Perëndisë ka paqe?

9 Siguri. Profecia e Isaisë 11:6-9, bën një përshkrim të këndshëm të harmonisë dhe të paqes: mes kafshëve të egra në njërën anë dhe njerëzve me kafshët shtëpiake në anën tjetër. A plotësohet frymësisht ky përshkrim sot? Po! Në vargun 9 kuptojmë pse këto krijesa nuk do të dëmtojnë e nuk do të shkatërrojnë: «Sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.» A ua ndryshon sjelljen kafshëve ‘njohuria e Jehovait’? Jo, transformimi ndodh te njerëzit që njohin Perëndinë Më të Lartë dhe mësojnë të imitojnë udhët e tij paqësore. Ja pse në parajsën frymore që gëzojmë sot mund të shohim një plotësim të kësaj profecie që na ngroh zemrën. Nën qeverisjen  e Mbretërisë, dishepujt e Krishtit po mësojnë të flakin tiparet e egra dhe shtazarake dhe të jetojnë në paqe e harmoni me vëllezërit dhe motrat e tyre frymore.

10 Për shembull, në këtë botim kemi folur për çështjen e asnjanësisë së krishterë​—si për bazën biblike të kësaj kuptueshmërie, edhe për përndjekjen që populli i Zotit ka hasur si pasojë e qëndrimit asnjanës. A nuk është e jashtëzakonshme që në këtë botë të dhunshme ekziston një «komb» shumë i madh që refuzon, edhe nën kërcënimin e vdekjes, të përfshihet në ndonjë formë dhune? Ç’dëshmi e mrekullueshme është kjo që nënshtetasit e Mbretit mesianik gëzojnë vërtet paqen që përshkroi Isaia! Jezui tha se dishepujt do t’i dallonin nga dashuria për njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Brenda kongregacionit, Krishti po përdor me durim ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, që t’u mësojë të gjithë dishepujve të vërtetë të jenë paqësorë, të dashur e të butë.​—Mat. 24:45-47.

11, 12. Nga cila uri vuan sot bota, por si ka siguruar me bollëk Jehovai për popullin e tij?

11 Bollëk. Bota lëngon nga uria frymore. Bibla paralajmëroi: «Po vijnë ditët,​—thotë Zotëria Sovran Jehova,—​gjatë të cilave unë do të dërgoj uri në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por për të dëgjuar fjalët e Jehovait.» (Amo. 8:11)  A lëngojnë edhe qytetarët e Mbretërisë së Perëndisë nga uria frymore? Jehovai paratha këtë kontrast mes popullit të tij dhe armiqve të tij: «Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, kurse ju do të keni uri. Shërbëtorët e mi do të pinë, kurse ju do të keni etje. Shërbëtorët e mi do të gëzojnë, kurse juve do t’ju vijë turp.» (Isa. 65:13) A i ke parë të plotësohen këto fjalë?

12 Masat frymore vërshojnë drejt nesh si një lumë që zgjerohet dhe thellohet gjithnjë e më shumë. Botimet tona të bazuara në Bibël​—si edhe incizimet e videot, mbledhjet e kongreset dhe botimet në sitin tonë—​janë si një vërshim i pashtershëm i masave frymore në këtë botë që po vdes nga uria frymore. (Ezek. 47:1-12; Joe. 3:18) A nuk emocionohesh tek sheh në jetën tënde plotësimin e premtimeve të Jehovait për bollëkun? A ushqehesh rregullisht në tryezën e Jehovait?

Kongregacioni na ndihmon të jemi të ushqyer mirë, të sigurt dhe të shëndetshëm frymësisht

13. Si e ke parë të plotësohet premtimin e Jehovait për veshët dhe sytë që hapen?

13 Shëndet frymor. Verbëria dhe shurdhësia frymore janë si pandemi sot. (2 Kor. 4:4) Ama Krishti po kuron sëmundje dhe lëngata anembanë botës. A ke parë të hapen sytë e verbër dhe veshët e shurdhër? Nëse ke parë njerëz që kanë njohur të vërtetën e saktë të Fjalës së Zotit dhe që kanë lënë gënjeshtrat fetare që dikur i bënin të verbër e të shurdhër për të vërtetën, atëherë ke parë të plotësohet ky premtim: «Atë ditë të shurdhrit do t’i dëgjojnë fjalët e librit. Madje edhe sytë e të verbërve, dikur në terr dhe në errësirë, do të shohin.» (Isa. 29:18) Në të gjithë botën, çdo vit qindra mijë njerëz po i marrin këto kura frymore. Kushdo që lë pas Babiloninë e Madhe dhe bashkohet me ne që të adhurojë në parajsën frymore, është provë e gjallë se premtimet e Jehovait janë plotësuar!

14. Meditimi rreth cilës dëshmi do të na e forcojë besimin?

14 Çdo kapitull i këtij libri ka dëshmi të fuqishme se Krishti i ka çuar dishepujt në një parajsë të vërtetë frymore, në këto ditë të fundit. Meditofshim përherë për mënyrat e shumta që bekohemi në këtë parajsë sot! Ky meditim do të na forcojë besimin për premtimet e Jehovait në të ardhmen.

«Ardhtë mbretëria jote»

15. Pse mund të jemi të sigurt se toka do të bëhet parajsë?

15 Jehovai ka pasur gjithnjë si qëllim ta bëjë tokën parajsë globale. Vuri Adamin dhe Evën në një kopsht parajsor dhe i urdhëroi ta mbushnin tokën me pasardhës e të kujdeseshin për krijesat. (Zan. 1:28) Por Adami dhe Eva përkrahën rebelimin e Satanait dhe i zhytën gjithë pasardhësit e tyre në papërsosmëri, në mëkat dhe në vdekje. Sidoqoftë, qëllimi i Zotit nuk ndryshoi kurrë. Kur ai e thotë fjalën, gjithnjë e plotëson. (Lexo Isainë 55:10, 11.) Prandaj, mund  të jemi të sigurt se pasardhësit e Adamit dhe të Evës do ta mbushin tokën dhe do ta sundojnë, duke u kujdesur me dashuri për krijimin e Jehovait në parajsën globale. Në atë kohë, profecitë që në fillim iu dhanë judenjve të mërguar për jetën parajsore, do të plotësohen krejtësisht! Shih shembujt vijues.

16. Si e përshkruan Bibla sigurinë që do të gëzojmë në Parajsë?

16 Siguri. Më në fund, përshkrimi që na ngroh zemrën i Isaisë 11:6-9 do të plotësohet krejtësisht edhe në kuptimin e mirëfilltë. Në çdo cep të tokës, burrat, gratë e fëmijët do të jenë të sigurt. Asnjë krijesë, njeri a kafshë, nuk do të përbëjë kërcënim. Imagjino kohën kur do ta shohësh gjithë planetin si shtëpinë tënde, ku mund të notosh nëpër lumenj, liqene dhe dete; të përshkosh vargmale dhe të endesh livadheve plotësisht i sigurt. Dhe, kur të bjerë nata, nuk do të shqetësohesh. Fjalët e Ezekielit 34:25 do të bëhen realitet, madje populli i Zotit ‘do të rrijë i sigurt në shkretëtirë e do të flejë nëpër pyje’.

17. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i plotësojë me bollëk nevojat tona kur Mbretëria të qeverisë mbi gjithë tokën?

17 Bollëk. Përfytyro kohën kur nuk do të ketë varfëri, kequshqyerje, zi buke ose asistencë sociale. Begatia frymore që gëzon sot populli i Perëndisë është garanci se Mbreti mesianik do t’i ushqejë nënshtetasit në çdo kuptim. Kur ishte në tokë, Jezui tregoi në shkallë të vogël se mund t’i plotësojë këto premtime, pasi ushqeu mijëra të uritur vetëm me pak bukë dhe peshq. (Mat. 14:17, 18; 15:34-36; Mar. 8:19, 20) Kur Mbretëria e Perëndisë të qeverisë mbi gjithë tokën, profeci si kjo do të përmbushen në kuptimin e mirëfilltë: «Ai do të dërgojë shi për farën që ke mbjellë në tokë, dhe toka do të të japë bukë të ushqyeshme që të ngop. Atë ditë bagëtia jote do të kullotë në një livadh të gjerë.»​—Isa. 30:23.

18, 19. (a) Ç’do të thotë për ty profecia e Isaisë 65:20-22? (b) Në ç’kuptim do të jenë ditët tona «si ditët e një peme»?

18 Sot shumë njerëz vështirë ta imagjinojnë veten me shtëpi të rehatshme dhe me punë shpërblyese e të kënaqshme. Në këtë sistem të korruptuar, shumë ndihen se puna e tyre e gjatë dhe e lodhshme ka pak përfitime të vërteta për ta ose familjen e tyre, ndërkohë që të pasurit dhe lakmitarët korrin gjithë shpërblimin. Imagjino si do të jetë kur kjo profeci të dalë e vërtetë anembanë botës: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme dhe të zgjedhurit e mi do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre.»​—Isa. 65:20-22.

19 Ç’do të thotë që ditët tona do të jenë «si ditët e një peme»? Kur je rrëzë një peme të madhe, a nuk mahnitesh  teksa mendon nga sa vite ndodhet aty​—ndoshta shumë kohë para se të lindnin stërgjyshërit e tu? Mbase të vjen ndër mend se po të mbetesh i papërsosur siç je, ka të ngjarë që një pemë si kjo të jetojë më shumë se ti, të jetojë gjatë dhe e qetë edhe pasi të kesh ngelur veçse një kujtim. Sa e dashur nga Jehovai që na siguron se në Parajsën që do të vijë, ditët tona do të jenë të gjata dhe të qeta! (Psal. 37:11, 29) Do të vijë dita kur edhe pemët jetëgjata do të na duken si bari që shkon e vjen ndërkohë që ne do të jetojmë përgjithmonë!

20. Si do të gëzojnë shëndet të përsosur nënshtetasit besnikë të Mbretërisë?

20 Shëndet i përsosur. Sot, sëmundjet dhe vdekja hedhin velin e tyre të zymtë mbi gjithë botën. Në njëfarë kuptimi të gjithë jemi të sëmurë​—të infektuar nga një sëmundje vdekjeprurëse të quajtur mëkat. Kura e vetme është flijimi shpërblyes i Krishtit. (Rom. 3:23; 6:23) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui dhe bashkëqeveritarët e tij do të zbatojnë plotësisht dobitë e këtij flijimi, duke çrrënjosur pak nga pak të gjitha gjurmët e mëkatit nga njerëzit besnikë. Profecia e Isaisë do të bëhet realitet në kuptimin e plotë të fjalës: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’ Njerëzve që banojnë në vend, do t’u falet faji.» (Isa. 33:24) Përfytyro kohën kur asnjë nuk do të jetë i verbër, i shurdhër ose sakat. (Lexo Isainë 35:5, 6.) Asnjë sëmundje nuk do të jetë përtej aftësisë së Jezuit për të shëruar​—qoftë fizike, mendore ose emocionale. Nënshtetasit besnikë të Mbretërisë do të gëzojnë shëndet të përsosur!

21. Ç’do të bëhet me vdekjen dhe pse të duket ngushëllues ky premtim?

21 Ç’të themi për rezultatin e zakonshëm të sëmundjeve, pasojën e pashmangshme të mëkatit​—vdekjen? Ky është «armiku i fundit» para të cilit të gjithë njerëzit e papërsosur herët a vonë dalin të pafuqishëm. (1 Kor. 15:26) Por, a është vdekja kundërshtare e frikshme për Jehovain? Vër re çfarë paratha Isaia: «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.» (Isa. 25:8) A mund ta përfytyrosh atë kohë? Nuk do të ketë më funerale, varreza e as lot hidhërimi! Krejt e kundërta, do të ketë lot gëzimi teksa Jehovai plotëson premtimin emocionues për t’i sjellë sërish në jetë të vdekurit! (Lexo Isainë 26:19.) Së fundi, mijëra plagë që ka shkaktuar vdekja do të shërohen.

22. Çfarë do të ndodhë kur Mbretëria mesianike të ketë bërë vullnetin e Perëndisë në tokë?

22 Nga fundi i Mijëvjeçarit, Mbretëria do të ketë bërë vullnetin e Perëndisë në tokë dhe Krishti do t’ia dorëzojë qeverisjen të Atit. (1 Kor. 15:25-28) Njerëzimi, më në fund i përsosur, do të jetë gati të përballojë sprovën përfundimtare kur Satanai të lirohet nga humnera e joaktivitetit. Më pas, Krishti do ta shtypë përfundimisht këtë gjarpër të lig  dhe gjithë përkrahësit e tij. (Zan. 3:15; Zbul. 20:3, 7-10) Kurse të gjithë ata që e duan besnikërisht Jehovain i pret një e ardhme e ndritur. S’ka fjalë për ta përshkruar më mirë këtë, sesa ato që gjejmë në një varg të Biblës. Është premtimi se besnikët do të kenë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».​—Rom. 8:21.

Mbretëria do të plotësojë të gjitha premtimet e Jehovait për njerëzimin dhe tokën

23, 24. (a) Pse do të plotësohen me siguri premtimet e Perëndisë? (b) Çfarë je i vendosur të bësh?

23 Këto premtime nuk bazohen vetëm në shpresa, dëshira dhe ëndrra. Premtimet e Jehovait do të plotësohen me siguri! Pse? Sill ndër mend fjalët e Jezuit që përmendëm në kapitullin hapës të këtij libri. U mësoi dishepujve t’i luteshin Jehovait: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mat. 6:9, 10) Mbretëria e Perëndisë nuk është fryt i imagjinatës së ndonjërit. Ajo është realitet! Tani po qeveris në qiell. Për një shekull, ka plotësuar premtimet e Jehovait në mënyra që i dallojmë qartë në kongregacionin e krishterë. Ndaj mund të jemi të sigurt se të gjitha premtimet e Jehovait do të plotësohen kur të vijë Mbretëria e Perëndisë që të ushtrojë plotësisht autoritetin e saj mbi tokën!

24 E dimë se Mbretëria e Zotit do të vijë. E dimë se çdo fjalë e Jehovait do të plotësohet. Pse? Sepse MBRETËRIA E PERËNDISË QEVERIS! Pyetja për secilin është: «A më qeveris mua Mbretëria?» Le të bëjmë gjithçka mundemi për të jetuar tani si nënshtetas besnikë të kësaj Mbretërie, që të nxjerrim përgjithmonë dobi nga qeverisja e saj e përsosur dhe e drejtë!