KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Populli i Perëndisë përdor metoda të ndryshme predikimi për t’u çuar lajmin e mirë sa më shumë njerëzve të jetë e mundur

1, 2. (a) Cilën teknikë përdori Jezui që t’i fliste auditorit të madh? (b) Si e kanë ndjekur dishepujt besnikë të Krishtit shembullin e tij dhe pse?

TURMA mblidhet rreth Jezuit buzë një liqeni, por ai hipën në varkë dhe largohet pak nga bregu. Pse? E di se sipërfaqja e ujit do t’ia amplifikojë ose përforcojë zërin, dhe kështu auditori i madh do të arrijë ta dëgjojë më qartë mesazhin.—Lexo Markun 4:1, 2.

2 Dekada para dhe pas lindjes së Mbretërisë, dishepujt besnikë të Jezuit ndoqën shembullin e tij duke përdorur teknika novatore për t’ua shpërndarë lajmin e mirë të Mbretërisë njerëzve të shumtë. Nën drejtimin e Mbretit, populli i Perëndisë përditësohet e përshtatet ndërsa rrethanat ndryshojnë dhe teknologji të reja vihen në dispozicion. Duam t’ua çojmë lajmin e mirë sa më shumë njerëzve të jetë e mundur para se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Shqyrto vetëm disa nga metodat që kemi përdorur për t’u predikuar njerëzve pavarësisht vendit ku jetojnë. Mendo edhe për mënyrat si mund të imitosh besimin e atyre që shpallën lajmin e mirë në kohën e Studentëve të Biblës.

Ua shpërndajnë lajmin e mirë njerëzve të shumtë

3. Pse u inatosën armiqtë e së vërtetës nga përdorimi ynë i gazetave?

3 Gazetat. Vëlla Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij e botonin Kullën e Rojës qysh nga 1879-a që t’ua çonin lajmin për Mbretërinë shumë njerëzve. Megjithatë, në dekadën para 1914-s, duket se vetë Krishti i drejtoi gjërat që lajmin e mirë ta merrnin edhe më shumë njerëz. Radha e ngjarjeve filloi më 1903. Atë vit, dr. E. L. Itëni, përfaqësues i një grupi shërbëtorësh protestant në Pensilvani, sfidoi Çarls Tejz Rasëllin në një seri debatesh rreth mësimeve biblike. Në një letër që i shkruante Rasëllit, Itëni thoshte: «Mendoj se një debat publik rreth disa çështjeve ku unë e ti përplasemi . . . do të ishte tejet interesant për publikun.» Edhe Rasëlli me bashkëpunëtorët e tij mendonin se do të ishte me interes për publikun, ndaj morën masa që debatet të botoheshin në një gazetë të rëndësishme të Pitsburgut (The Pittsburgh Gazette). Artikujt u bënë kaq të  njohur dhe shpjegimi i qartë i të vërtetave biblike nga ana e Rasëllit ishte kaq bindës, saqë gazeta ofroi t’i botonte fjalimet e tij çdo javë. Sa shumë do t’i ketë inatosur kjo armiqtë e së vërtetës!

Në vitin 1914, më se 2.000 gazeta botonin fjalimet e Rasëllit

4, 5. Cilën cilësi shfaqi Rasëlli dhe si mund ta imitojnë shembullin e tij ata me pozita përgjegjësie?

4 S’kaloi shumë e mjaft gazeta donin t’i botonin fjalimet e Rasëllit. Në 1908-n, Kulla e Rojës raportoi se fjalimet botoheshin «rregullisht në njëmbëdhjetë gazeta». Mirëpo, vëllezër që kishin njohuri në fushën e gazetarisë e këshilluan Rasëllin që, nëse i transferonte zyrat e Shoqatës nga Pitsburgu në një qytet më të njohur, më shumë gazeta do të botonin artikujt e bazuar në Bibël. Pasi e peshoi këshillën dhe faktorë të tjerë, Rasëlli i transferoi zyrat në Bruklin, Nju-Jork, më 1909. Rezultati? Vetëm pak muaj pasi u shpërngulën, fjalimet botoheshin në rreth 400 gazeta, të cilat shtoheshin pa ndërprerje. Në kohën kur Mbretëria nisi qeverisjen më 1914, më se 2.000 gazeta në katër gjuhë po botonin fjalimet dhe artikujt e Rasëllit.

5 Ç’mësim të rëndësishëm nxjerrim nga kjo? Ata që kanë njëfarë autoriteti në organizatën e Perëndisë do të bënin mirë të imitonin përulësinë e Rasëllit. Si? Të marrin parasysh këshillat e të tjerëve, kur janë para vendimeve të rëndësishme.​—Lexo Proverbat 15:22.

6. Si ndikuan te dikush të vërtetat e botuara në artikujt e gazetave?

6 Të vërtetat për Mbretërinë që u botuan në këto gazeta ndryshuan jetë njerëzish. (Hebr. 4:12) Për shembull, Ora Hetseli, që u pagëzua më 1917, ishte një nga shumë që kontaktin e parë me të vërtetën e pati përmes këtyre artikujve. Ora tha: «Pasi u martova, shkova të takoja mamanë në Roçester të Minesotës. Kur mbërrita, e gjeta duke prerë artikuj nga një gazetë. Ishin fjalimet e Rasëllit. Mamaja më shpjegoi gjërat që kishte mësuar.» Ora e pranoi të vërtetën që mësoi dhe qëndroi lajmëtare besnike e Mbretërisë për gati gjashtë dekada.

7. Pse e rishqyrtuan përdorimin e gazetave ata që merrnin drejtimin?

7 Më 1916, nga dy ngjarje kyçe që ndodhën, ata që merrnin drejtimin rishqyrtuan përdorimin e gazetave për shpërndarjen e lajmit të mirë. E para, Lufta e Madhe që po vlonte, e vështirësonte gjetjen e materialeve për shtypje. Në vitin 1916, një raport nga reparti ynë i gazetave në Britani e nxori në pah këtë vështirësi duke thënë: «Për momentin ka mbi 30 gazeta që botojnë fjalimet. Ka shumë të ngjarë që ky numër të reduktohet ndjeshëm nga rritja gjithnjë e më shumë e çmimit të letrës.» Ngjarja e dytë ishte vdekja e vëlla Rasëllit më 31 tetor 1916. Prandaj, Kulla e Rojës e 15 dhjetorit 1916 (angl.) njoftoi: «Tani që vëlla Rasëlli ndërroi jetë, rubrika e fjalimeve [në gazetë] nuk do të botohet më.» Ndonëse kësaj mënyre predikimi i erdhi fundi, metoda të tjera vazhduan të ishin shumë të suksesshme, si për shembull «Fotodrama e Krijimit».

8. Çfarë u përdor për prodhimin e «Fotodramës së Krijimit»?

8 Filmi. Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij punuan për gati tre vjet që të prodhonin «Fotodramën e Krijimit», e cila u shfaq për herë të parë më 1914. (Prov. 21:5) Drama, siç quhej, ishte një kombinim novator i filmimeve, i regjistrimeve audio dhe i diapozitivave me xham të ngjyrosur. Qindra njerëz interpretuan ngjarjet biblike që u filmuan, madje u përdorën edhe kafshë. Një raport i 1913-s thotë: «Shumica e kafshëve të një kopshti të madh zoologjik u përdorën  që të regjistrohej në këtë film me zë roli i Noesë në historinë e botës.» Artistë nga Londra, Nju-Jorku, Parisi dhe Filadelfia ngjyrosën një më një me dorë qindra diapozitivat e xhamit.

9. Pse u shpenzuan kaq shumë kohë dhe të ardhura për «Fotodramën»?

9 Pse u shpenzuan kaq shumë kohë dhe të ardhura për «Fotodramën»? Një rezolutë e pranuar në serinë e kongreseve të 1913-s shpjegon: «Suksesi i pashoq i gazetave amerikane në modelimin e opinionit publik falë karikaturave dhe vizatimeve, si edhe fama e jashtëzakonshme e filmit, kanë treguar plotësisht sa të vlefshme janë. Besojmë se kjo justifikon plotësisht përpjekjet tona si predikues dhe mësues përparimtarë të Biblës, që t’u japim miratimin tonë të plotë filmave dhe diapozitivave stereoskopikë si një metodë e efektshme dhe e pëlqyeshme për ungjillëzuesit dhe mësuesit.»

Lart: Studio projektimi e «Fotodramës»; poshtë: Diapozitiva xhami të «Fotodramës»

10. Sa gjerësisht u shfaq «Fotodrama»?

10 Gjatë 1914-s, «Fotodrama» u shfaq në 80 qytete çdo ditë. Thuajse tetë milionë njerëz e panë në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Po atë vit, «Fotodrama» u shfaq në Australi, Britani, Danimarkë, Finlandë, Gjermani, Norvegji, Suedi, Zelandë të Re dhe në Zvicër. Një version i thjeshtuar i këtij prodhimi pa filmime, u përgatit për qytetet e vogla. Ky version, «Drama Eureka», kishte kosto më të ulët prodhimi dhe transportohej më kollaj. Në vitin 1916, ose «Fotodrama», ose «Drama Eureka» ishin përkthyer në armenisht, dano-norvegjisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, italisht, polonisht, spanjisht dhe në suedisht.

Gjatë vitit 1914, «Fotodrama» shfaqej në salla të stërmbushura

11, 12. Ç’ndikim pati «Fotodrama» te një i ri dhe çfarë shembulli la?

11 Versioni në frëngjisht i «Fotodramës» ndikoi thellë te një 18-vjeçar me emrin Sharl Ronar. Ai thotë: «U shfaq në qytetin tim të Kolmarit, në Alsasë të Francës. Që në fillim më bëri përshtypje prezantimi i qartë i të vërtetave biblike.»

12 Si rrjedhojë, Sharli u pagëzua dhe filloi shërbimin e plotkohor në vitin 1922. Një nga caktimet e para ishte të ndihmonte për shfaqjen e «Fotodramës» në Francë. Kur flet për këtë, Sharli tregon: «Kisha disa caktime: t’i bija violinës, të isha shërbëtori i llogarisë dhe i literaturës. Po ashtu, duhet t’i kërkoja me takt auditorit të mbante qetësi para se të fillonte programi. Gjatë intervaleve, jepnim literaturë. I caktuam çdo vëllai a motre një sektor në sallë. Secili mbante literaturë në njërin krah dhe ia ofronte çdo personi të sektorit të vet. Përveç kësaj, në hyrje të sallës kishim tavolina plot me literaturë.» Më  1925, Sharlin e ftuan të shërbente në Bethelin e Bruklinit, Nju-Jork. Aty u caktua të drejtonte një orkestër të stacionit të ri radiofonik WBBR. Tani që shqyrtuam shembullin e vëlla Ronarit, mund të pyesim veten: «A jam i gatshëm të pranoj çdo lloj caktimi që më jepet për të shpërndarë mesazhin e Mbretërisë?»​—Lexo Isainë 6:8.

13, 14. Si u përdor radioja për shpërndarjen e lajmit të mirë? (Shih edhe kutitë « Programet e WBBR-së» dhe « Kongres historik».)

13 Radioja. Në vitet 20 të shekulli të 20-të, ndërsa predikimi me «Fotodramën» filloi të zbehej, radioja doli se ishte mënyrë e rëndësishme për të shpërndarë lajmin e mirë të Mbretërisë. Më 16 prill 1922, fjalimi i vëlla Radhërfordit «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë» u transmetua për herë të parë nga Pallati Metropolitan i Operas i Filadelfias në Pensilvani, të cilin e dëgjuan afro 50.000 veta. Më pas, në vitin 1923 u bë transmetimi i parë i sesionit të një kongresi. Në vend që të përdornin vetëm radiot private, ata që merrnin drejtimin menduan se do të ishte e mençur të ngrinim stacionin tonë radiofonik, që u ndërtua në Stejtën-Ajlënd, Nju-Jork, dhe u regjistrua me emrin WBBR. Transmetimi i parë u bë më 24 shkurt 1924.

Më 1922, afro 50.000 veta dëgjuan transmetimin radiofonik të fjalimit «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë»

14 Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1924 (angl.), kur foli për qëllimin e radios WBBR, tha: «Mendojmë se radioja është mënyra më ekonomike dhe më e efektshme që është përdorur deri tani për të përhapur mesazhin e së vërtetës.» Më tej shtonte: «Nëse Zotëria e sheh të udhës të ndërtojmë stacione të tjera radiofonike që të përhapim të vërtetën, ai do t’i sigurojë paratë në mënyrën e tij.» (Psal. 127:1) Në vitin 1926, populli i Jehovait zotëronte gjashtë stacione radiofonike. Dy ndodheshin në Shtetet e Bashkuara—WBBR-ja në Nju-Jork dhe WORD-i afër Çikagos. Katër të tjerat që ishin në Kanada, gjendeshin në Albertë, Kolumbinë Britanike, Ontario dhe në Saskaçevan.

15, 16. (a) Si reagoi kleri në Kanada ndaj transmetimeve tona radiofonike? (b) Si e plotësonin njëri-tjetrin fjalimet dhe predikimi shtëpi më shtëpi?

15 Ky transmetim me shtrirje të gjerë i të vërtetave biblike ra në sy të klerit të krishterimit. Albert Hofmani që e njihte punën e bërë në stacionin radiofonik të Saskaçevanit, Kanada, tha: «Gjithnjë e më shumë njerëz filluan t’i njihnin Studentët e Biblës [siç quheshin Dëshmitarët e Jehovait asokohe]. Më 1928, kur kleri u bëri presion zyrtarëve, ishte dhënë dëshmi e mrekullueshme, dhe si pasojë të gjitha stacioneve radiofonike të Studentëve të Biblës në Kanada ua hoqën licensën.»

16 Ndonëse stacionet tona radiofonike në Kanada u mbyllën, fjalime biblike vazhduan të transmetoheshin në radio private. (Mat. 10:23) Për të rritur efektshmërinë e këtyre programeve, Kulla e Rojës dhe Epoka e artë (sot Zgjohuni!) përmbanin një listë të radiove private që transmetonin të vërtetën biblike, kështu lajmëtarët që predikonin shtëpi më shtëpi  mund t’i nxitnin njerëzit t’i dëgjonin fjalimet në radion lokale. Me çfarë rezultati? Buletini i janarit të vitit 1931 (angl.) thotë: «Predikimi me radio ka qenë mjaft nxitës për vëllezërit që predikojnë shtëpi më shtëpi. Në zyrë kanë ardhur shumë raporte që tregojnë se njerëzit kanë reaguar mirë dhe janë goxha të gatshëm t’i marrin librat që u ofrohen, ngaqë kanë dëgjuar fjalimet e vëlla Radhërfordit.» Buletini i përshkroi transmetimet radiofonike dhe veprën shtëpi më shtëpi si «dy metodat e mëdha të predikimit të organizatës së Zotërisë».

17, 18. Ndonëse rrethanat ndryshuan, si vazhdoi të luante rol radioja?

17 Gjatë viteve 30 të shekullit të 20-të, kundërshtimi për përdorimin e radiostacioneve private u shtua. Prandaj, në fund të vitit 1937, populli i Jehovait u përshtat me rrethanat në ndryshim. Hoqën dorë nga ky lloj transmetimi dhe u përqendruan edhe më tepër te predikimi shtëpi më shtëpi. * Prapëseprapë, radioja vazhdoi të luante rol të rëndësishëm për shpërndarjen e mesazhit të Mbretërisë në disa vende të botës që ishin të largëta ose të izoluara politikisht. Për shembull, nga viti 1951 deri më 1991, një stacion në Berlinin Perëndimor, Gjermani, transmetoi rregullisht fjalime biblike, e kështu ata që jetonin në Gjermaninë Lindore mund të dëgjonin mesazhin për Mbretërinë. Qysh nga 1961-shi dhe më shumë se tri dekada më pas, një radiostacion shtetëror në Surinam, Amerikë e Jugut, transmetoi një program javor prej 15 minutash me të vërteta biblike. Nga 1969 deri në 1977-n, organizata prodhoi më se 350 tema të ndryshme biblike të regjistruara të serisë «I gjithë Shkrimi është i dobishëm». Në Shtetet e Bashkuara, 291 stacione radiofonike, në 48 shtete, i dhanë programet. Në vitin 1996, një radiostacion në Apia, kryeqyteti i Samoas në Paqësorin Jugor, transmetoi një program javor me titull «Përgjigje për pyetjet tuaja biblike».

18 Teksa shekulli i 20-të shkonte drejt fundit, radioja nuk luajti më rol kryesor në përhapjen e lajmit të mirë. Por një teknologji tjetër bëri të mundur t’u çohej lajmi i mirë aq shumë njerëzve, sa s’kishte ndodhur kurrë më parë.

19, 20. Pse e krijoi populli i Jehovait sitin jw.org dhe sa i efektshëm është? (Shih edhe kutinë « JW.ORG».)

19 Interneti. Në vitin 2013, më tepër se 2,7 miliardë veta, gati 40 për qind e popullsisë së botës kishte lidhje Interneti. Sipas disa përllogaritjeve, afro 2 miliardë njerëz hyjnë në Internet me pajisje të tilla elektronike, si smartfona dhe tableta. Kjo shifër vazhdon të rritet në të gjithë globin, por më shpejt po ndodh në Afrikë, ku ka më se 90 milionë abonime Interneti nga tabletat dhe celularët. Këto zhvillime kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën si njerëzit e marrin informacionin.

 20 Që nga 1997-a, populli i Jehovait e ka përvetësuar këtë metodë të komunikimit masiv. Më 2013, u vu në dispozicion faqja e Internetit jw.org në rreth 300 gjuhë dhe informacioni i bazuar në Bibël për t’u shkarkuar në më se 520 gjuhë. Çdo ditë, më shumë se 750.000 veta e vizitojnë sitin. Gjithashtu, çdo muaj shkarkojnë më tepër se 3 milionë libra, 4 milionë revista dhe 22 milionë regjistrime audio.

21. Çfarë mësove nga përvoja e Sinës?

21 Faqja e Internetit është bërë metodë e fuqishme për përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë, edhe në vende ku vepra është në ndalim. Për shembull, në fillim të 2013-s, një burrë me emrin Sina gjeti sitin jw.org, i telefonoi selisë botërore në Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi më shumë informacion rreth Biblës. Pse ishte e pazakontë kjo telefonatë? Sina është me origjinë myslimane dhe jeton në një fshat të thellë, në një vend ku vepra e Dëshmitarëve të Jehovait është rreptësisht e ndaluar. Si rezultat, u morën masa që Sina ta studionte Biblën dy herë në javë me një Dëshmitar në Shtetet e Bashkuara. Studimi bëhej me anë të Internetit.

Mësojnë njerëzit

22, 23. (a) A e kanë zëvendësuar metodat për t’u çuar lajmin e mirë njerëzve të shumtë shërbimin shtëpi më shtëpi? (b) Si i ka bekuar Mbreti përpjekjet tona?

22 Asnjë nga metodat që kemi përdorur për t’u predikuar njerëzve të shumtë, si për shembull, gazeta, «Fotodrama», programet në radio dhe siti jw.org nuk u krijuan që të zëvendësonin  shërbimin shtëpi më shtëpi. Pse jo? Sepse populli i Jehovait mësoi nga modeli i Jezuit. Ai jo vetëm u predikonte turmave të mëdha, por edhe u përqendrua te individët. (Luka 19:1-5) Jezui, gjithashtu i stërviti dishepujt të bënin njësoj dhe u dha një mesazh për të shpallur. (Lexo Lukën 10:1, 8-11.) Siç folëm në kapitullin 6, ata që marrin drejtimin gjithnjë inkurajojnë çdo shërbëtor të Jehovait t’u flasë njerëzve personalisht.​—Vep. 5:42; 20:20.

23 Njëqind vjet pas lindjes së Mbretërisë, afro 8 milionë lajmëtarë marrin pjesë aktivisht që t’u mësojnë të tjerëve qëllimet e Perëndisë. Pa dyshim, Mbreti i ka bekuar metodat që kemi përdorur për të lajmëruar Mbretërinë. Siç do të tregojë kapitulli në vijim, ai na ka siguruar edhe mjetet e nevojshme për t’ia çuar lajmin e mirë çdo kombi, fisi dhe gjuhe.—Zbul. 14:6.

^ par. 17 Më 1957, ata që merrnin drejtimin vendosën ta mbyllnin stacionin tonë të fundit radiofonik, WBBR-në e Nju-Jorkut.