Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 2

Mbretëria lind në qiell

Mbretëria lind në qiell

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Përgatitja që i bëri Perëndia popullit të tij për lindjen e Mbretërisë

1, 2. Cila ishte ngjarja më e madhe në historinë e botës dhe pse njerëzit nuk e panë?

A KE menduar ndonjëherë si do të ndiheshe po të jetoje në një periudhë ndryshimesh të mëdha historike? Shumë e mendojnë. Por mbaj parasysh: po të kishe jetuar në një periudhë të tillë historike, a do t’i kishe parë me sytë e tu ngjarjet kyçe që do të sillnin ndryshimin? Mbase jo. Ngjarjet që sjellin rrëzimin e regjimeve të vjetra dhe që shkruajnë faqet e historisë shpesh ndodhin larg syve të njerëzve. Në njëfarë kuptimi, pjesa më e madhe e historisë shkruhet prapa dyerve të mbyllura, në dhomat e mbretërve, në zyrat private të këshilltarëve a të qeverive. Sidoqoftë, ndryshime të tilla ndikojnë te miliona njerëz.

2 Ç’të themi për ngjarjen më të madhe të të gjitha kohëve që ndodhi në historinë e botës? Kjo ngjarje ndikoi në jetën e milionave e megjithatë u zhvillua larg syve të njerëzve. E kemi fjalën për lindjen e Mbretërisë së Perëndisë në qiell, qeveria mesianike që u premtua shumë kohë më parë dhe që së shpejti do t’i japë fund këtij sistemi. (Lexo Danielin 2:34, 35, 44, 45.) Meqë njerëzit nuk e panë këtë lindje historike, a do të thotë se Jehovai ia fshehu këtë ngjarje njerëzimit? Apo e përgatiti që më parë popullin e tij besnik për këtë ngjarje? Ta shohim.

‘Lajmëtari im ka për të hapur përpara meje një udhë’

3-5. (a) Kush ishte «lajmëtari i besëlidhjes» i përmendur te Malakia 3:1? (b) Ç’do të ndodhte para se «lajmëtari i besëlidhjes» të vinte në tempull?

3 Që nga kohët e lashta, Jehovai kishte si qëllim të përgatiste popullin e tij për lindjen e Mbretërisë mesianike. Të marrim si shembull profecinë te Malakia 3:1: «Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim dhe ai ka për të hapur përpara meje një udhë. Befas në tempullin tim do të vijë Zotëria i vërtetë që ju po kërkoni dhe lajmëtari i besëlidhjes me të cilin kënaqeni.»

4 Në ditët tona, kur erdhi Jehovai, «Zotëria i vërtetë», të hetonte ata që po shërbenin në oborrin tokësor të tempullit të tij frymor? Profecia shpjegon se Jehovai do të vinte me  ‘lajmëtarin e besëlidhjes’. Kush ishte ky lajmëtar? Askush tjetër përveç Mbretit mesianik, Jezu Krishtit. (Luka 1:68-73) Si qeveritar i sapoemëruar, do të hetonte dhe do të rafinonte popullin e Perëndisë në tokë.—1 Pjet. 4:17.

5 Po lajmëtari tjetër që përmendet i pari te Malakia 3:1, kush ishte? Kjo figurë profetike do të dilte në skenë shumë kohë para pranisë së Mbretit mesianik. A e ‘hapi dikush udhën’ para Mbretit mesianik, dekada para vitit 1914?

6. Cili veproi si ‘lajmëtari’ i parathënë që përgatiti popullin e Perëndisë për ngjarjet që do të vinin?

6 Në këtë botim, përgjigjet e pyetjeve të tilla do t’i marrim nga historia emocionuese e popullit të Jehovait të ditëve tona. Kjo histori tregon se, nga fundi i shekullit të 19-të, një grup i vogël njerëzish të sinqertë po shfaqeshin si të krishterë të vërtetë mes një morie të krishterësh të shtirur. Grupi i vogël u njoh si Studentë të Biblës. Ata që morën drejtimin e këtij grupi—Çarls. T. Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë—vepruan si ‘lajmëtari’ i parathënë duke e drejtuar frymësisht popullin e Perëndisë dhe duke e përgatitur për ngjarjet që do të vinin. Të shqyrtojmë katër mënyra si e bëri këtë ‘lajmëtari’.

Adhurim sipas së vërtetës

7, 8. (a) Rreth vitit 1850, cilët filluan ta demaskonin si të gënjeshtërt doktrinën e pavdekësisë së shpirtit? (b) Cilat mësime të tjera demaskuan si të rreme Ç. T. Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë?

7 Studentët e Biblës luteshin për drejtimin e Jehovait ndërsa studionin. Binin dakord, gruponin dhe botonin të vërteta të qarta doktrinale. Për shumë shekuj, krishterimi ishte zhytur në errësirë të thellë frymore. Shumë nga mësimet e tij i kishin rrënjët në paganizëm. Shembull tipik është doktrina e pavdekësisë së shpirtit. Megjithatë, rreth vitit 1850, disa studiues të sinqertë të Biblës e hetuan atë mësim dhe kuptuan se nuk mbështetej në Fjalën e Perëndisë. Henri Gru, Xhorxh Stetsoni dhe Xhorxh Storsi shkruan e mbajtën leksione të guximshme duke e demaskuar atë gënjeshtër satanike. * Studimet e tyre ndikuan thellë te Ç. T. Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

8 Grupi i vogël i Studentëve të Biblës zbuloi se edhe doktrina të tjera të lidhura me pavdekësinë e shpirtit ishin po ashtu kontradiktore dhe të rreme, si për shembull, mësimi se gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell dhe se Perëndia i torturon shpirtrat e pavdekshëm të të ligjve në zjarrin e përhershëm të ferrit. Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë i demaskuan pa frikë këto gënjeshtra nëpër artikuj, libra, fletëpalosje, fletushka shumëfaqëshe dhe nëpër fjalime të botuara në gazeta.

9. Në ç’mënyrë e demaskoi si të rreme Kulla e Rojës e Sionit doktrinën e Trinitetit?

9 Po ashtu, Studentët e Biblës demaskuan gënjeshtrën e doktrinës së Trinitetit që përnderohej gjithandej. Në vitin  1887, revista Kulla e Rojës e Sionit komentoi: «Shkrimet e bëjnë shumë të qartë dallimin si individë mes Jehovait dhe Zotërisë tonë Jezu dhe se njëri është Ati e tjetri Biri.» Artikulli më pas tregoi sa e çuditshme ishte që «ideja e një Perëndie trini​—tre Perëndi në një e njëkohësisht një Perëndi në tre—​të bëhej aq popullore e të pranohej aq gjerësisht. Por ky është një fakt që tregon shkoqur sa thellë flinte kisha ndërsa armiku e shtrëngonte në vargonjtë e gabimit.»

10. Si e tregoi Kulla e Rojës se 1914-a do të ishte vit i shënuar?

10 Siç tregonte titulli i plotë, revista Kulla e Rojës e Sionit dhe Lajmëtarja e pranisë së Krishtit u kushtonte shumë vëmendje profecive për praninë e Krishtit. Të mirosurit besnikë që shkruan për atë revistë, kuptuan se profecia e Danielit për ‘shtatë kohët’ lidhej me llogaritjen e kohës kur do të plotësoheshin qëllimet e Perëndisë për Mbretërinë mesianike. Që në fillim të viteve 70 të shekullit të 19-të, treguan se 1914-a do të ishte viti kur do të mbaronin shtatë kohët. (Dan. 4:25; Luka 21:24) Vëllezërit tanë të asaj epoke akoma nuk e kishin  kapur plotësisht kuptimin e atij viti të shënuar. Megjithatë, aq sa dinin për të vërtetën biblike, e lajmëruan anekënd dhe jehona e atij mesazhi ndihet edhe sot.

11, 12. (a) Cilëve ua dha meritën vëlla Rasëlli për mësimet e tij? (b) Pse ishte e rëndësishme puna që Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij bënë gjatë dekadave para vitit 1914?

11 As Rasëlli e as bashkëpunëtorët e tij besnikë nuk kërkuan të merrnin merita për zbulimin dhe kuptueshmërinë e atyre të vërtetave frymore e jetësore. Rasëlli u dha shumë meritë të tjerëve. Mbi të gjitha, ia dha meritën Perëndisë Jehova që i mësoi popullit të Tij çfarë duhej të dinte atëherë kur duhej ta dinte. U duk qartë se Jehovai i bekoi përpjekjet e Rasëllit dhe të bashkëpunëtorëve të tij për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Përgjatë viteve, ata qëndruan gjithnjë e më të ndarë e të ndryshëm nga krishterimi.

Vëlla Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë mbrojtën të vërtetat biblike

12 Puna që bënë ata burra besnikë për të mbrojtur të vërtetat doktrinale në dekadat para vitit 1914, ishte mbresëlënëse. Të kthehemi pas në kohë e të lexojmë atë që thoshte Kulla e Rojës e Sionit dhe Lajmëtarja e pranisë së Krishtit e 1 nëntorit 1917 (angl.): «Sot miliona njerëz janë çliruar nga barra e frikës që u ishte vendosur mbi supe nga mësimet për ferrin e zjarrtë dhe nga doktrina të tjera të rreme . . . Batica e së vërtetës, që nisi më shumë se dyzet vjet më parë, po ngrihet e do të vazhdojë të ngrihet gjersa të mbulojë gjithë tokën. Kot përpiqen kundërshtarët e saj të pengojnë përhapjen e së vërtetës anembanë tokës, se është njëlloj si të zmbrapsin me fshesë dallgët e një oqeani të paanë.»

13, 14. (a) Si ndihmoi ‘lajmëtari’ që t’i hapte rrugën Mbretit mesianik? (b) Ç’mund të mësojmë nga vëllezërit tanë që jetuan mbi 100 vjet më parë?

13 Mendo për këtë: a do të përgatitej populli i Perëndisë për fillimin e pranisë së Krishtit po të mos ishte në gjendje të bënte dallimin mes Jezuit dhe Atit të tij, Jehovait? Sigurisht që jo! Nuk do të përgatiteshin as po ta shihnin pavdekësinë si diçka që mund ta merrnin të gjithë e jo si një dhuratë të çmuar që i jepet vetëm një numri relativisht të vogël ndjekësish të gjurmëve të Jezuit e as po të mendonin se Perëndia i torturon njerëzit në ferrin e zjarrtë për gjithë përjetësinë. Pa dyshim, ‘lajmëtari’ i përgatiti rrugën Mbretit mesianik.

14 Ç’të themi për ne sot? Çfarë mund të mësojmë nga vëllezërit tanë që jetuan mbi 100 vjet më parë? Ngjashëm tyre duhet të jemi lexues dhe studiues të etur të Fjalës së Perëndisë. (Gjoni 17:3) Ndërsa kjo botë e dhënë pas parave bëhet kockë e lëkurë frymësisht, oreksi ynë për ushqim frymor u shtoftë gjithnjë e më shumë!​—Lexo 1 Timoteut 4:15.

«Dilni prej saj, o populli im»

15. Çfarë arritën të kuptonin dalëngadalë Studentët e Biblës? (Shih edhe shënimin.)

15 Studentët e Biblës mësonin se ishte e domosdoshme shkëputja nga kishat. Më 1879, Kulla e Rojës përdori termin «kisha babilonike». Mos e kishte fjalën për papatin? Për Kishën  Katolike të Romës? Për shekuj me radhë, grupet protestante mendonin se Babilonia e përmendur në profecinë biblike, paraqiste Kishën Katolike. Sidoqoftë, Studentët e Biblës dalëngadalë arritën të kuptonin se të gjitha kishat e krishterimit ishin pjesë e «Babilonisë» moderne. Pse? Sepse të gjitha mësonin të njëjtat gënjeshtra doktrinale si ato që u përmendën më sipër. * Me kalimin e kohës, botimet tona treguan gjithnjë e më troç se ç’duhej të bënin anëtarët me zemër të ndershme të kishave babilonike.

16, 17. (a) Si e nxitën vëllimi III i librit Agimi i Mijëvjeçarit dhe Kulla e Rojës popullin e Perëndisë të çregjistrohej nga feja e rreme? (b) Çfarë i zbuti këto paralajmërime? (Shih edhe shënimin.)

16 Për shembull, në vitin 1891, vëllimi III i librit Agimi i Mijëvjeçarit (angl.) trajtoi hedhjen poshtë të Babilonisë moderne nga Perëndia dhe thoshte: «Krejt sistemi​—sistemi i sistemeve—​është flakur tutje.» Më pas shtonte: «Të gjithë atyre që nuk janë dakord me doktrinat dhe praktikat e saj false u bëjmë thirrje të ndahen prej saj.»

17 Kulla e Rojës e janarit 1900 (angl.), jepte këshilla për ata që i kishin ende emrat të shkruar në regjistrat e anëtarësisë së kishave të krishterimit dhe që justifikoheshin duke thënë: «Jam shumë dakord me të vërtetën dhe rrallë shkoj në ndonjë mbledhje tjetër.» Në artikull bëhej pyetja: «Por, a është e drejtë të jesh gjysmë jashtë e gjysmë në Babiloni? A është kjo bindja që kërkohet . . . dhe a është e kënaqshme dhe e pranueshme për Perëndinë? Sigurisht që jo. Ai [anëtari i kishës] ka bërë publikisht besëlidhje me grupin kur u bë pjesë e tij, dhe është i detyruar të jetojë me besnikëri sipas të gjitha kushteve të asaj besëlidhjeje derisa . . . të japë dorëheqjen publikisht ose të anulojë anëtarësinë.» Gjatë viteve, ky mesazh u shpreh me më shumë forcë. * Shërbëtorët e Jehovait duhet të shkëputin çdo lidhje me fenë e rreme.

18. Pse ishte e rëndësishme që populli i Perëndisë të dilte nga Babilonia e Madhe?

18 Sikur paralajmërimet për të dalë nga Babilonia e Madhe të mos ushtonin rregullisht, a do të kishte Krishti, si Mbret i sapokurorëzuar, një trup të mirosurish të përgatitur në tokë? Kuptohet që jo, sepse vetëm të krishterët e çliruar nga kthetrat e Babilonisë mund ta adhurojnë Jehovain «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) A jemi edhe ne po aq të vendosur për t’i qëndruar larg fesë së rreme? Iu bindshim gjithmonë urdhrit: «Dilni prej saj, o populli im.»​—Lexo Zbulesën 18:4.

Mbledhje për të adhuruar

19, 20. Çfarë nxitjeje i dha Kulla e Rojës popullit të Perëndisë për mbledhjet për adhurim?

19 Studentët e Biblës mësonin se bashkëbesimtarët duhej të mblidheshin për të adhuruar, ku ekzistonte mundësia. Për të krishterët e vërtetë nuk mjafton vetëm të dalin nga feja e rreme. Është jetike edhe të marrin pjesë në  adhurimin e pastër. Që në numrat e saj të parë, Kulla e Rojës inkurajoi lexuesit të mblidheshin për të adhuruar. Për shembull, në korrik të vitit 1880, vëlla Rasëlli bëri një raport të turneut të tij të fjalimeve dhe komentoi sa inkurajuese ishin gjithë ato mbledhje. Më pas i nxiti lexuesit të dërgonin kartela për përparimin—disa prej të cilave do të botoheshin në faqet e revistës. Me çfarë qëllimi? «Të gjithë ne ta marrim vesh . . . se si ju begaton Zotëria kur mblidheni me të tjerë që kanë të njëjtin besim të vyer.»

Çarls Rasëlli me një grup të hershëm të Studentëve të Biblës në Kopenhagë, Danimarkë, më 1909

20 Më 1882, në Kullën e Rojës doli artikulli «Të mblidhemi së bashku». Artikulli i nxiste të krishterët t’i mbanin mbledhjet «për ndërtim, inkurajim dhe forcim reciprok». Më tej thoshte: «Ka apo jo mes jush të mësuar a të talentuar, nuk është problem. Secili të marrë me vete Biblën, letër, laps e të keni sa më shumë mjete ndihmëse, si renditës fjalësh, . . . që të jetë e mundur. Zgjidhni një temë, kërkoni drejtimin e frymës që ta kuptoni, pastaj lexoni, mendoni, krahasoni  shkrimet me njëri-tjetrin dhe sigurisht që do të gjeni të vërtetën.»

21. Çfarë shembulli la kongregacioni i Allegenisë, Pensilvani, për mbledhjet dhe për merakun baritor?

21 Studentët e Biblës e kishin selinë në Allegeni të Pensilvanisë, SHBA. Ata lanë një shembull të shkëlqyer në atë vend me mbledhjet e tyre duke iu bindur këshillës së frymëzuar të Hebrenjve 10:24, 25. (Lexoje.) Kohë më vonë, Çarls Kepëni, një vëlla i moshuar, solli ndër mend pjesëmarrjen në ato mbledhje kur ishte djalosh. Ai shkroi: «Ende e kujtoj një nga shkrimet e shkruara në murin e sallës së mbledhjeve të shoqatës: ‘Një është mësonjësi juaj, Krishti, edhe të gjithë ju jeni vëllezër.’ Ai shkrim më ngeli në mendje​—nuk ka dallime klerikë-besimtarë të thjeshtë në popullin e Jehovait.» (Mat. 23:8) Vëlla Kepëni kujtoi gjithashtu mbledhjet nxitëse, inkurajimin e ngrohtë dhe merakun që tregonte vetë vëlla Rasëlli si bari, për secilin anëtar të kongregacionit.

22. Si iu përgjigjën besnikët nxitjes për të marrë pjesë në mbledhjet e krishtere dhe ç’mësojmë prej tyre?

22 Besnikët e imituan këtë shembull dhe i ndoqën udhëzimet që u dhanë. U formuan kongregacione në shtete të tjera, si në Ohajo e Miçigan, dhe më pas në gjithë Amerikën e Veriut e në vende të tjera. Si thua: a do të ishte përgatitur populli i Jehovait për praninë e Krishtit po të mos mësonte bindjen ndaj këshillës së frymëzuar që të mblidhej për të adhuruar? E qartë që jo. Po ne sot? Duhet të jemi po aq të vendosur që të ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere duke shfrytëzuar çdo mundësi për të adhuruar bashkë me të tjerët e për të ndërtuar frymësisht njërit-tjetrin.

 Predikim i zellshëm

23. Si e bëri të qartë Kulla e Rojës se të gjithë të mirosurit duhet të jenë predikues të së vërtetës?

23 Studentët e Biblës mësonin se të gjithë të mirosurit duhet të jenë predikues të së vërtetës. Më 1885, Kulla e Rojës thoshte: «Nuk duhet të harrojmë se çdo anëtar i trupit të të mirosurve është mirosur që të predikojë (Isa. 61:1), është thirrur për shërbim.» Një nga numrat e 1888-s kishte këtë nxitje: «Detyra jonë është e qartë, . . . po ta shpërfillnim dhe të nxirrnim justifikime, do të ishim shërbëtorë dembelë e do të quheshim të padenjë për pozitën e lartë për të cilën jemi thirrur.»

24, 25. (a) Çfarë bënë tjetër Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë përveç inkurajimit për të predikuar? (b) Si e përshkroi punën e tij një përhapës në periudhën kur «makinat ishin gjë e rrallë»?

24 Vëlla Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë jo vetëm inkurajuan të tjerët të predikonin, por bënë edhe më shumë. Filluan të prodhonin fletushkat shumëfaqëshe të quajtura Fletushkat e Studentëve të Biblës që më vonë u quajtën Tremujorja e teologjisë së vjetër. Lexuesit e Kullës së Rojës i merrnin këto fletushka që t’ua shpërndanin njerëzve falas.

Pyet veten: «A e kam bërë shërbimin qendrën e jetës sime?»

25 Ata që iu kushtuan shërbimit në kohë të plotë u quajtën përhapës. Çarls Kepëni, që u përmend më sipër, ishte një prej tyre. Ai kujtoi: «Përdorja harta të nxjerra nga Instituti Topografik Gjeologjik i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të përshkuar territorin tim në Pensilvani. Këto harta tregonin çdo rrugë dhe më ndihmonin të shkoja më këmbë në çdo cep të provincave. Ndonjëherë, pas një udhëtimi treditor në zona të thella për të marrë porosi për librat e serisë Studime mbi Shkrimet, merrja me qira një kaloshin që të çoja porositë. Shpesh netëve flija te fermerët. Ato ditë, makinat ishin gjë e rrallë.»

Një përhapës. Shih pak «Diagramin e epokave» të shkruar në anë të karrocës

26. (a) Pse populli i Perëndisë duhej të predikonte që të përgatitej për mbretërimin e Krishtit? (b) Për çfarë duhet ta pyesim veten?

26 Ato përpjekje të hershme për të predikuar, pa dyshim që donin guxim dhe zell. A do të ishin përgatitur të krishterët e vërtetë për mbretërimin e Krishtit po të mos kishin mësuar rëndësinë e veprës së predikimit? Jo. Tek e fundit, ajo vepër do të bëhej tipar i jashtëzakonshëm i pranisë së Krishtit. (Mat. 24:14) Populli i Perëndisë kishte nevojë të përgatitej që ta bënte atë vepër jetëshpëtuese qendrën e jetës së tij. Edhe ne duhet të pyesim veten: «A e kam bërë shërbimin qendrën e jetës sime? A sakrifikoj që të marr pjesë plotësisht në këtë vepër?»

Lind Mbretëria e Perëndisë!

27, 28. Çfarë pa apostulli Gjon në vegim dhe si reaguan Satanai e demonët për lindjen e Mbretërisë?

27 Viti historik 1914, më në fund erdhi. Siç u shpjegua në fillim të kapitullit, ngjarjet e lavdishme qiellore nuk u panë nga njerëzit. Sidoqoftë, apostullit Gjon iu dha një vegim që i përshkruante ngjarjet me terma simbolikë. Përfytyro: Gjoni sheh ‘një shenjë të madhe’ në qiell. ‘Gruaja’ e Perëndisë, organizata e Tij me krijesa frymore në qiell, është shtatzënë  dhe lind një fëmijë mashkull. Na bëhet e ditur se fëmija simbolik së shpejti «do të sundojë [do të qeverisë] mbi të gjitha kombet me një shkop të hekurt». Por, pas lindjes, fëmija ‘rrëmbehet për te Perëndia dhe froni i tij’. Një zë i fortë në qiell thotë: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia, mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij.»​—Zbul. 12:1, 5, 10.

28 S’kemi dyshim se Gjoni pa në vegim lindjen e Mbretërisë mesianike. Ishte një ngjarje e lavdishme, por nuk u kënaqën të gjithë me të. Satanai dhe demonët e tij luftuan kundër engjëjve besnikë, që ishin nën udhëheqjen e Mikaelit, Krishtit. Si përfundoi lufta? Lexojmë: «U hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. U hodh poshtë në tokë ai bashkë me engjëjt e tij.»—Zbul. 12:7, 9.

Më 1914, Studentët e Biblës filluan të dallonin shenjën e pranisë së padukshme të Krishtit

29, 30. Pas lindjes së Mbretërisë mesianike, si ndryshuan kushtet (a) në tokë? (b) në qiell?

29 Shumë kohë para vitit 1914, Studentët e Biblës kishin thënë se në këtë vit të shënuar do të niste një periudhë e vështirë. Por, as nuk mund ta kishin imagjinuar sa i saktë do të dilte ai parashikim. Siç tregoi vegimi i Gjonit, më pas Satanai do të fillonte të kishte ndikim edhe më të madh mbi shoqërinë njerëzore: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Zbul. 12:12) Më 1914 plasi Lufta e Parë Botërore dhe shenja e pranisë së Krishtit si Mbret nisi të plotësohej në shkallë botërore. ‘Ditët e fundit’ të sistemit filluan.​—2 Tim. 3:1.

30 Ama në qiell kishte hare. Satanai dhe demonët ishin dëbuar një herë e mirë. Në tregimin e Gjonit lexojmë: «Prandaj, gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta!» (Zbul. 12:12) Tani që qiejt ishin pastruar dhe Jezui ishte ulur në fron si Mbret, Mbretëria mesianike ishte në gatishmëri për të vepruar në dobi të popullit të Perëndisë në tokë. Ç’veprime do të ndërmerrte? Ashtu si pamë në fillim të kapitullit, Krishti, si «lajmëtari i besëlidhjes», fillimisht do të vepronte si rafinues i shërbëtorëve të Perëndisë në tokë. Ç’do të thoshte kjo?

Kohë prove

31. Çfarë paratha Malakia për periudhën e rafinimit dhe si nisi të plotësohej profecia? (Shih edhe shënimin.)

31 Malakia paratha se procesi i rafinimit nuk do të ishte i kollajshëm. Ai shkroi: «Kush do ta durojë ditën e ardhjes së tij dhe kush do të qëndrojë në këmbë kur të shfaqet ai? Sepse do të jetë si zjarri i rafinuesit dhe si finja e rrobalarësit.» (Mal. 3:2) Sa të vërteta dolën këto fjalë! Duke filluar nga viti 1914, populli i Perëndisë në tokë kaloi një zinxhir sprovash e vështirësish të mëdha. Ndërsa Lufta I Botërore shfrynte gjithë dufin e saj, shumë Studentë të Biblës u persekutuan egërsisht e u burgosën. *

32. Çfarë turbullirash kishte brenda organizatës pas vitit 1916?

 32 Edhe brenda organizatës kishte turbullira. Në vitin 1916, vëlla Rasëlli vdiq në moshën 64-vjeçare duke tronditur shumë pjesëtarë të popullit të Perëndisë. Vdekja e tij nxori në pah se disa i kishin dhënë tepër rëndësi një njeriu të shkëlqyer. Edhe pse vëlla Rasëlli nuk e donte këtë nderim, njëfarë ndjenje adhurimi u zhvillua për të. Shumë mendonin se zbulimi progresiv i së vërtetës mbaroi me vdekjen e tij e disa iu kundërvunë përpjekjeve për të ecur përpara. Ky qëndrim i kontribuoi shpërthimit të apostazisë që ndau organizatën.

33. Si u vu në provë populli i Perëndisë nga shpresat e parealizuara?

33 Një provë tjetër ishin shpresat e parealizuara. Edhe pse Kulla e Rojës me të drejtë kishte thënë se në vitin 1914 do të mbaronin kohët e johebrenjve, vëllezërit ende nuk e dinin se ç’do të ndodhte atë vit. (Luka 21:24) Ata mendonin se më 1914 Krishti do të merrte në qiell klasën e mirosur të nuses, që të qeveriste me të. Këto shpresa nuk u realizuan. Nga fundi i vitit 1917, Kulla e Rojës njoftoi se një periudhë 40-vjeçare korrjeje do të përfundonte në pranverë të vitit 1918. Por vepra e predikimit nuk mbaroi. Madje lulëzoi pas asaj date. Revista sugjeroi se, ndonëse korrja kishte përfunduar, ngelej ende një periudhë e mbledhjes së kallëzave të mbetura. Prapëseprapë, shumë u zhgënjyen dhe nuk i shërbyen më Jehovait.

34. Cila sprovë e frikshme u paraqit në vitin 1918 dhe pse të krishterët e rremë menduan se populli i Perëndisë «vdiq»?

34 Një sprovë frikësuese u paraqit në vitin 1918. Xh. F. Radhërfordi, që zëvendësoi Ç. T. Rasëllin si drejtues i popullit të Perëndisë, dhe shtatë vëllezër të tjerë përgjegjës u arrestuan. Atyre iu dha padrejtësisht një dënim shumëvjeçar në burgun federal të Atlantës, Xhorxhia, SHBA. Për ca kohë, vepra e popullit të Perëndisë mund të dukej e paralizuar. Shumë klerikëve të krishterimit iu bë zemra mal. Ata mendonin se, meqë «liderët» u burgosën, selia në Bruklin u mbyll dhe vepra e predikimit po sulmohej në Amerikë e Evropë, Studentët e bezdisshëm të Biblës kishin «vdekur», s’përbënin më rrezik. (Zbul. 11:3, 7-10) Oh, sa gabim e kishin!

Kohë gjallërimi!

35. Pse Jehovai lejoi që populli i tij të sprovohej dhe çfarë bëri për t’i ndihmuar?

35 Armiqtë e së vërtetës as ia kishin idenë se Jezui po i lejonte këto vështirësi mbi popullin e tij ngaqë Jehovai ishte ulur «si rafinues dhe si pastrues i argjendit». (Mal. 3:3) Jehovai dhe Biri i tij ishin të sigurt se besnikët do të dilnin nga sprovat e zjarrta të rafinuar, të kulluar dhe më të përshtatshëm se kurrë për t’i shërbyer Mbretit. Që në fillim të vitit 1919, u duk qartë se fryma e Perëndisë kishte bërë diçka që armiqtë e popullit të tij mendonin se ishte e pamundur. Besnikët u gjallëruan! (Zbul. 11:11) Në atë kohë, Krishti plotësoi  një veçori të rëndësishme të shenjës së ditëve të fundit. Emëroi «skllavin e besueshëm e të matur», një grup të vogël burrash të mirosur që do të drejtonin popullin e tij duke shpërndarë ushqim frymor në kohën e duhur.​—Mat. 24:45-47.

36. Nga u duk se populli i Perëndisë u gjallërua frymësisht?

36 Vëlla Radhërfordi dhe bashkëpunëtorët e tij u liruan nga burgu më 26 mars 1919. Menjëherë u programua një kongres për shtatorin e atij viti. U planifikua botimi i një reviste tjetër që do të quhej Epoka e artë. Si shoqëruese e Kullës së Rojës, kjo revistë u përgatit për shërbimin në fushë. * Po atë vit u botua numri i parë i Buletinit, që tani quhet Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë​—⁠Fletëstudimi për mbledhje, i cili që në fillim i ka dhënë shtysë shërbimit në fushë. Duke filluar nga viti 1919, shërbimit shtëpi më shtëpi iu dha gjithnjë e më shumë përparësi.

37. Si treguan disa se ishin jobesnikë pas vitit 1919?

37 Vepra e predikimit i rafinoi më tej shërbëtorët e Krishtit, pasi atyre që ishin kryelartë e arrogantë u dukej vetja tepër të rëndësishëm për këtë punë të përulur. Ata që nuk mund të ecnin në një hap me veprën, u ndanë nga besnikët.  Pas vitit 1919, disa jobesnikë që u kishte ngelur hatri përdorën shpifjet me gojë e shkrim, madje u bënë ortakë me persekutuesit e shërbëtorëve besnikë të Jehovait.

38. Për çfarë na bindin sukseset dhe fitoret e dishepujve të Krishtit në tokë?

38 Ndjekësit e Krishtit në tokë po lulëzonin e po begatoheshin frymësisht, edhe pse nën sulm. Që prej asaj kohe, çdo sukses e çdo fitore e tyre na jep prova bindëse se Mbretëria e Perëndisë qeveris! Vetëm me ndihmën dhe bekimin e Perëndisë, që vijnë nëpërmjet Birit të tij dhe Mbretërisë mesianike, një grup njerëzish të papërsosur mund të korrnin një fitore pas tjetrës mbi Satanain dhe sistemin e lig!​—Lexo Isainë 54:17.

Vëlla Radhërfordi duke bërë një fjalim entuziast në një kongres, pak muaj pas lirimit nga burgu

39, 40. (a) Cilat janë disa veçori të këtij libri? (b) Çfarë do të fitosh nga studimi i tij?

39 Në kapitujt e ardhshëm do të shqyrtojmë arritjet e Mbretërisë së Perëndisë në tokë, gjatë shekullit të saj të parë, pas lindjes në qiell. Çdo pjesë e librit do të shqyrtojë një aspekt të spikatshëm të veprës së Mbretërisë këtu mbi tokë. Në çdo kapitull, një kuti rishikimi do të ndihmojë secilin prej nesh të përcaktojë sa reale është Mbretëria. Në kapitujt e fundit do të diskutojmë se çfarë mund të presim kur Mbretëria së shpejti të vijë për të shkatërruar të ligjtë dhe për të sjellë një tokë parajsore. Çfarë do të fitosh nga studimi i këtij libri?

40 Satanai kërkon të të gërryej besimin te Mbretëria e Perëndisë. Ndërsa Jehovai dëshiron të të forcojë besimin që të jesh i mbrojtur e i fortë. (Efes. 6:16) Ja pse të përgjërohemi ta studiosh me ngulm këtë botim. Pyet veten vazhdimisht: «A është reale Mbretëria e Perëndisë për mua?» Sa më reale të jetë për ty, aq më shumë mundësi ka që dita, kur gjithë njerëzit të shohin se Mbretëria e Perëndisë është e vërtetë dhe po qeveris, të të gjejë duke mbështetur besnikërisht e aktivisht këtë Mbretëri!

^ par. 7 Që të mësosh më shumë për Gru, Stetson dhe Stors, shih librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqet 45, 46, angl.

^ par. 15 Edhe pse Studentët e Biblës e kuptuan nevojën për t’u ndarë nga organizatat fetare që kishin miqësi me botën, për vite i panë si vëllezër të krishterë ata që nuk ishin Studentë të Biblës, por që kishin besim te shpërblesa dhe deklaronin se i ishin kushtuar Perëndisë.

^ par. 17 Një faktor që zbuti këto paralajmërime ishte se kryesisht u aplikuan për kopenë e vogël të Krishtit prej 144.000 vetash. Në kapitullin 5 do të shohim se, para vitit 1935 mendohej se ‘turma e madhe’, siç e përshkruan Zbulesa 7:9, 10 nga King James Version, do të përfshinte anëtarë të panumërt të kishave të krishterimit. Këta do të bëheshin një klasë qiellore dytësore, si shpërblim ngaqë mbajtën anën e Krishtit deri në kohën e fundit (duke iu referuar ardhjes së tij).

^ par. 31 Në shtator të vitit 1920, u botua një numër special i revistës Epoka e artë (tani Zgjohuni!) që tregoi me hollësi disa raste persekutimi të kohës së luftës, disa prej tyre çnjerëzore, që kishin ndodhur në Angli, Gjermani, Kanada e në Shtetet e Bashkuara. Në kontrast, në dekadat para Luftës së Parë Botërore kishte shumë pak raste të një persekutimi të tillë.

^ par. 36 Për shumë vjet Kulla e Rojës shkruhej kryesisht për anëtarët e kopesë së vogël, për ndërtimin e tyre.