Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 19

Vepra e ndërtimit nderon Jehovain

Vepra e ndërtimit nderon Jehovain

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Vepra mbarëbotërore e ndërtimit u shërben interesave të Mbretërisë

1, 2. (a) Çfarë u ka sjellë kënaqësi prej kohësh shërbëtorëve të Jehovait? (b) Çfarë çmon Jehovai?

SHËRBËTORËT besnikë të Jehovait prej kohësh kanë ndërtuar me kënaqësi vende që i sjellin lavdi emrit të tij. Për shembull, izraelitët morën pjesë me entuziazëm në ndërtimin e tabernakullit dhe me bujari dhanë materiale për të.​—Dal. 35:30-35; 36:1, 4-7.

2 Jehovai nuk i sheh materialet e ndërtimit në vetvete si gjërat kryesore që e nderojnë ose si gjërat që vlerëson më shumë. (Mat. 23:16, 17) Jehovai çmon dhuratën që e nderon mbi gjithçka tjetër: adhurimin e shërbëtorëve të tij, përfshirë frymën e gatshme dhe punën e zellshme. (Dal. 35:21; Mar. 12:41-44; 1 Tim. 6:17-19) Ky fakt është domethënës. Pse? Sepse ndërtesat janë të përkohshme. Për shembull, tabernakulli dhe tempulli nuk ekzistojnë më. Megjithatë, Jehovai nuk e ka harruar bujarinë dhe mundin e shërbëtorëve të tij besnikë që mbështetën ndërtimin e këtyre strukturave.​—Lexo 1 Korintasve 15:58; Hebrenjve 6:10.

3. Ç’do të shohim në këtë kapitull?

3 Edhe shërbëtorët e Jehovait në ditët tona kanë punuar fort për të ndërtuar vende adhurimi. Ajo që kemi arritur nën drejtimin e Mbretit Jezu Krisht është vërtet e jashtëzakonshme! Po, Jehovai i ka bekuar përpjekjet tona. (Psal. 127:1) Në këtë kapitull, do të shohim vetëm një pjesë të veprës që është bërë dhe si e ka nderuar kjo Jehovain. Gjithashtu do të lexojmë për disa që janë përfshirë në këtë vepër.

Ndërtojmë Salla Mbretërie

4. (a) Pse na duhen më shumë vende adhurimi? (b) Pse janë shkrirë disa zyra degësh? (Shih kutinë « Ndërtimi i degëve​—Ndryshime sipas nevojave».)

4 Siç e pamë në kapitullin 16, Jehovai kërkon që të mblidhemi për adhurim. (Hebr. 10:25) Mbledhjet jo vetëm na forcojnë besimin, por edhe na shtojnë entuziazmin për veprën e predikimit. Ndërkohë që shkojmë thellë në ditët e fundit, Jehovai vazhdon ta përshpejtojë këtë vepër. Si rezultat, qindra mijë veta mblidhen çdo vit në organizatën e tij.  (Isa. 60:22) Me rritjen e numrit të nënshtetasve të Mbretërisë shtohet si nevoja për shtypshkronja që të prodhohet literaturë biblike, edhe nevoja për më shumë vende adhurimi.

5. Pse është i përshtatshëm emërtimi Sallë Mbretërie? (Shih edhe kutinë « Kisha ‘Drita e re’».)

5 Që në fillim të historisë moderne të popullit të Jehovait, Studentët e Biblës kuptuan se duhej të kishin vendet e tyre të adhurimit. Me sa duket, një nga vendet e para të adhurimit u ndërtua më 1890, në Virxhinian Perëndimore, SHBA. Deri në vitet 30 të shekullit të 20-të, populli i Jehovait kishte ndërtuar dhe rinovuar goxha salla, por këto vende adhurimi ende nuk kishin një emër specifik. Megjithatë, më 1935, vëlla Radhërfordi vizitoi Havain ku po ndërtohej një sallë bashkë me një zyrë dege të re. Kur u pyet si duhej të quhej kjo ndërtesë, vëlla Radhërfordi u përgjigj: «A nuk mendon se duhet të quhet ‘Sallë Mbretërie’ meqë këtë po bëjmë, po predikojmë lajmin e mirë për  Mbretërinë?!» (Mat. 24:14) Ky emër i përshtatshëm nuk do të përdorej vetëm për atë sallë, por për shumicën e vendeve të adhurimit që përdorin kongregacionet e popullit të Jehovait anembanë botës.

6, 7. Çfarë ka sjellë ndërtimi i Sallave të Mbretërisë me metodën e shpejtë?

6 Në vitet 70 të shekullit të 20-të, nevoja për Salla Mbretërie po rritej vrullshëm. Prandaj, vëllezër në Shtetet e Bashkuara zhvilluan një metodë të efektshme për të ndërtuar struktura tërheqëse dhe funksionale vetëm në pak ditë. Deri në vitin 1983, gati 200 Salla Mbretërie të tilla ishin ndërtuar në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Për të bërë punën, vëllezërit filluan të formonin komitete rajonale ndërtimi. Kjo metodë funksionoi kaq mirë, saqë në vitin 1986 Trupi Udhëheqës e zyrtarizoi rregullimin dhe, më 1987, në Shtetet e Bashkuara kishte 60 Komitete Rajonale Ndërtimi (KRN). * Gjithashtu, më 1992, KRN-të ishin caktuar edhe në Afrikën e Jugut, Argjentinë, Australi, Francë, Gjermani, Japoni, Meksikë dhe Spanjë. Sigurisht, vëllezërit e palodhur që ndërtojnë Salla Mbretërie dhe Salla Asamblesh meritojnë mbështetjen tonë, sepse puna që bëjnë është pjesë e shërbimit të shenjtë.

7 Këto Salla Mbretërie të ndërtuara shpejt sollën dëshmi të mrekullueshme në komunitetet ku u ndërtuan. Për shembull, kryeartikulli i një gazete në Spanjë titullohej «Besimi lëviz malet». Duke komentuar për ndërtimin e një Salle  Mbretërie të këtillë në qytetin e Martosit, gazeta pyeste: «Si është e mundur që në këtë botë egoiste, vullnetarë joegoistë nga vise të ndryshme [të Spanjës] vijnë në Martos për të ngritur një ndërtesë që ka thyer çdo rekord të shpejtësisë, saktësisë dhe organizimit?» Artikulli përgjigjej duke cituar fjalët e një vullnetari Dëshmitar: «Kjo është e mundur se jemi popull i mësuar nga Jehovai.»

Ndërtojmë në vende me të ardhura të kufizuara

8. Cilin program të ri miratoi Trupi Udhëheqës në vitin 1999 dhe pse?

8 Ndërsa shekulli i 20-të po mbaronte, në vendet ku vëllezërit kanë të ardhura të kufizuara, shumë njerëz vërshuan drejt organizatës së Jehovait. Kongregacionet bënë çmos të ndërtonin vende adhurimi. Por, në disa vende, u përballën me tallje dhe paragjykime, ngaqë Sallat e Mbretërisë ishin primitive po t’i krahasoje me vende të tjera adhurimi. Gjithsesi, në vitin 1999, Trupi Udhëheq miratoi një program për të përshpejtuar ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vendet në zhvillim. U vunë në dispozicion të ardhura nga vende më të begata, që të kishte «barazi». (Lexo 2 Korintasve 8:13-15.) Vëllezër dhe motra nga vende të tjera dolën vullnetarë për të ndihmuar.

9. Cila punë dukej kolosale, por çfarë u arrit?

9 Në fillim puna dukej kolosale. Një raport i vitit 2001 tregoi se nevojiteshin mbi 18.300 Salla Mbretërie në 88 vende në zhvillim. Sidoqoftë, me mbështetjen e frymës së Perëndisë dhe të Mbretit tonë Jezu Krisht, asnjë punë nuk  është e pamundur. (Mat. 19:26) Për gati 15 vjet, nga 1999-a deri më 2013, populli i Perëndisë kishte ndërtuar 26.849 Salla Mbretërie si pjesë të këtij programi. * Jehovai vazhdon ta bekojë veprën e predikimit, ndaj në vitin 2013 nevojiteshin ende thuajse 6.500 Salla Mbretërie në këto vende dhe qindra të tjera nevojiten çdo vit.

Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë në vende me të ardhura të kufizuara paraqet sfida të veçanta

10-12. Si e ka nderuar emrin e Jehovait ndërtimi i Sallave të Mbretërisë?

10 Si e ka nderuar emrin e Jehovait ndërtimi i këtyre Sallave të reja të Mbretërisë? Një raport nga zyra e degës në Zimbabve tha: «Brenda një muaji, pasi ndërtojmë një Sallë të re Mbretërie, numri i të pranishmëve zakonisht dyfishohet.» Në mjaft vende, duket se njerëzit ngurrojnë të shoqërohen me ne derisa ndërtohet një vend i përshtatshëm adhurimi. Sidoqoftë, sapo ndërtohet, Salla e Mbretërisë mbushet plot dhe nevojitet një tjetër. Por nuk është vetëm pamja e strukturës që i afron njerëzit te Jehovai. Edhe dashuria e sinqertë e krishterë e shfaqur nga ata që i ndërtojnë sallat, ndikon te mënyra si e shohin njerëzit organizatën e tij. Shih disa shembuj.

11 Indonezi. Kur një burrë që kishte parë ndërtimin e një Salle Mbretërie mori vesh se të gjithë punëtorët ishin vullnetarë, tha: «Jeni njerëz të jashtëzakonshëm! Kam parë si punon me gjithë zemër dhe gëzim secili nga ju, edhe pse nuk paguheni. Mendoj se nuk ka organizatë tjetër fetare si ju!»

12 Ukrainë. Një grua që kishte kaluar çdo ditë pranë një projekti për ndërtimin e një Salle Mbretërie, arriti në përfundimin se punëtorët ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe se ndërtesa duhej të ishte Sallë Mbretërie. Ajo tha: «Kisha dëgjuar për Dëshmitarët e Jehovait nga motra ime që është një prej jush. Kur pashë punën e ndërtimit, doja që edhe unë të bëja pjesë në këtë familje frymore. Këtu kam parë të shfaqet dashuri.» Kjo grua pranoi një studim biblik dhe u pagëzua më 2010.

13, 14. (a) Çfarë mësimi nxore nga mënyra si reagoi një çift i martuar pasi vërejti çfarë bëhej në kantierin e ndërtimit të një Salle Mbretërie? (b) Çfarë mund të bësh që vendi yt i adhurimit ta nderojë emrin e Jehovait?

13 Argjentinë. Një çift i martuar iu afrua vëllait që mbikëqyrte kantierin e ndërtimit të një Salle Mbretërie. Burri tha: «Ju kemi parë duke ndërtuar Sallën e Mbretërisë dhe . . . duam të mësojmë për Perëndinë në këtë vend.» Më pas pyeti: «Çfarë duhet të bëjmë që të kualifikohemi për të ndjekur mbledhjet këtu?» Çifti pranoi një studim biblik, me kusht që të merrte pjesë e gjithë familja. Vëllezërit e pranuan kushtin me kënaqësi.

14 Ndoshta s’e ke pasur privilegjin të ndihmoje për ndërtimin e Sallës sate të Mbretërisë, ama ke çfarë të bësh që vendi yt i adhurimit të nderojë emrin e Jehovait. Për shembull,  mund të ftosh me entuziazëm studentët biblikë, rivizitat dhe të tjerë që të ndjekin mbledhjet me ty në Sallën e Mbretërisë. Gjithashtu mund të ndihmosh me pastrimin dhe mirëmbajtjen e vendit të adhurimit. Me planifikim të mirë, mund të bësh kontribute për Sallën tënde të Mbretërisë ose për ndërtimin e këtyre vendeve të adhurimit në pjesë të tjera të botës. (Lexo 1 Korintasve 16:2.) Gjithë këto aktivitete ia shtojnë lavdinë emrit të Jehovait.

Punëtorë që ‘paraqiten vullnetarisht’

15-17. (a) Cilët bëjnë punën më të madhe të ndërtimit? (b) Çfarë mësove nga fjalët e çifteve që kanë punuar në projekte ndërkombëtare ndërtimi?

15 Shumicën e punës për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, Sallave të Asambleve dhe ndërtesave të degëve e bëjnë vëllezër dhe motra vendëse. Gjithsesi, shpesh i ndihmojnë vëllezër dhe motra nga vende të tjera që kanë përvojë në ndërtim. Disa nga këta vullnetarë kanë organizuar jetën që të punojnë në një projekt ndërkombëtar për shumë javë. Të tjerë e kanë vënë veten në dispozicion që të shërbejnë për vite me radhë, duke shkuar nga njëri caktim ndërtimi në tjetrin.

Timo dhe Lina Lapalajneni (Shih paragrafin 16.)

16 Vepra ndërkombëtare e ndërtimit paraqet sfida të veçanta, por edhe shpërblime të kënaqshme. Për shembull, Timo dhe Lina kanë udhëtuar në vende të Amerikës së Jugut, Azisë dhe Evropës për të punuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, Sallave të Asambleve dhe zyrave të degëve. Timo thotë: «Kam ndryshuar caktimin mesatarisht çdo dy vjet këto 30 vjet.» Lina, e martuar me Timon prej 25 vjetësh, thotë: «Kam shërbyer me Timon në dhjetë vende të ndryshme. Të merr mjaft energji dhe kohë përshtatja me  ushqimin, klimën, gjuhën e re, predikimin në një territor të ri, si dhe zënia e miqve të rinj.» * A ia ka vlejtur barra qiranë? Lina thotë: «Sfidat janë kthyer në bekimet tona më të mëdha. Kemi përjetuar dashuri të krishterë, mikpritje dhe kemi ndier kujdesin e dashur të Jehovait. Kemi parë edhe përmbushjen e premtimit që Jezui ua bëri dishepujve, siç tregohet te Marku 10:29, 30. Në kuptimin frymor kemi marrë njëqind herë më tepër vëllezër, motra dhe nëna.» Timo thotë: «Provojmë gëzim të thellë kur i përdorim aftësitë për qëllimin më fisnik, të marrim pjesë në zgjerimin e zotërimeve të Mbretit!»

17 Dareni dhe Sara që kanë ndihmuar në projektet e ndërtimit në Afrikë, Amerikën Jugore, Amerikën Qendrore, Azi, Evropë dhe në Paqësorin Jugor mendojnë se më shumë kanë marrë, sesa kanë dhënë. Pavarësisht sfidave që kanë ndeshur, Dareni thotë: «Ishte privilegj të punoje me vëllezër nga vende të ndryshme të globit. Kam parë se dashuria që kemi për Jehovain është si një fill që rrethon globin, e na bashkon të gjithëve.» Sara thotë: «Kam mësuar goxha nga vëllezër dhe motra me kultura të ndryshme. Teksa shoh sakrificat që bëjnë për t’i shërbyer Jehovait, motivohem të vazhdoj të jap më të mirën.»

18. Si është plotësuar profecia e Psalmit 110:1-3?

18 Mbreti David profetizoi se, ndonëse nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë do të hasnin sfida, do të ‘paraqiteshin vullnetarisht’ për t’u shërbyer interesave të Mbretërisë. (Lexo Psalmin 110:1-3.) Të gjithë ata që po punojnë për mbështetjen e Mbretërisë, po kontribuojnë për plotësimin e këtyre fjalëve profetike. (1 Kor. 3:9) Ndërtesat e shumta të zyrave të degëve, qindra Salla Asamblesh dhe dhjetëra mijë Salla Mbretërie anembanë botës sigurojnë dëshmi konkrete se Mbretëria e Perëndisë është reale dhe po qeveris. Çfarë privilegji është t’i shërbejmë Mbretit Jezu Krisht në një vepër që i sjell Jehovait nderin që meriton plotësisht!

^ par. 6 Në vitin 2013, mbi 230.000 vullnetarë u aprovuan të punonin me 132 KRN-të e Shteteve të Bashkuara. Në këtë vend, për një vit, këto komitete koordinuan ndërtimin e afro 75 Sallave të reja të Mbretërisë dhe ndihmuan me rinovimin ose riparimin e afro 900 sallave.

^ par. 9 Kjo shifër nuk përfshin Sallat e shumta të Mbretërisë që u ndërtuan në vendet jashtë programit.

^ par. 16 Shërbëtorët dhe vullnetarët ndërkombëtarë harxhojnë pjesën më të madhe të kohës në kantierin e ndërtimit, megjithatë i mbështetin kongregacionet në veprën e predikimit, në fundjavë ose në mbrëmje.