KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Si i ka ndihmuar Krishti dishepujt në luftën për njohjen ligjore dhe për të drejtën që t’u binden ligjeve të Perëndisë

1, 2. (a) Çfarë dëshmon për qytetarinë tënde në Mbretërinë e Perëndisë? (b) Pse disa herë Dëshmitarëve të Jehovait u është dashur të luftojnë për lirinë fetare?

A JE qytetar i Mbretërisë së Perëndisë? Si Dëshmitar i Jehovait, pa dyshim që po! Çfarë dëshmon për qytetarinë tënde? Jo ndonjë pasaportë a ndonjë dokument qeveritar. Përkundrazi, mënyra si e adhuron Perëndinë Jehova dëshmon për këtë. Adhurimi i vërtetë nuk përfshin vetëm atë që beson. Ai përfshin atë që bën​—bindjen ndaj ligjeve të Mbretërisë së Zotit. Për të gjithë ne, adhurimi prek çdo aspekt të jetës, përfshirë mënyrën si kujdesemi për familjen e madje mënyrën si reagojmë ndaj disa çështjeve shëndetësore.

2 Megjithatë, bota ku jetojmë nuk e respekton gjithnjë qytetarinë tonë shumë të çmuar e as kërkesat e saj. Disa qeveri janë përpjekur ta kufizojnë adhurimin tonë e madje ta zhdukin fare. Me raste, nënshtetasve të Krishtit u është dashur të luftojnë për lirinë që të jetojnë sipas ligjeve të Mbretit mesianik. A na habit kjo? Jo. Në kohët biblike, popullit të Jehovait shpesh iu desh të luftonte për lirinë që ta adhuronte.

3. Çfarë lufte iu desh të bënte popullit të Perëndisë në ditët e mbretëreshës Ester?

3 Për shembull, në ditët e mbretëreshës Ester, popullit të Zotit iu desh të luftonte për ekzistencën e vet. Pse? Kryeministri i lig Haman i sugjeroi mbretit Asuer të Persisë të vriteshin të gjithë judenjtë që jetonin në mbretërinë e tij, ngaqë kishin «ligje të ndryshme nga ato të tërë popujve të tjerë». (Est. 3:8, 9, 13) A i braktisi Jehovai shërbëtorët e tij? Përkundrazi, i bekoi përpjekjet e Esterës dhe të Mordekait kur iu apeluan mbretit të Persisë që ta mbronte popullin e Zotit.​—Est. 9:20-22.

4. Çfarë do të trajtojmë në këtë kapitull?

4 Po në ditët tona? Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, hera-herës autoritete shekullare i kanë kundërshtuar Dëshmitarët e Jehovait. Në këtë kapitull, do të trajtojmë disa mënyra si janë orvatur këto qeveri ta kufizojnë mënyrën tonë të adhurimit. Do të përqendrohemi në tri fusha: (1) tek e drejta për të ekzistuar si organizatë dhe për të adhuruar sipas zgjedhjes sonë, (2) te liria për të zgjedhur trajtim mjekësor  në përputhje me parimet biblike dhe (3) tek e drejta e prindërve për t’i rritur fëmijët sipas normave të Jehovait. Në secilën fushë, do të shohim si kanë luftuar me guxim qytetarët besnikë të Mbretërisë mesianike për të mbrojtur qytetarinë e tyre të çmuar dhe si u janë bekuar përpjekjet.

Beteja për njohje ligjore dhe për liritë themelore

5. Çfarë dobish kanë të krishterët e vërtetë kur njihen ligjërisht?

5 A kemi nevojë për njohjen ligjore të qeverive njerëzore që ta adhurojmë Jehovain? Jo, por njohja ligjore na e bën më të lehtë të vazhdojmë të adhurojmë​—për shembull, të takohemi lirisht në Sallat e Mbretërisë dhe në Sallat e Asambleve, të shtypim e të importojmë literaturë biblike dhe t’ua japim lajmin e mirë fqinjëve, pa pengesa. Në shumë vende, Dëshmitarët e Jehovait janë të regjistruar ligjërisht dhe gëzojnë të njëjtën liri adhurimi që kanë edhe besimtarët e feve të tjera të njohura ligjërisht. Sidoqoftë, çfarë ka ndodhur kur qeveritë nuk na kanë njohur ligjërisht ose janë përpjekur të na kufizojnë liritë themelore?

6. Çfarë sfide hasën Dëshmitarët e Jehovait në Australi, në fillim të viteve 40 të shekullit të 20-të?

6 Australi. Në fillim të viteve 40 të shekullit të 20-të, guvernatori i përgjithshëm i Australisë i konsideroi bindjet tona «të dëmshme» ndaj luftës, e kështu u vendos një ndalim. Dëshmitarët nuk mund të mblidheshin e të predikonin hapur, veprimtaria e Bethelit u mbyll, Sallat e Mbretërisë i sekuestruan dhe nuk lejohej as të mbahej literaturë biblike. Pasi vepruan në fshehtësi për disa vjet, më në fund Dëshmitarëve në Australi u erdhi lehtësimi. Më 14 qershor 1943, Gjykata e Lartë e Australisë e anuloi ndalimin.

7, 8. Përshkruaj luftën për lirinë e adhurimit që kanë bërë gjatë viteve vëllezërit në Rusi.

7 Rusi. Dëshmitarët e Jehovait ishin për dekada nën ndalimin komunist, por më në fund u regjistruan ligjërisht më 1991. Pasi u shpërbë ish-Bashkimi Sovjetik, u njohën ligjërisht në Federatën Ruse, më 1992. Mirëpo s’kaloi shumë dhe disa kundërshtarë​—veçanërisht ata që kishin lidhje me Kishën Ortodokse Ruse—​u alarmuan nga rritja jonë e shpejtë. Kundërshtarët ngritën pesë padi penale kundër Dëshmitarëve të Jehovait nga viti 1995 deri më 1998. Në secilin rast, prokuroria nuk gjeti asnjë dëshmi për keqbërje. Të vendosur, kundërshtarët ngritën një padi civile në 1998-n. Fillimisht Dëshmitarët fituan, por kundërshtarët nuk e pranuan vendimin dhe, në maj të vitit 2001, Dëshmitarët e humbën apelin. Në tetor të atij viti filloi një gjyq tjetër, i cili më 2004 vendosi ta mbyllte entin ligjor të Dëshmitarëve në Moskë dhe ia ndaloi aktivitetin.

8 Si pasojë nisi një dallgë përndjekjesh. (Lexo 2 Timoteut 3:12.) Dëshmitarët u përballën me ngacmime dhe sulme.  Literatura fetare u konfiskua; të merrje me qira ose të ndërtoje vende adhurimi ishte rreptësisht e ndaluar. Imagjino si u ndien vëllezërit dhe motrat kur hasën këto vështirësi! Dëshmitarët kishin aplikuar më 2001 te Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe në 2004-n i dërguan informacione shtesë. Në vitin 2010, GJEDNJ-ja mori vendimin. Gjykata e kuptoi qartë se pas ndalimit që Rusia u kishte vënë Dëshmitarëve, fshihej intoleranca fetare dhe vendosi se nuk kishte arsye për të mbështetur vendimin e gjykatave më të ulëta, meqë nuk kishte pasur dëshmi për keqbërje nga ana e ndonjë Dëshmitari. Gjykata më tej vuri re se ndalimi ishte menduar për t’u hequr Dëshmitarëve të drejtat ligjore. Vendimi i gjykatës mbrojti të drejtën e Dëshmitarëve për lirinë fetare. Ndonëse autoritete të ndryshme ruse nuk e kanë respektuar vendimin e GJEDNJ-së, populli i Perëndisë në Rusi ka marrë shumë zemër nga këto fitore.

Titos Manusakisi (Shih paragrafin 9.)

9-11. Si ka luftuar populli i Jehovait në Greqi për lirinë që të adhurojë dhe cilat kanë qenë rezultatet?

9 Greqi. Më 1983, Titos Manusakisi mori me qira një dhomë në Iraklion të Kretës, që një grup i vogël i Dëshmitarëve të Jehovait të mblidhej për të adhuruar. (Hebr. 10:24, 25) Megjithatë, shpejt një prift ortodoks paraqiti tek autoritetet qeveritare një padi rreth përdorimit të kësaj dhome për adhurim nga Dëshmitarët e Jehovait. Pse? Thjesht ngaqë bindjet e Dëshmitarëve ndryshojnë nga ato të Kishës Ortodokse! Autoritetet nisën një procedurë penale kundër Titos Manusakisit dhe tre Dëshmitarëve të tjerë vendës. I gjobitën dhe i dënuan me dy muaj burg. Si qytetarë besnikë të Mbretërisë së Zotit, Dëshmitarët e konsideruan vendimin e gjykatës dhunim të lirisë së adhurimit, ndaj e çuan çështjen në gjykatat vendëse dhe në fund aplikuan te GJEDNJ-ja.

10 Në vitin 1996, më në fund GJEDNJ-ja u dha një goditje të papritur kundërshtarëve të adhurimit të vërtetë. Gjykata vuri re se «Dëshmitarët e Jehovait hyjnë në përkufizimin si ‘fe e njohur’ siç e përcakton ligji në Greqi» dhe se vendimet e gjykatave më të ulëta ndikonin «drejtpërdrejt te liria fetare e aplikuesve». Më tej gjykata tregoi se nuk i takonte qeverisë greke «të përcaktonte nëse bindjet fetare ose mjetet e përdorura për t’i shprehur këto bindje janë të ligjshme apo jo». Dënimi kundër Dëshmitarëve u anulua dhe u përkrah liria e tyre e adhurimit!

11 A u zgjidhën çështjet në Greqi me këtë fitore? Mjerisht jo. Më 2012, një çështje e ngjashme më në fund u zgjidh në Kasandri, Greqi, pas një beteje afro 12-vjeçare. Në këtë çështje akuzën e ngriti një peshkop ortodoks. Këshilli  i Shtetit, gjykata më e lartë administrative e Greqisë, vendosi në favor të popullit të Zotit. Në vendim u citua e drejta kushtetuese e shtetit grek për lirinë e fesë dhe u përgënjeshtrua akuza e përsëritur shpesh se Dëshmitarët e Jehovait nuk janë fe e njohur. Gjykata tha: «Doktrinat e ‘Dëshmitarëve të Jehovait’ nuk janë të fshehta e për pasojë ata praktikojnë një fe të njohur.» Anëtarët e kongregacionit të vogël të Kasandrisë gëzojnë se tani mund t’i mbajnë mbledhjet për adhurim në Sallën e tyre të Mbretërisë.

12, 13. Si janë munduar kundërshtarët në Francë të kurdisin «telashe me anë të dekretit» dhe me ç’rezultat?

12 Francë. Disa kundërshtarë të popullit të Perëndisë e kanë përdorur taktikën ‘për të kurdisur telashe me anë të dekretit’. (Lexo Psalmin 94:20.) Për shembull, në mes të viteve 90, autoritetet tatimore në Francë nisën një audit mbi financat e një prej enteve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait në Francë (Association Les Témoins de Jéhovah, ATJ). Ministri i Financave tregoi synimin e vërtetë të këtij kontrolli financiar: «Auditi mund të çojë në likuidim gjyqësor ose në procedim penal . . . , që ka të ngjarë t’i destabilizojë aktivitetet e shoqatës ose ta detyrojë të mbyllë veprimtaritë e saj në territorin tonë.» Ndonëse auditi nuk gjeti parregullsi, autoritetet tatimore i vendosën një taksë të rëndë ATJ-së. Po të dilte e suksesshme kjo taktikë, vëllezërit s’do të kishin ç’të bënin tjetër veç ta mbyllnin zyrën e degës dhe të shitnin godinat për të paguar taksën tejet të lartë. Kjo ishte një goditje e rëndë, por populli i Zotit nuk u dorëzua. Dëshmitarët me vendosmëri e kundërshtuan këtë trajtim të padrejtë e përfundimisht e çuan çështjen në GJEDNJ, në 2005-n.

13 Më 30 qershor 2011, gjykata dha vendimin. Ajo arsyetoi se e drejta e lirisë fetare nuk e lejon shtetin, përveç rasteve ekstreme, të përcaktojë ligjshmërinë e bindjeve fetare ose të mënyrës si shprehen ato. Për më tepër, gjykata pohoi: «Taksa . . . i hiqte shoqatës burimet bazë e si pasojë e pengonte që t’u siguronte besimtarëve lirinë për ta ushtruar besimin në aspektet praktike.» Gjykata vendosi unanimisht në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Për kënaqësinë e popullit të Jehovait, qeveria franceze përfundimisht i ktheu ATJ-së paratë bashkë me interesat dhe, në përputhje me urdhrin e gjykatës, hoqi të drejtën e konfiskimit të pronës së degës.

Mund të lutesh rregullisht për vëllezërit dhe motrat e tua frymore që sot për sot vuajnë nga padrejtësitë ligjore

14. Si mund të bësh ti diçka në luftën për lirinë e adhurimit?

14 Si Estera dhe Mordekai në lashtësi, populli i Jehovait sot lufton për lirinë që ta adhurojë Jehovain në mënyrën që e ka urdhëruar. (Est. 4:13-16) A mund të bësh edhe ti diçka? Po. Mund të lutesh rregullisht për vëllezërit dhe motrat e tua frymore që sot për sot vuajnë nga padrejtësitë ligjore. Këto lutje mund të jenë ndihmë e fuqishme për vëllezërit  dhe motrat që kalojnë vështirësi dhe përndjekje. (Lexo Jakovin 5:16.) A u përgjigjet Jehovai këtyre lutjeve? Fitoret tona në gjykatë tregojnë se me siguri përgjigjet!​—Hebr. 13:18, 19.

Liria për të zgjedhur trajtim mjekësor në përputhje me bindjet tona

15. Çfarë faktorësh merr parasysh populli i Zotit në lidhje me përdorimin e gjakut?

15 Siç e shqyrtuam në kapitullin 11, qytetarët e Mbretërisë së Perëndisë kanë marrë drejtim të qartë nga Shkrimet të mos e keqpërdorin gjakun, i cili është bërë kaq i zakonshëm në ditët tona. (Zan. 9:5, 6; Lev. 17:11; lexo Veprat 15:28, 29.) Edhe pse nuk pranojmë transfuzion gjaku, duam kujdesin shëndetësor më të mirë të mundshëm për veten dhe të dashurit tanë, për aq kohë sa ky trajtim nuk bie ndesh me ligjet e Perëndisë. Në shumë shtete, gjykatat e larta kanë njohur të drejtën e njerëzve për të zgjedhur ose për të refuzuar trajtime mjekësore sipas ndërgjegjes dhe bindjeve fetare. Mirëpo, në disa vende, populli i Zotit ka hasur sfida të rënda për këtë çështje. Shqyrto disa shembuj.

16, 17. Çfarë trajtimi mjekësor iu bë një motre në Japoni që e tronditi dhe si morën përgjigje lutjet e saj?

16 Japoni. Misae Takeda, një shtëpiake 63-vjeçare në Japoni, duhej të bënte operacion të rëndë. Si qytetare besnike e Mbretërisë së Perëndisë, ia bëri të qartë mjekut se donte të operohej pa gjak. Por, muaj më vonë, u trondit kur mori vesh se i kishin dhënë gjak gjatë operacionit. Ngaqë u ndie e dhunuar dhe e mashtruar, motër Takeda ngriti padi kundër mjekëve dhe spitalit në qershor të vitit 1993. Kjo grua modeste dhe gojëmbël kishte besim të patundur. Ajo dha dëshmi të guximshme para sallës së gjyqit të mbushur plot duke qëndruar në bankën e dëshmitarëve për më shumë se një orë, edhe pse me shëndet të ligësht. U paraqit në gjykatë për herë të fundit, vetëm një muaj para se të vdiste. A nuk na bën për vete guximi dhe besimi i saj? Motër Takeda tha se i përgjërohej vazhdimisht Jehovait që ta bekonte në këtë luftë. Kishte besim se lutjet do të merrnin përgjigje. A ndodhi kështu?

17 Tre vjet pasi motër Takeda vdiq, Gjykata e Lartë në Japoni vendosi në favor të saj​—pranoi se transfuzioni i gjakut kundër dëshirës së qartë të saj ishte i gabuar. Më 29 shkurt 2000, në vendim u tha se «e drejta për të vendosur» në këto raste «duhet respektuar si e drejtë vetjake». Falë vendosmërisë së motër Takedës për të luftuar për lirinë e zgjedhjes së trajtimit mjekësor në përputhje me ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës, Dëshmitarët në Japoni tani mund të marrin trajtim mjekësor pa frikën se u japin me forcë transfuzion gjaku.

Pablo Albarraçini (Shih paragrafët 18-20.)

18-20. (a) Si e përkrahu Gjykata e Lartë në Argjentinë të drejtën e dikujt për të refuzuar transfuzionin e gjakut me anë të një deklarate mjekësore? (b) Si mund të tregojmë nënshtrim ndaj udhëheqjes së Krishtit kur bëhet fjalë për keqpërdorimin e gjakut?

 18 Argjentinë. Si mund të përgatiten qytetarët e Mbretërisë në rast se u duhet të marrin vendime mjekësore kur janë të pavetëdijshëm? Mund të mbajnë me vete një dokument ligjor që do të flasë për ta, siç bëri Pablo Albarraçini. Në maj të 2012-s, ai ishte viktimë e një tentative grabitjeje dhe u qëllua me armë disa herë. U dërgua në spital pa ndjenja, e kështu nuk e shpjegonte dot qëndrimin e tij për transfuzionin e gjakut. Megjithatë, kishte me vete një deklaratë mjekësore të firmosur më shumë se katër vjet më parë. Ndonëse në gjendje të rëndë dhe disa mjekë mendonin se për t’i shpëtuar jetën ishte i nevojshëm transfuzioni i gjakut, stafi i mjekëve ishte i gatshëm të respektonte vullnetin e tij. Por babai i Pablos, që nuk ishte Dëshmitar i Jehovait, mori një urdhër gjykate për të hedhur poshtë vullnetin e të birit.

19 Avokati që përfaqësonte gruan e Pablos menjëherë apeloi. Brenda disa orësh, gjykata e apelit e rrëzoi vendimin e shkallës së parë dhe vendosi që vullneti i pacientit, siç ishte shprehur në deklaratën mjekësore, duhej respektuar. Babai i Pablos apeloi në Gjykatën e Lartë të Argjentinës. Gjithsesi, Gjykata e Lartë nuk gjeti «asnjë arsye për të dyshuar nëse [deklarata mjekësore e Pablos që shprehte refuzimin e tij për transfuzionin e gjakut] ishte formuluar me gjykim të plotë, me qëllim dhe lirisht». Gjykata tha: «Çdo person i aftë dhe i rritur është në gjendje të japë udhëzime paraprake për shëndetin dhe mund të pranojë ose të refuzojë ndonjë trajtim mjekësor. . . . Këto udhëzime duhet të pranohen nga mjeku përgjegjës.»

A e ke plotësuar deklaratën mjekësore?

20 Vëlla Albarraçini është shëruar plotësisht. Bashkë me të shoqen janë mirënjohës që kishte plotësuar një deklaratë mjekësore. Falë këtij veprimi të thjeshtë, por të rëndësishëm, tregoi nënshtrim ndaj Krishtit, Mbretit të Mbretërisë së Perëndisë. Po ti dhe familja jote, a keni marrë masa të ngjashme?

Ejprila Kadora (Shih paragrafët 21-24.)

21-24. (a) Si mori Gjykata e Lartë e Kanadasë një vendim historik për të miturit dhe përdorimin e gjakut? (b) Si mund t’i inkurajojë ky rast shërbëtorët e rinj të Jehovait?

21 Kanada. Në përgjithësi, gjykatat i njohin të drejtat e prindërve për të përcaktuar kujdesin më të mirë mjekësor për fëmijët e tyre. Madje ndonjëherë gjykatat kanë vendosur se një i mitur i pjekur duhet respektuar kur bëhet fjalë për vendime mjekësore. Kjo doli e vërtetë për Ejprila Kadorën. Në moshën 14-vjeçare, Ejprila u shtrua në spital me hemorragji të brendshme të rëndë. Pak muaj më parë, kishte plotësuar një Deklaratë Mjekësore Paraprake me udhëzime të shkruara që të mos i bëhej transfuzion gjaku edhe në raste urgjente. Mjeku që kujdesej e shpërfilli vullnetin e shprehur qartë të Ejprilës dhe kërkoi një vendim gjykate që  t’i jepte gjak. Asaj iu dhanë me forcë tri qese me rruaza të kuqe të përqendruara. Ejprila më vonë e krahasoi këtë përvojë me përdhunimin.

22 Ejprila me prindërit iu drejtuan gjykatave për drejtësi. Pas dy vjetësh, çështja doli para Gjykatës së Lartë të Kanadasë. Edhe pse gjykata teknikisht e rrëzoi pretendimin e Ejprilës për antikushtetueshmëri, vendosi që t’i paguheshin shpenzimet ligjore dhe mori vendim në favor të saj dhe të të miturve të tjerë të pjekur, që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën për të vendosur vetë për trajtimin mjekësor. Gjykata tha: «Në kontekstin e trajtimit mjekësor, të rinjtë nën 16 vjeç duhet të lihen të tregojnë se pikëpamjet e tyre, kur vendosin për një trajtim mjekësor specifik, pasqyrojnë pavarësi mendimi dhe pjekuri në shkallë të mjaftueshme.»

23 Kjo çështje është domethënëse, pasi Gjykata e Lartë trajtoi të drejtat kushtetuese të të miturve të pjekur. Para këtij vendimi, një gjykatë kanadeze mund të autorizonte trajtim mjekësor për një fëmijë nën 16 vjeç, nëse gjykata  mendonte se ky trajtim ishte për të mirën e fëmijës. Pas këtij vendimi, gjykata nuk mund të autorizojë asnjë lloj trajtimi kundër vullnetit të një të riu nën 16 vjeç, pa iu dhënë më parë mundësia që të tregojë se është aq i pjekur sa të vendosë për veten.

«Jam vërtet e lumtur kur mbaj parasysh se kam kontribuar sadopak në përpjekjet për të lartësuar emrin e Zotit dhe për të provuar se Satanai është gënjeshtar»

24 A ia vlejtën përpjekjet e kësaj beteje trivjeçare? Ejprila thotë se po. Tani që është pioniere e rregullt dhe me shëndet të plotë, shprehet: «Jam vërtet e lumtur kur mbaj parasysh se kam kontribuar sadopak në përpjekjet për të lartësuar emrin e Zotit dhe për të provuar se Satanai është gënjeshtar.» Përvoja e Ejprilës tregon se të rinjtë tanë mund të marrin qëndrim të guximshëm duke provuar vetë se janë qytetarë të vërtetë të Mbretërisë së Perëndisë.​—Mat. 21:16.

Liria për t’i rritur fëmijët sipas normave të Jehovait

25, 26. Çfarë situate del disa herë si pasojë e divorcit?

25 Jehovai u beson prindërve përgjegjësinë që t’i rritin fëmijët sipas normave të tij. (Ligj. 6:6-8; Efes. 6:4) Ky caktim ka sfida, por mund të bëhet edhe më sfidues në rast divorci. Pikëpamjet për rritjen e fëmijëve mund të ndryshojnë shumë. Për shembull, prindi Dëshmitar është i bindur se fëmija duhet rritur sipas normave të krishtere, kurse prindi jo Dëshmitar mund të mos jetë dakord. Patjetër, prindi Dëshmitar duhet të pranojë me respekt se, ndonëse divorci prish lidhjen martesore, lidhja prindërore nuk ndryshon.

26 Prindi jo Dëshmitar mund t’i kërkojë një gjykate kujdestarinë e fëmijës ose të fëmijëve në mënyrë që të kontrollojë edukimin fetar. Disa pretendojnë se është e dëmshme të rritesh si Dëshmitar i Jehovait. Ata mund të arsyetojnë se fëmijët do të privohen nga ditëlindjet, nga festat dhe, në rastin e urgjencave mjekësore, nga transfuzioni i gjakut «jetëshpëtues». Sa mirë që shumica e gjykatave marrin parasysh ç’është më e mira për fëmijën, në vend që të gjykojnë nëse feja e një prindi është e dëmshme! Të shohim disa shembuj.

27, 28. Si iu përgjigj Gjykata e Lartë e Ohajos akuzës se është e dëmshme për një fëmijë të rritet si Dëshmitar i Jehovait?

27 Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1992, Gjykata e Lartë e Ohajos trajtoi një çështje në të cilën babai jo Dëshmitar pretendonte se do të ishte në dëm të të birit nëse rritej si Dëshmitar i Jehovait. Gjykata e shkallës së parë e kishte mbështetur babanë duke i dhënë kujdestarinë. Xhenifer Pejtërit, së ëmës, iu dha e drejta për ta takuar fëmijën, por u urdhërua të mos «e mësonte ose ta ekspozonte fëmijën ndaj asnjë forme të bindjeve të Dëshmitarëve të Jehovait». Vendimi i shkallës së parë ishte kaq i gjerë, sa mund të interpretohej se motër Pejtëri as nuk mund të fliste me të birin, Bobin, për Biblën ose për normat e saj morale. A e imagjinon  si ndihej? Xheniferi ndihej përtokë, por thotë se mësoi të tregonte durim dhe të priste që Jehovai të vepronte. Ajo kujton: «Jehovai më qëndroi gjithmonë pranë.» Avokati i saj, me ndihmën e organizatës së Jehovait, apeloi në Gjykatën e Lartë të Ohajos.

28 Gjykata nuk ishte dakord me vendimin e shkallës së parë, duke thënë se «prindërit kanë të drejtën themelore t’i edukojnë fëmijët, përfshirë të drejtën t’u flasin për vlerat e tyre morale dhe fetare». Gjykata tha se nëse nuk mund të tregohej se vlerat fetare që mbështetin Dëshmitarët e Jehovait do ta dëmtonin mirëqenien fizike dhe mendore të fëmijës, gjykata nuk kishte të drejtë t’i kufizonte të drejtat e prindit për kujdestarinë duke u bazuar te feja. Gjykata nuk gjeti asnjë provë se bindjet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait do të ndikonin në mënyrë të papërshtatshme te shëndeti mendor dhe fizik i fëmijës.

Shumë gjykata kanë vendosur në favor të prindërve të krishterë për të drejtën e kujdestarisë

29-31. Pse një motër në Danimarkë e humbi kujdestarinë e së bijës dhe çfarë vendosi për çështjen Gjykata e Lartë e Danimarkës?

29 Danimarkë. Anita Hanseni u përball me një sfidë të ngjashme kur ish-bashkëshorti i kërkoi një gjykate kujdestarinë e Amandës 7-vjeçare. Ndonëse gjykata e shkallës së parë ia dha kujdestarinë motër Hansenit në vitin 2000, babai i Amandës e çoi çështjen në gjykatën e apelit, e cila e rrëzoi vendimin e shkallës së parë dhe ia dha kujdestarinë atij.  Gjykata e apelit arsyetoi se, ngaqë pikëpamjet e prindërve për jetën binin ndesh si pasojë e bindjeve fetare, do të ishte më mirë që këto mosmarrëveshje t’i zgjidhte babai. Pra, në thelb, motër Hanseni e humbi kujdestarinë e Amandës meqë ishte Dëshmitare e Jehovait!

30 Gjatë kësaj peripecie, motër Hanseni ndonjëherë ishte kaq e dëshpëruar saqë nuk dinte për çfarë të lutej. Ajo tregon: «Por çka thuhet te Romakëve 8:26, 27 më ngushëllonte shumë. Gjithmonë e ndieja se Jehovai e kuptonte çfarë doja t’i shprehja. Ai i kishte sytë mbi mua dhe gjithmonë ishte pranë meje.»​—Lexo Psalmin 32:8; Isainë 41:10.

31 Motër Hanseni apeloi në Gjykatën e Lartë të Danimarkës. Në vendimin e saj, gjykata tha: «Çështja e kujdestarisë duhet të vendoset sipas një vlerësimi konkret se çfarë do të ishte më e mira për fëmijën.» Më tej, gjykata pohoi se vendimi për kujdestarinë duhet të bazohet te mënyra si i zgjidh mosmarrëveshjet çdo prind, e jo në bazë të «doktrinave dhe pozicionit» të Dëshmitarëve të Jehovait. Motër Hanseni u lehtësua tej mase kur gjykata e pranoi si prind të përshtatshëm dhe i ktheu kujdestarinë e Amandës.

32. Si i ka mbrojtur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut prindërit Dëshmitarë përballë diskriminimit?

32 Vende të ndryshme në Evropë. Në disa raste, mosmarrëveshjet ligjore për kujdestarinë e fëmijëve nuk janë trajtuar vetëm në gjykatat e larta kombëtare. Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e ka trajtuar këtë çështje. Në dy çështje, GJEDNJ-ja pranoi se gjykatat më të ulëta kombëtare i kishin trajtuar ndryshe prindërit Dëshmitarë nga prindërit jo Dëshmitarë thjesht në bazë të fesë. GJEDNJ-ja e quajti këtë trajtim diskriminues dhe vendosi se «dallimi i bazuar kryesisht vetëm në ndryshimet fetare nuk është i pranueshëm». Një nënë Dëshmitare që nxori dobi nga ky vendim i GJEDNJ-së, shprehu lehtësimin e saj dhe tha: «Më lëndoi shumë akuza se po i dëmtoja fëmijët, ndërkohë që po bëja çmos t’u jepja atë që mendoja se ishte më e mira për ta, edukatën e krishterë.»

33. Si mund ta zbatojnë prindërit Dëshmitarë parimin e Filipianëve 4:5?

33 Patjetër, prindërit Dëshmitarë që hasin probleme ligjore për të drejtën që t’u ngulitin fëmijëve në zemër normat e Biblës, përpiqen të tregohen të arsyeshëm. (Lexo Filipianëve 4:5.) Ashtu si ata e vlerësojnë të drejtën për t’i stërvitur fëmijët sipas udhës së Perëndisë, po kështu e kuptojnë se prindi jo Dëshmitar, nëse do, merr pjesë në përgjegjësitë prindërore. Sa seriozisht e merr një prind Dëshmitar përgjegjësinë për të stërvitur fëmijën?

34. Si mund të nxjerrin dobi sot prindërit e krishterë nga shembulli i judenjve në ditët e Nehemisë?

34 Mund të mësojmë për këtë nga një shembull në ditët e Nehemisë. Judenjtë punuan fort për të riparuar dhe rindërtuar muret e Jerusalemit, ngaqë e dinin se kjo do t’i  mbronte ata dhe familjet e tyre nga kombet armike fqinje. Prandaj Nehemia i nxiti: «Luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë e bijat tuaja, për gratë tuaja dhe për shtëpitë tuaja!» (Neh. 4:14) Për judenjtë, lufta ia vlente çdo përpjekje. Po njësoj sot, prindërit Dëshmitarë të Jehovait punojnë fort që t’i rritin fëmijët në udhën e së vërtetës. E dinë se fëmijët bombardohen në shkollë e në lagje nga ndikime të dëmshme. Madje këto ndikime mund të futen tinëz në shtëpi nëpërmjet medias. Prindër, mos harroni kurrë se ia vlen çdo përpjekje në luftën tuaj që bijtë e bijat të kenë një ambient të sigurt për të lulëzuar frymësisht!

Ki besim se Jehovai do ta mbështetë adhurimin e vërtetë

35, 36. Çfarë dobish u kanë ardhur Dëshmitarëve të Jehovait si rezultat i luftës për të drejtat ligjore dhe cila është vendosmëria jote?

35 Me siguri Jehovai i ka bekuar përpjekjet e organizatës së tij në ditët e sotme në luftën për të drejtën që të adhurojë lirisht. Populli i Perëndisë shpesh u ka dhënë dëshmi të fuqishme gjykatave dhe publikut në betejën për të drejtat ligjore. (Rom. 1:8) Një tjetër dobi e fitoreve të shumta ligjore është se ka forcuar të drejtat civile të shumë jo Dëshmitarëve. Megjithatë, si popull i Perëndisë, nuk jemi reformues të shoqërisë dhe as nuk na intereson vetëshfajësimi. Mbi të gjitha, Dëshmitarët e Jehovait i kanë ndjekur të drejtat e tyre ligjore nëpër gjykata, që të themelojnë dhe t’i japin shtysë adhurimit të pastër.​—Lexo Filipianëve 1:7.

36 Mos i marrshim kurrë si të mirëqena mësimet që nxjerrim për besimin nga ata që kanë luftuar për lirinë që të adhurojmë Jehovain! Po ashtu qëndrofshim besnikë, të sigurt se Jehovai po e mbështet veprën tonë dhe se po vazhdon të na japë fuqi për të bërë vullnetin e tij!​—Isa. 54:17.