Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 37

Të mbajmë në mendje Jehovain dhe Birin e tij

Të mbajmë në mendje Jehovain dhe Birin e tij

TA ZËMË se dikush të jep një dhuratë shumë të bukur. Si do të ndiheshe ti? . . . A do të mjaftoheshe duke thënë faleminderit dhe pastaj ta harroje fare atë që ta dha këtë dhuratë? Apo do ta kujtoje atë njeri dhe çfarë bëri ai për ty? . . .

Perëndia Jehova na dha një dhuratë të mrekullueshme. Dërgoi Birin e tij në tokë që të vdiste për ne. Pse Jezui duhej të vdiste për ne, e di? . . . Kjo është diçka shumë e rëndësishme që duhet ta kuptojmë.

Siç e mësuam në kapitullin e 23-të, Adami mëkatoi kur shkeli ligjin e përsosur të Perëndisë. Ne e morëm mëkatin nga Adami, babai i të gjithë njerëzve. Prandaj, si mendon, çfarë na nevojitet? . . . Na nevojitet, si të thuash, një baba tjetër, një që të ketë qenë i përsosur gjatë gjithë jetës këtu në tokë. Si mendon, kush mund të jetë ky baba për ne? . . . Jezui.

Jehovai e dërgoi Jezuin në tokë që ai të bëhej si baba për ne, në vend të Adamit. Bibla thotë: «‘Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.’ Adami i fundit u bë një frymë jetëdhënëse.» Kush ishte Adami i parë? . . . Po, ishte ai të cilin Perëndia e krijoi nga pluhuri i tokës. Kush është Adami i dytë? . . . Jezui. Bibla e tregon këtë kur thotë: «Njeriu i parë [Adami] është nga toka dhe i bërë nga pluhuri; njeriu i dytë [Jezui] është nga qielli.»1 Korintasve 15:45, 47; Zanafilla 2:7.

 Meqë Perëndia e mori jetën e Jezuit nga qielli dhe e vendosi brenda barkut të gruas me emrin Mari, Jezui nuk mori mëkatin nga Adami. Ja përse Jezui ishte njeri i përsosur. (Luka 1:30-35) Kjo është edhe arsyeja pse kur lindi Jezui, engjëlli u tha barinjve: ‘Sot ju lindi një Shpëtimtar.’ (Luka 2:11) Por, çfarë duhej të bënte më parë foshnja Jezu që të ishte Shpëtimtari ynë? . . . Duhej të rritej dhe të bëhej një njeri plotësisht i rritur, ashtu si Adami. Atëherë Jezui mund të bëhej ‘Adami i dytë’.

Jezui, Shpëtimtari ynë, do të bëhet edhe ‘Ati ynë i Përjetshëm’. Kështu quhet ai në Bibël. (Isaia 9:6, 7) Po, Jezui i përsosur mund të bëhet babai ynë në vend të Adamit, i cili u bë i papërsosur kur mëkatoi. Në këtë mënyrë, ne mund të zgjedhim ‘Adamin e dytë’ si babanë tonë. Sigurisht, vetë Jezui është Bir i Perëndisë Jehova.

Në ç’kuptim ishin të ngjashëm Adami me Jezuin dhe pse ishte kaq e rëndësishme që të ishin të ngjashëm?

Duke mësuar për Jezuin, mund ta pranojmë atë si Shpëtimtarin tonë. A të kujtohet, nga çfarë duhet të shpëtojmë ne? . . . Po, nga mëkati dhe vdekja që i kemi trashëguar nga Adami. Jeta e përsosur që dha Jezui për ne kur ishte një njeri plotësisht i rritur quhet shpërblesë. Jehovai e siguroi shpërblesën që ne të na hiqen mëkatet.Mateu 20:28; Romakëve 5:8; 6:23.

Patjetër që nuk duam ta harrojmë atë që kanë bërë për ne Perëndia dhe Biri i tij, apo jo? . . . Jezui u tregoi  dishepujve të tij një mënyrë të veçantë që mund të na ndihmojë të kujtojmë çfarë bëri ai. Të flasim pak për këtë.

Mendo sikur je në një dhomë që gjendet në katin e dytë të një shtëpie në Jerusalem. Është natë. Jezui dhe apostujt e tij janë shtruar në tryezë. Aty në tryezë ka mish qengji të pjekur, bukë të shtypura dhe verë të kuqe. Ata po hanë një darkë të veçantë. Përse është e veçantë, a e di? . . .

Kjo darkë bëhet për t’u rikujtuar atyre çfarë bëri Jehovai qindra vjet më parë kur izraelitët, populli i tij, ishin skllevër në Egjipt. Në atë  kohë Jehovai i tha popullit të tij: ‘Therni një qengj për çdo familje dhe me gjakun e tij lyeni shtalkat e shtëpive tuaja.’ Pastaj tha: ‘Hyni brenda në shtëpi dhe hani qengjin.’

Si e mbrojti gjaku i qengjit popullin e Izraelit?

Izraelitët vepruan kështu. Po atë natë engjëlli i Perëndisë kaloi nëpër vendin e Egjiptit. Në shumicën e shtëpive engjëlli vrau fëmijën e parëlindur. Por, kur engjëlli shihte gjakun e qengjit në shtalkat e dyerve, e kalonte atë shtëpi. Në ato shtëpi nuk vdiq asnjë fëmijë. Faraoni, mbreti i Egjiptit, u frikësua nga ajo që kishte bërë engjëlli i Jehovait, prandaj u tha izraelitëve: ‘Jeni të lirë. Ikni nga Egjipti!’ Me të thënë këtë, ata i ngarkuan plaçkat mbi deve e gomarë dhe ikën.

Jehovai nuk donte që populli i tij të harronte se si i çliroi ai. Prandaj u tha: ‘Një herë në vit duhet të hani një darkë si darka që hëngrët sot.’ Këtë darkë të veçantë ata e quajtën Pashkë. Atë natë engjëlli i Perëndisë ‘i kaloi’ shtëpitë e spërkatura me gjak.Dalja 12:1-13, 24-27, 31.

Jezui dhe apostujt e tij po mendojnë për këtë ngjarje kur hanë darkën e Pashkës. Pas kësaj, Jezui bën diçka shumë të rëndësishme. Megjithatë, para se ta bëjë këtë, tashmë apostulli jobesnik Juda është larguar prej aty. Më pas Jezui merr një nga bukët e mbetura, bën një lutje falënderimi, e thyen dhe ua kalon dishepujve të tij. «Merrni, hani»,—thotë. Pastaj u shpjegon: ‘Kjo bukë përfaqëson trupin tim që do ta jap kur të vdes për ju.’

Pas kësaj Jezui merr një kupë me verë të kuqe. Pasi bën një lutje tjetër falënderimi, ai ua kalon kupën dishepujve dhe thotë: «Pini prej saj, të gjithë ju.» Pastaj u thotë: ‘Kjo verë përfaqëson gjakun tim. Shumë shpejt gjaku im do të derdhet për t’ju çliruar nga mëkatet. Vazhdoni ta bëni këtë për të më kujtuar.’Mateu 26:26-28; 1 Korintasve 11:23-26.

Çfarë mund të bëjë për ne gjaku i Jezuit, të cilin ai e krahasoi me verën?

 A e vure re se Jezui tha që dishepujt duhet të vazhdonin ta bënin këtë për të kujtuar Jezuin? . . . Ata nuk do të kishin më darkën e Pashkës. Në vend të kësaj, një herë në vit do të kishin këtë darkë të veçantë për të kujtuar Jezuin dhe vdekjen e tij. Kjo quhet Darka e Zotërisë. Sot e quajmë shpesh Përkujtimi. Përse? . . . Sepse na sjell prapë në mendje atë që bënë për ne Jezui dhe Ati i tij, Perëndia Jehova.

Buka duhet të na bëjë të mendojmë për trupin e Jezuit. Ai ishte i gatshëm ta jepte atë trup, që ne të kishim jetën e përhershme. Po vera e kuqe? . . . Ajo duhet të na kujtojë vlerën që ka gjaku i Jezuit. Ky gjak është më i çmuar se gjaku i qengjit të Pashkës në Egjipt. Përse është më i çmuar, a e di? . . . Bibla thotë se gjaku i Jezuit mund të na sjellë faljen e mëkateve. Kur të na hiqen të gjitha mëkatet, atëherë nuk do të sëmuremi më, nuk do të plakemi e nuk do të vdesim. Duhet të mendojmë për këtë kur ndjekim Përkujtimin.

A duhet të hanë të gjithë nga buka e të pinë nga vera në Përkujtim? . . . Jezui tha për ata që hanë dhe pinë: ‘Ju do të merrni pjesë në mbretërinë time dhe do të uleni në frone në qiell me mua.’ (Luka 22:19, 20, 30) Kjo donte të thoshte se ata do të shkonin në qiell që të ishin mbretër bashkë me Jezuin. Prandaj vetëm ata që kanë shpresën për të qenë mbretër bashkë me Jezuin në qiell duhet të marrin bukë e verë.

Por edhe ata që nuk hanë bukën e nuk pinë verën duhet ta ndjekin Përkujtimin. Pse duhet ta bëjnë këtë, e di? . . . Sepse Jezui e dha jetën e tij edhe për ne. Duke shkuar në Përkujtim, tregojmë se nuk e kemi harruar këtë gjë. Ne e kujtojmë dhuratën e mrekullueshme të Perëndisë.

Disa Shkrime të tjera që tregojnë rëndësinë e shpërblesës së Jezuit janë 1 Korintasve 5:7; Efesianëve 1:7; 1 Timoteut 2:5, 6 dhe 1 Pjetrit 1:18, 19.