Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 17

Si të jemi të lumtur?

Si të jemi të lumtur?

Pse Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’?

TË GJITHË duam të jemi të lumtur, apo jo? . . . Por pak njerëz janë vërtet të lumtur. Si thua, përse? . . . Sepse nuk kanë mësuar sekretin e lumturisë. Mendojnë se mund të jenë të lumtur duke pasur shumë gjëra materiale. Por, pastaj, kur i kanë këto gjëra, nuk janë të lumtur për shumë kohë.

Ja ku është sekreti i rëndësishëm. Mësuesi i Madh tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Prandaj, si mund të jemi të lumtur? . . . Po, duke u dhënë gjëra të tjerëve dhe duke bërë diçka të mirë për ta. A e dije këtë? . . .

Të mendojmë edhe pak për këtë. A tha Jezui se njeriu që merr një dhuratë nuk do të jetë i lumtur? . . . Jo, nuk e tha këtë. Ty të pëlqen të marrësh dhurata, apo jo? . . . Të gjithëve na pëlqen. Jemi të lumtur kur marrim gjëra të bukura.

 Por Jezui tha se do të jemi edhe më të lumtur kur japim. Atëherë, si thua ti, kush është ai që u ka dhënë më shumë gjëra njerëzve se kushdo tjetër? . . . Po, Perëndia Jehova.

Bibla thotë se Perëndia «u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka». Ai na jep shira nga qielli, si edhe dritën e diellit, kështu që bimët rriten dhe na japin ushqim për të ngrënë. (Veprat 14:17; 17:25) Nuk çuditemi që Bibla e quan Jehovain ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Një nga gjërat që e bën të lumtur Perëndinë është t’u japë të tjerëve. Edhe ne mund të jemi të lumtur kur u japim të tjerëve.

Çfarë mund të të bëjë më të lumtur sesa po t’i hash të gjitha biskotat vetë?

Çfarë mund t’u japim njerëzve të tjerë? Ti si thua? . . . Nganjëherë për një dhuratë duhen para. Po të jetë një dhuratë që do ta blesh në dyqan, duhet të paguash për të. Prandaj, nëse dëshiron të japësh këtë lloj dhurate, mund të të duhet të kursesh ca lekë derisa të kesh aq sa duhen për ta blerë dhuratën.

Por jo të gjitha dhuratat duhet t’i blesh s’e s’bën në dyqan. Për shembull, në një ditë të nxehtë, një gotë me ujë të ftohtë është vërtet shumë freskuese. Prandaj, kur i jep këtë dhuratë një njeriu që është i etur për ujë, mund të provosh lumturinë që vjen kur jep.

Ndoshta ndonjë ditë ti dhe mamaja mund të bëni disa biskota. Kjo mund të jetë shumë zbavitëse. Por ka diçka që mund të bësh me disa nga këto biskota. Kjo do të të bënte edhe më të lumtur sesa po t’i haje vetë të gjitha. Çfarë mund të bësh, si thua? . . . Po, mund t’ia dhurosh disa një shokut ose një shoqes sate. A do të të pëlqente të veproje kështu ndonjëherë? . . .

 Mësuesi i Madh dhe apostujt e tij e njihnin që të gjithë lumturinë që vjen kur jep. Çfarë u jepnin ata njerëzve të tjerë, e di? . . . U jepnin gjënë më të mirë në botë! Ata dinin të vërtetën për Perëndinë, dhe me gëzim ua jepnin këtë lajm të mirë të tjerëve. Kur bënin këtë, nuk pranonin të merrnin para nga asnjeri.

Një ditë, apostulli Pavël dhe një shok i tij i mirë, dishepulli Luka, takuan një grua që donte edhe ajo të kishte lumturinë që vjen kur jep. E takuan këtë grua buzë një lumi. Pavli dhe Luka shkuan atje sepse kishin dëgjuar që ishte një vend lutjeje. Dhe vërtet, kur arritën, gjetën disa gra që po luteshin.

Pavli filloi t’u tregonte këtyre grave lajmin e mirë për Perëndinë Jehova dhe për Mbretërinë e tij. Njëra nga gratë, të cilën e quanin Lidia, dëgjoi me shumë vëmendje. Më pas, Lidia donte të bënte diçka për të treguar se i pëlqente vërtet lajmi i mirë që kishte dëgjuar. Prandaj, i nxiti Pavlin dhe Lukën: «Nëse më keni gjykuar se jam e besueshme për Jehovain, hyni në shtëpinë time e rrini.» Dhe i detyroi që të shkonin te shtëpia e saj.Veprat 16:13-15.

Çfarë po i thotë Lidia Pavlit dhe Lukës?

Lidia ishte e kënaqur që kishte në shtëpi këta shërbëtorë të Perëndisë. Ajo i donte ata, sepse e kishin ndihmuar të mësonte për Jehovain e për Jezuin dhe se si njerëzit mund të jetonin përgjithmonë. Ishte e lumtur që mund t’u jepte Pavlit dhe Lukës ushqim për të ngrënë dhe një vend për t’u çlodhur. Kështu, Lidia u ndie e lumtur që dha, sepse dëshironte vërtet të jepte. Kjo është diçka që duhet ta mbajmë mend. Dikush mund të na thotë se jemi të detyruar të japim një dhuratë. Por nëse nuk dëshirojmë vërtet ta bëjmë, kjo dhuratë që japim nuk do të na bëjë të lumtur.

Pse Lidia është e lumtur që kujdeset për Pavlin dhe Lukën?

Për shembull, ta zëmë se ti ke disa karamele që do të doje t’i haje vetë. Sikur unë të të thosha që disa prej tyre duhet t’ia japësh një fëmije tjetër, a do të ishe i lumtur po t’ia jepje? . . . Po sikur të kishe me vete ca karamele kur takon një shokun tënd që e do shumë?  Në qoftë se ideja që t’i jepje ca karamele atij do të të kishte ardhur ty vetë në mendje, a nuk do të të bënte të lumtur kjo? . . .

Nganjëherë e duam kaq shumë një njeri, saqë duam t’i japim atij gjithçka e të mos mbajmë asgjë për vete. Ndërkohë që na rritet dashuria për Perëndinë, po kështu duhet të ndihemi edhe për Atë.

Pse kjo grua e varfër ishte e lumtur që dha gjithçka që kishte?

Mësuesi i Madh njihte një grua të varfër që ndihej në këtë mënyrë. Ai e pa këtë grua në tempull në Jerusalem. Ajo kishte vetëm dy monedha të vogla; këto ishin gjithçka që kishte. Por i vuri që të dyja në arkë si një kontribut ose dhuratë për tempullin. Askush nuk e detyroi që të bënte këtë. Shumica e njerëzve që ishin atje as që e dinin se çfarë kishte bërë ajo. Kjo grua e bëri këtë sepse dëshironte ta bënte dhe sepse e donte vërtet Jehovain. Ajo u ndie e lumtur që pati mundësi të jepte.Luka 21:1-4.

Ne mund të japim në shumë mënyra. A të vijnë në mendje disa prej tyre? . . . Nëse japim sepse dëshirojmë vërtet ta bëjmë këtë, do të jemi të lumtur. Ja përse Mësuesi i Madh na thotë: «Praktikoni dhënien.» (Luka 6:38) Nëse veprojmë kështu, do t’i bëjmë të lumtur të tjerët. Kurse ne vetë do të jemi njerëzit më të lumtur nga të gjithë!

Le të lexojmë më tepër se si dhënia sjell lumturi, te Mateu 6:1-4; Luka 14:12-14 dhe te 2 Korintasve 9:7.