JEHOVAI ndonjëherë i bën gjërat në një mënyrë të mrekullueshme për të mbrojtur ata që janë të vegjël dhe nuk mund të mbrohen vetë. Po të shkosh në një fshat e të bësh ndonjë shëtitje, mund të shohësh një mënyrë si e bën Jehovai këtë. Por në fillim ndoshta nuk do ta kuptosh se çfarë po ndodh.

Befas sheh një zog që vjen e ulet në tokë pranë teje. Duket sikur është plagosur. E tërheq zvarrë njërin krah dhe largohet kur ti përpiqesh t’i afrohesh. Ti e ndjek nga pas zogun që vazhdon të ecë tamam para teje, por pa mundur ta kapësh. Pastaj papritur zogu fluturon. Nuk e kishte fare të plagosur krahun! Çfarë po bënte ai zog, e di? . . .

Që ta dish, afër vendit ku u ul zogu pranë teje gjendeshin zogjtë e tij të vegjël, të fshehur në shkurre. Zogu nënë kishte frikë se mos ti i gjeje dhe u bëje ndonjë gjë të keqe. Prandaj bëri sikur ishte plagosur dhe të largoi prej aty. Kush mund të na mbrojë ne ashtu si i mbron një zog nënë të vegjlit e saj, a e di? . . . Në Bibël, Jehovai krahasohet me një zog të quajtur shqiponjë, e cila i ndihmon të vegjlit e saj.Ligji i përtërirë 32:11, 12.

Si po i mbron zogu nënë fëmijët e saj të vegjël?

 Biri më i çmuar i Jehovait është Jezui, Biri i tij i dashur. Kur Jezui ishte në qiell, ishte një person i fuqishëm frymor si Ati i tij. Mund të kujdesej për veten. Por kur lindi si foshnjë në tokë, Jezui ishte i pafuqishëm, kishte nevojë për mbrojtje.

Për të plotësuar atë që ishte vullneti i Perëndisë për të këtu në tokë, Jezui duhej të rritej e të bëhej një burrë i përsosur, plotësisht i rritur. Por Satanai u përpoq ta vriste Jezuin para se ai të rritej. Është shumë interesante historia që flet për përpjekjet për ta vrarë Jezuin kur ishte fëmijë dhe për mënyrat si e mbrojti Jehovai. A ke qejf ta dëgjosh? . . .

Pak kohë pasi lind Jezui, Satanai bën të shfaqet një si yll që ndriçon në qiell nga ana e Lindjes. Disa burra të quajtur astrologë, të cilët studiojnë vendosjen e yjeve, e ndjekin yllin dhe udhëtojnë qindra kilometra derisa arrijnë në Jerusalem. Atje pyesin se ku duhet të lindë ai që do të jetë mbreti i judenjve. Kur pyesin disa burra që e dinë se çfarë thotë Bibla për këtë, ata përgjigjen: «Në Betlehem.»Mateu 2:1-6.

Pasi astrologët i bëjnë vizitë Jezuit, cilin paralajmërim u jep Jehovai atyre, që ta shpëtojë Jezuin?

 Herodi, mbreti i keq i Jerusalemit, dëgjon për këtë mbret të ri, i cili ka lindur kohët e fundit në qytetin e Betlehemit që ndodhet aty afër. Ai u thotë astrologëve: ‘Kërkojeni fëmijën, gjejeni dhe pastaj kthehuni e më tregoni.’ Pse Herodi dëshiron të dijë ku gjendet Jezui, si thua? . . . Sepse ai është xheloz dhe do që ta vrasë Jezuin!

Si e mbron Perëndia Birin e tij? . . . Kur e gjejnë Jezuin, astrologët i japin atij dhurata. Pastaj, në një ëndërr, Perëndia i paralajmëron astrologët që të mos kthehen te Herodi. Kështu që ata marrin një rrugë tjetër për t’u kthyer në shtëpinë e tyre, pa kaluar nga Jerusalemi. Kur Herodi e merr vesh se astrologët kanë ikur, zemërohet shumë. Ngaqë dëshiron të vrasë Jezuin, Herodi urdhëron që të vriten të gjithë djemtë në Betlehem, nga mosha dy vjeç e poshtë. Por në atë kohë Jezui nuk ndodhet më aty.

Si shpëton Jezui, e di? . . . Pasi astrologët largohen për t’u kthyer në shtëpi, Jehovai e paralajmëron Jozefin, burrin e Marisë, që të ngrihet e të ikë larg, në Egjipt. Atje Jezui është i sigurt, larg Herodit të keq. Vite më vonë, kur Maria dhe Jozefi kthehen nga Egjipti bashkë me Jezuin, Perëndia e paralajmëron përsëri Jozefin. Në një ëndërr i thotë që të shkojë në qytetin e Nazaretit, ku Jezui do të jetë i sigurt.Mateu 2:7-23.

Si e shpëton prapë Jehovai Jezuin e vogël?

A e shikon si e mbrojti Jehovai Birin e tij? . . . Si thua, kush është si zogjtë e vegjël që nëna e tyre i ka fshehur në shkurre ose si Jezui kur ishte fëmijë i vogël? A nuk je ti si ata? . . . Ka persona që duan të të bëjnë edhe ty gjëra të këqija. Cilët janë këta, e di? . . .

 Bibla thotë se Satanai është si një luan uluritës që dëshiron të na hajë. Ashtu si luanët që shpesh zgjedhin kafshët e vogla për t’i sulmuar, edhe Satanai me demonët shpesh zgjedhin fëmijët për t’i sulmuar. (1 Pjetrit 5:8) Por Jehovai është më i fortë se Satanai. Jehovai mund t’i mbrojë fëmijët e tij ose të rregullojë çfarëdo gjëje të keqe që u bën Satanai atyre.

kapitullin e dhjetë të këtij libri kemi parë se Djalli dhe demonët e tij duan që ne të bëjmë diçka. Çfarë duan ata që të bëjmë, të kujtohet? . . . Po, ata duan që ne të kemi ato lloj marrëdhëniesh seksuale që Perëndia thotë se janë të gabuara. Por, vetëm cilët duhet të kenë marrëdhënie seksuale? . . . Po, vetëm dy njerëz të rritur, burrë e grua, që janë të martuar me njëri-tjetrin.

Mirëpo, mjerisht disa të rriturve u pëlqen të kenë marrëdhënie seksuale me fëmijët. Kur të rriturit bëjnë një gjë të tillë, djemtë e vegjël dhe vajzat e vogla mund të fillojnë të bëjnë gjërat e këqija që i mësuan nga këta të rritur. Gjithashtu, këta fëmijë fillojnë t’i përdorin organet e tyre seksuale në mënyrë të gabuar. Kjo ndodhi shumë kohë më parë në qytetin e Sodomës. Bibla thotë se njerëzit në atë qytet, «që nga djali e gjer tek i moshuari», deshën të kishin marrëdhënie seksuale me burrat që kishin ardhur për vizitë te Loti.Zanafilla 19:4, 5.

Prandaj, ashtu si Jezui që kishte nevojë për mbrojtje, edhe ti ke nevojë për mbrojtje nga të rriturit, e madje edhe nga fëmijët e tjerë, që mund të përpiqen të kenë marrëdhënie seksuale me ty. Zakonisht këta njerëz hiqen sikur janë shokët e tu. Mund edhe të të thonë se do të të japin diçka po u premtove se nuk do t’u thuash të tjerëve për atë që duan të bëjnë me ty. Por këta njerëz janë egoistë, si Satanai me demonët e tij, dhe duan vetëm që të kënaqin veten e tyre. Ata përpiqen ta kënaqin veten duke pasur marrëdhënie seksuale me fëmijët. Kjo është shumë e gabuar!

Çfarë mund të bëjnë ata që të kënaqen për vete, e di? . . . Po ja, mund të përpiqen të të fërkojnë organet seksuale. Ose edhe i fërkojnë organet  e tyre seksuale me ato të tuat. Por ti nuk duhet të lejosh kurrë asnjë njeri të luajë me organet e tua seksuale. Nuk duhet të lejosh as vëllanë tënd ose motrën tënde, ose mamanë tënde a babanë tënd. Këto pjesë të trupit janë vetëm të tuat.

Çfarë duhet të thuash e të bësh, në qoftë se dikush përpiqet të të prekë në një mënyrë të gabuar?

Si mund ta mbrosh trupin tënd nga njerëzit që bëjnë gjëra të këqija si këto? . . . Para së gjithash, mos lejo asnjë njeri që të luajë me organet e tua seksuale. Po qe se dikush përpiqet ta bëjë këtë, thuaji me vendosmëri dhe me zë të lartë: «Mos më prek! Do t’u tregoj të tjerëve për këtë që po bën!» E sikur ky njeri të thotë se është faji yt që ndodhi kështu, mos i beso. Kjo nuk është e vërtetë. Ti ji i vendosur dhe trego për atë që bëri ai, kushdo që të jetë ky njeri! Duhet të tregosh, edhe sikur ai të të thotë se ajo që po bëni bashkë është një sekret vetëm midis ju të dyve. Edhe sikur ai njeri të të premtojë se do të të bëjë dhurata të bukura ose të të kërcënojë duke të frikësuar, duhet të largohesh prej tij dhe patjetër të tregosh për atë që ka bërë.

S’ke pse të kesh frikë, por ama duhet të tregosh kujdes. Kur prindërit të paralajmërojnë për disa njerëz ose vende që mund të jenë të rrezikshme për ty, duhet t’i dëgjosh. Po t’i dëgjosh, nuk do t’u japësh mundësi njerëzve të këqij që të të bëjnë ndonjë të keqe.

Lexo se si mund të mbrohesh nga veprimet e gabuara seksuale, te Zanafilla 39:7-12; Proverbat 4:14-16; 14:15, 16; 1 Korintasve 6:18 dhe 2 Pjetrit 2:14.