MENDO sikur je në një varkë që po fundoset. A do të doje që dikush të të shpëtonte? . . . Po sikur dikush të jepte jetën e tij për të të shpëtuar ty? . . . Ja, pra, këtë bëri Jezu Krishti. Siç e mësuam në kapitullin e 37-të, ai dha jetën e tij si shpërblesë që ne të shpëtonim.

Sigurisht që me këtë Jezui nuk po na shpëton që të mos mbytemi në ujë. Nga çfarë na shpëton ai, të kujtohet? . . . Nga mëkati dhe vdekja që e kemi marrë nga Adami. Edhe pse disa njerëz kanë bërë gjëra shumë të këqija, Jezui vdiq edhe për ta. A do ta rrezikoje ti jetën tënde për të shpëtuar njerëz të tillë? . . .

Bibla thotë: «Vështirë të vdesë dikush për një njeri të drejtë; në të vërtetë, për një njeri të mirë mbase dikush edhe guxon të vdesë.» Megjithatë, Bibla shpjegon se Jezui ‘vdiq për njerëz të paperëndishëm’. Këtu përfshihen edhe njerëzit që as i shërbejnë Perëndisë! Më tej Bibla thotë: «Ndërsa akoma ishim mëkatarë [bënim ende gjëra të këqija], Krishti vdiq për ne.»Romakëve 5:6-8.

Të kujtohet ndonjë apostull që më përpara kishte bërë gjëra shumë të këqija? . . . Ky apostull shkroi: «Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët. E ndër këta unë jam i pari.» Apostulli që tha këto fjalë ishte Pavli. Ai tha se ‘dikur ishte i pamend’ dhe e kishte kaluar jetën ‘duke bërë të keqen’.1 Timoteut 1:15; Titit 3:3.

Mendo sa shumë dashuri ka Perëndia, saqë dërgoi Birin e tij që të vdesë për njerëz të tillë! Merre Biblën tënde, të lutem, e të lexojmë për këtë te Gjoni, kapitulli 3, vargu 16. Aty thuhet: «Perëndia  e deshi botën [domethënë, njerëzit që jetojnë në tokë] aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»

Çfarë vuajtjesh duroi Jezui kur dha jetën e tij për ne?

Jezui e tregoi me vepra se kishte për ne të njëjtën dashuri që kishte Ati i tij. Ndoshta të kujtohet se në kapitullin e 30-të të këtij libri lexuam për disa gjëra të dhembshme që i ndodhën Jezuit natën kur e arrestuan. E çuan në shtëpinë e kryepriftit Kajafa, ku i bënë një gjyq. Aty sollën dëshmitarë të rremë që thanë gënjeshtra për Jezuin dhe njerëzit e goditën me grushta. Ky ishte rasti kur Pjetri mohoi se e njihte Jezuin. Ta zëmë tani se jemi aty në atë vend dhe le të shohim çfarë ndodh tjetër.

Bëhet mëngjes. Jezui ka ndenjur zgjuar gjithë natën. Meqenëse gjyqi që u bë natën nuk ishte sipas ligjit, priftërinjtë mbledhin menjëherë Sinedrin ose gjykatën e lartë të judenjve dhe bëjnë një gjyq tjetër. Këtu e akuzojnë përsëri Jezuin se ka bërë krime kundër Perëndisë.

Pastaj priftërinjtë e lidhin Jezuin dhe e çojnë te Pilati, qeveritari romak. I thonë Pilatit: ‘Jezui është kundër qeverisë. Ai duhet të vritet.’ Por Pilati e kupton se priftërinjtë po e gënjejnë. Prandaj u thotë: ‘S’gjej asnjë gjë të keqe te ky njeri. Do ta lë të lirë.’ Kurse priftërinjtë dhe të tjerët bërtasin: ‘Jo! Vrite!’

Më vonë, Pilati prapë përpiqet t’u thotë njerëzve se do ta lërë të lirë Jezuin. Por priftërinjtë i nxitin turmat e njerëzve që të bërtasin: ‘Po ta lësh të lirë, do të jesh edhe ti kundër qeverisë. Vrite!’ Turmat fillojnë të bërtasin shumë. Çfarë bën Pilati, e di? . . .

Ai dorëzohet. Në fillim urdhëron që ta rrahin me kamxhik Jezuin. Pastaj ua jep ushtarëve që ta vrasin. Ata i vënë në kokë Jezuit një kurorë me gjemba dhe e tallin duke u përkulur para tij.  Pastaj i japin Jezuit një shtyllë të madhe prej druri që ta mbajë dhe e çojnë jashtë qytetit, në një vend që quhet Vendi i Kafkës. Aty, Jezuit ia mbërthejnë duart dhe këmbët me gozhdë te shtylla e drurit. Pastaj e ngrenë shtyllën drejt, kështu që trupi i Jezui varet tek ajo. Atij i del gjak. Dhembja që ndien është shumë e madhe.

Jezui nuk vdes menjëherë. Ai rri atje, i varur në shtyllë. Krerët e priftërinjve tallen me Jezuin. Kurse kalimtarët i thonë: «Nëse je një bir i Perëndisë, zbrit nga shtylla e torturës!» Por Jezui e di për çfarë e ka dërguar Ati i tij në tokë. E di se duhet të japë jetën e tij të përsosur, që ne të marrim jetën e përhershme. Në fund, rreth  orës tre pasdite, Jezui i thërret Atit të tij dhe vdes.Mateu 26:36–27:50; Marku 15:1; Luka 22:39–23:46; Gjoni 18:1–19:30.

Sa ndryshonte Jezui nga Adami! Adami nuk tregoi dashuri për Perëndinë, nuk iu bind atij. Adami nuk tregoi dashuri as për ne. Ngaqë ai mëkatoi, të gjithë ne kemi lindur me mëkat. Kurse Jezui tregoi dashuri për Perëndinë dhe për ne. Ai iu bind gjithnjë Perëndisë. Gjithashtu, dha jetën e tij që të hiqte dëmin që na shkaktoi Adami.

Çfarë mund të bëjmë për të treguar se e duam Jezuin?

A je mirënjohës për këtë gjë të mrekullueshme që bëri Jezui? . . . Kur i lutesh Perëndisë, a e falënderon që ka dhënë Birin e tij për ne? . . . Apostulli Pavël ishte mirënjohës për atë që kishte bërë Krishti për të. Pavli shkroi: ‘Biri i Perëndisë më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.’ (Galatasve 2:20) Jezui vdiq edhe për ty e për mua. Ai e dha jetën e tij të përsosur që ne të kemi jetën e përhershme. Patjetër që kjo është një arsye e fortë pse duhet ta duam Jezuin.

Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve që ishin në qytetin e Korintit: «Dashuria e Krishtit na vë në veprim.» Në ç’lloj veprimi duhet të na vërë dashuria e Krishtit? Si mendon? . . . Shiko si përgjigjet Pavli: «Krishti vdiq për të gjithë në mënyrë që ata të jetojnë për Të. Ata nuk duhet të jetojnë për të kënaqur veten.»—Kursivi është yni; 2 Korintasve 5:14, 15, New Life Version.

 A të vijnë ndër mend disa mënyra se si mund të tregosh që po jeton për t’i pëlqyer Krishtit? . . . Një mënyrë është duke u treguar të tjerëve çfarë ke mësuar për Jezuin. Ose mendo për këtë: ndoshta je vetëm, prandaj mamaja dhe babai nuk mund të shikojnë se çfarë po bën dhe asnjeri nuk mund të të shohë. A do të shikoje disa emisione në televizor ose disa gjëra në Internet që e di se nuk do t’i pëlqenin Jezuit? . . . Mos harro, Jezui tani është gjallë dhe mund të shikojë çdo gjë që bëjmë ne!

Kush mund të shohë çdo gjë që bëjmë ne?

Një arsye tjetër pse duhet ta duam Jezuin është se ne dëshirojmë të imitojmë Jehovain. «Ati më do»,—tha Jezui. Pse e do Jehovai Jezuin? Pse duhet ta duam edhe ne, si thua? . . . Sepse Jezui ishte i gatshëm të vdiste që të bëhej vullneti i Perëndisë. (Gjoni 10:17) Prandaj, le të bëjmë atë që na thotë Bibla: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri, ashtu si Krishti ju deshi dhe e dorëzoi veten e tij për ju.»Efesianëve 5:1, 2.

Që të çmojmë më shumë Jezuin dhe atë që bëri ai për ne, le të lexojmë Gjonin 3:35; 15:9, 10 dhe 1 Gjonit 5:11, 12.