JAM i sigurt se edhe ti e pranon që ekziston dikush më i lartë ose më i madh e më i fortë se të gjithë ne. Si thua, kush është ky? . . . Perëndia Jehova. Po Biri i tij, Mësuesi i Madh? A është ai më i lartë se ne? . . . Po, edhe ai është.

Jezui kishte jetuar me Perëndinë në qiell. Ai ishte Bir frymor ose engjëll. A bëri Perëndia edhe engjëj të tjerë ose bij të tjerë frymorë? . . . Po, bëri miliona e miliona të tillë. Edhe këta engjëj janë më të lartë e më të fuqishëm se ne.Psalmi 104:4; Danieli 7:10.

E mban mend, si e kishte emrin engjëlli që foli me Marinë? . . . E kishte emrin Gabriel. Ai i tha Marisë se bebja që do të lindte ajo do të ishte Biri i Perëndisë. Perëndia e vendosi jetën e Birit të tij frymor brenda barkut të Marisë, kështu që Jezui lindi si foshnjë këtu në tokë.Luka 1:26, 27.

Çfarë do t’i kenë thënë Jezuit Maria dhe Jozefi?

A e beson këtë mrekulli? A e beson që Jezui kishte jetuar me Perëndinë në qiell? . . . Jezui tha që kishte jetuar. Si e dinte këtë? Ka shumë të ngjarë që kur Jezui ishte fëmijë, Maria t’i ketë treguar atë që i kishte thënë Gabrieli. Po ashtu, ndoshta edhe Jozefi i tha Jezuit se Ati i tij i vërtetë ishte Perëndia.

Kur Jezui u pagëzua, Perëndia foli nga qielli e tha: «Ky është Biri im.» (Mateu 3:17) Pastaj, natën para se të vdiste, Jezui u lut: «Atë, jepmë  lavdi pranë teje me lavdinë që kisha pranë teje para se të ishte bota.» (Gjoni 17:5) Po, Jezui kërkoi që të kthehej prapë për të jetuar me Perëndinë në qiell. Po si mund të jetonte atje? . . . Vetëm në qoftë se Perëndia Jehova do ta bënte përsëri një person të padukshëm frymor ose engjëll.

Tani dua të të bëj një pyetje të rëndësishme. A janë të gjithë engjëjt të mirë? Si mendon? . . . Dikur, para shumë kohësh, të gjithë ata ishin të mirë. Ishin ashtu sepse i kishte krijuar Jehovai dhe çdo gjë që bën ai është e mirë. Por më pas njëri nga engjëjt u bë i keq. Si ndodhi kjo?

Për ta kuptuar këtë, duhet të kujtojmë prapë kohën kur Perëndia bëri burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën. Disa njerëz thonë se tregimi që flet për ta është vetëm një përrallë. Por Mësuesi i Madh e dinte se ishte tregim i vërtetë.

Kur bëri Adamin dhe Evën, Perëndia i vuri në një kopsht të bukur, një vend që quhej Eden. Ky ishte një park, një parajsë. Ata mund të kishin bërë shumë fëmijë, që të bëheshin një familje e madhe dhe të jetonin përgjithmonë në Parajsë. Por duhej të mësonin diçka të rëndësishme, për të cilën kemi folur edhe më parë. Le të shohim a e mbajmë mend.

Si do të mund të kishin jetuar përgjithmonë në Parajsë Adami dhe Eva?

 Jehovai i tha Adamit dhe Evës se mund të hanin nga të gjitha frutat që donin prej pemëve të kopshtit. Por kishte një pemë, frutat e së cilës nuk duhej t’i hanin. Perëndia u tha se çfarë do t’u ndodhte po të hanin prej saj: ‘Keni për të vdekur.’ (Zanafilla 2:17) Pra, çfarë duhej të mësonin Adami dhe Eva? . . .

Duhej të mësonin bindjen. Po, jeta varet nga bindja që tregojmë ndaj Perëndisë Jehova. Nuk mjaftonte vetëm që Adami dhe Eva të thoshin me fjalë se do t’i bindeshin atij. Ata duhej ta tregonin bindjen me gjërat që do të bënin. Po t’i bindeshin Perëndisë, do të tregonin se e donin dhe dëshironin që Ai të ishte Sundimtari i tyre. Atëherë mund të kishin jetuar përgjithmonë në Parajsë. Nga ana tjetër, çfarë do të tregonin po të hanin nga ajo pemë? . . .

Do të tregonin se nuk ishin me të vërtetë mirënjohës për atë që u kishte dhënë Perëndia. Po të kishe qenë atje, a do t’i ishe bindur ti Jehovait? . . . Në fillim, Adami dhe Eva u bindën. Por pastaj, dikush që ishte më i lartë se ata e mashtroi Evën. Ai ia mbushi mendjen që të  mos i bindej Jehovait. Kush ishte ky që bëri këtë? . . .

Kush po e bënte gjarprin të fliste me Evën?

Bibla thotë se me Evën foli një gjarpër. Por ti e di që gjarpri nuk mund të flasë vetë. Atëherë, si ka mundësi që foli? . . . Një engjëll bëri të dukej sikur po fliste gjarpri, por në të vërtetë ishte engjëlli që po fliste. Ky engjëll kishte filluar të mendonte gjëra të këqija. Donte që Adami dhe Eva të adhuronin atë. Donte që ata të bënin siç thoshte ai, pra donte të zinte vendin e Perëndisë.

Kështu, ky engjëll i keq i shtiu në mendje Evës ide të gabuara. Nëpërmjet gjarprit ai i tha: ‘Perëndia s’ju ka thënë të vërtetën. Ju nuk do të vdisni po të hani nga pema, por do të bëheni të mençur si Perëndia.’ A do ta kishe besuar ti atë që tha ai zë? . . .

Eva filloi të dëshironte diçka që Perëndia nuk ia kishte dhënë. Ajo hëngri frutin nga pema e ndaluar. Pastaj i dha edhe Adamit që të hante. Adami nuk e besoi atë që tha gjarpri, por donte të rrinte me Evën. Kjo dëshirë ishte më e fortë se dashuria për Perëndinë. Prandaj edhe ai hëngri nga pema.Zanafilla 3:1-6; 1 Timoteut 2:14.

 Cilat ishin pasojat? . . . Adami dhe Eva u bënë të papërsosur, u plakën dhe vdiqën. Duke qenë se ishin të papërsosur, edhe të gjithë fëmijët e tyre dolën të papërsosur, dhe me kalimin e kohës u plakën e vdiqën. Perëndia nuk kishte gënjyer! Jeta varet me të vërtetë nga bindja ndaj tij. (Romakëve 5:12) Bibla na thotë se engjëlli që gënjeu Evën quhet Satana Djalli dhe engjëjt e tjerë që u bënë të këqinj quhen demonë.Jakovit 2:19; Zbulesa 12:9.

Çfarë ndodhi me Adamin dhe Evën kur nuk iu bindën Perëndisë?

A arrin ta kuptosh tani pse engjëlli i mirë që kishte krijuar Perëndia u bë i keq? . . . Sepse filloi të mendonte gjëra të këqija. Donte të ishte i pari. E dinte se Perëndia u kishte thënë Adamit dhe Evës të bënin fëmijë, por donte që të gjithë ata të adhuronin atë. Djalli dëshiron t’i bëjë të gjithë që të mos i binden Jehovait. Prandaj përpiqet të na futë në mendje mendime të gabuara.Jakovit 1:13-15.

Djalli thotë se askush nuk e do me të vërtetë Jehovain. Ai thotë se unë dhe ti nuk e duam Perëndinë dhe nuk dëshirojmë me të vërtetë të bëjmë atë që thotë Perëndia. Thotë se i bindemi Jehovait vetëm kur çdo gjë është ashtu si duam ne. A ka të drejtë Djalli? A jemi kështu ne?

Mësuesi i Madh tha se Djalli është gënjeshtar. Jezui tregoi se e donte me të vërtetë Jehovain, duke iu bindur Atij. Jezui u bind gjithnjë, jo vetëm kur ishte e lehtë, por edhe kur njerëzit e tjerë ia bënin të vështirë të bindej. I qëndroi besnik Jehovait derisa vdiq. Për këtë arsye Perëndia e ktheu përsëri në jetë, që të jetojë përgjithmonë.

Atëherë, si thua, kush është armiku ynë më i madh? . . . Po, është Satana Djalli. A e sheh dot ti atë? . . . Sigurisht që jo. Por e dimë që ekziston dhe që është më i lartë e më i fuqishëm se ne. Por, ama, kush është më i lartë se Djalli? . . . Perëndia Jehova. Prandaj e dimë se Perëndia mund të na mbrojë.

Le të lexojmë për Personin që duhet të adhurojmë: Ligji i përtërirë 30:19, 20; Josiu 24:14, 15; Proverbat 27:11 dhe Mateu 4:10.