Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 47

Nga e dimë se Harmagedoni është afër?

Nga e dimë se Harmagedoni është afër?

TI E di çfarë është një shenjë, apo jo? . . . Në kapitullin 46 lexuam që Perëndia dha një shenjë se nuk do ta shkatërronte kurrë më botën me përmbytje. Gjithashtu, apostujt i kërkuan Jezuit një shenjë që ta dinin se kur do të ishte kthyer ai dhe kur do të ishte afër fundi i botës ose i sistemit.Mateu 24:3.

Duke qenë se Jezui do të ishte i padukshëm në qiell, njerëzit kishin nevojë për një shenjë që ta shihnin. Ajo shenjë do t’u tregonte se ai kishte filluar të sundonte. Prandaj, Jezui foli për disa gjëra që do të ndodhnin në tokë, ndaj të cilave dishepujt e tij duhej të ishin vigjilentë. Kur të ndodhnin këto gjëra, kjo do të thoshte se ai ishte kthyer dhe kishte filluar të sundonte në qiell si Mbret.

Për t’u mësuar dishepujve të tij sa e rëndësishme ishte të rrinin vigjilentë, Jezui u tha: «Vëreni fikun dhe  gjithë pemët e tjera: Kur kanë lëshuar tashmë sythe, duke vërejtur këtë, ju e dini vetë se tani vera është afër.» Ti e kupton se kur po vjen vera. Po ashtu, mund ta kuptosh se Harmagedoni është afër, kur të shohësh të ndodhin gjërat për të cilat foli Jezui.Luka 21:29, 30.

Çfarë po na mësonte Jezui kur foli për pemën e fikut?

Në këtë faqe, si edhe në faqen tjetër, do të shohim disa figura. Këto tregojnë gjërat që Jezui tha se do të ishin pjesë e shenjës se Mbretëria e Perëndisë është afër. Kur të ndodhin të gjitha këto gjëra,  Mbretëria e Perëndisë me Krishtin si Sundimtar do t’i dërrmojë të gjitha qeveritë e tjera. Këtë e lexuam në kapitullin 46.

Prandaj, shikoji me kujdes figurat në dy faqet para kësaj, sepse tani do të flasim për to. Te Mateu 24:6-14 dhe te Luka 21:9-11 mund të lexojmë për atë që shohim në këto figura. E shikon edhe numrin e vogël që gjendet te çdo figurë? I njëjti numër gjendet në fillim të paragrafit që flet për atë figurë. Le të shohim tani nëse po përmbushen sot pjesët e shumta të shenjës që dha Jezui.

(1) Jezui tha: «Do të dëgjoni ushtima luftërash dhe lajme luftërash; . . . do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» A ke dëgjuar të flitet për luftëra? . . . Lufta I Botërore u bë nga viti 1914 deri në vitin 1918, pastaj u bë Lufta II Botërore, nga viti 1939 deri në vitin 1945. Asnjëherë më parë s’kishte pasur luftëra botërore! Tani ka luftëra në gjithë botën. Gati çdo ditë në televizor, në radio dhe në gazeta lexojmë ose dëgjojmë për luftëra.

(2) Jezui tha gjithashtu: «Do të ketë mungesa ushqimi . . . nga njëri vend në tjetrin.» Ti ndoshta e di që jo të gjithë kanë mjaft ushqim për të ngrënë. Çdo ditë mijëra njerëz vdesin sepse nuk kanë mjaft ushqim.

(3) Jezui shtoi: ‘Nga njëri vend në tjetrin do të ketë murtaja.’ A e di çfarë është një murtajë? . . . Është një sëmundje nga e cila vdesin shumë njerëz. Një murtajë e madhe, e quajtur gripi spanjoll, vrau rreth 20 milionë njerëz brenda pothuajse një viti. Në kohët tona, ka mundësi të vdesin nga SIDA edhe më shumë se 20 milionë njerëz. Po ashtu edhe kanceri, sëmundjet e zemrës e sëmundje të tjera vrasin me mijëra veta çdo vit.

(4) Jezui dha një pjesë tjetër të shenjës, duke thënë: «Do të ketë . . . tërmete nga njëri vend në tjetrin.» A e di çfarë është një  tërmet? . . . Tërmetet bëjnë që të na lëkundet toka poshtë këmbëve. Shtëpitë shemben dhe shpesh vdesin njerëz. Që nga viti 1914 ka pasur shumë tërmete çdo vit. A ke dëgjuar për këto tërmete? . . .

(5) Jezui tha se një pjesë tjetër e shenjës do të ishte ‘rritja gjithnjë e më shumë e ligësisë’. Ja përse sot ka kaq shumë vjedhje dhe dhunë. Njerëzit kudo kanë frikë se mos dikush u futet me forcë në shtëpi për t’i vjedhur. Asnjëherë më parë s’ka pasur kaq shumë krime dhe dhunë në të gjitha pjesët e botës, sa tani.

(6) Jezui dha një pjesë shumë të rëndësishme të shenjës kur tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Në qoftë se e beson ‘këtë lajm të mirë’, atëherë duhet t’u flasësh të tjerëve për të. Në këtë mënyrë mund të marrësh pjesë në plotësimin e kësaj pjese të shenjës.

Disa njerëz mund të thonë se gjërat që paratha Jezui kanë ndodhur gjithnjë. Por, asnjëherë më parë këto gjëra nuk kanë ndodhur të gjitha bashkë, në kaq shumë pjesë të botës dhe në të njëjtën kohë. Prandaj, a e kupton se çfarë do të thotë shenja? . . . Do të thotë se kur i shohim të gjitha këto gjëra që po ndodhin, e kuptojmë që këtë botë të ligë shumë shpejt do ta zëvendësojë bota e re e Perëndisë.

Kur dha këtë shenjë, Jezui foli edhe për një stinë të veçantë të vitit. Ai tha: «Vazhdoni të luteni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.» (Mateu 24:20) Çfarë mendon se donte të thoshte me këtë? . . .

Po ja, ta zëmë se një njeriu i duhet të ikë për t’i shpëtuar një katastrofe gjatë dimrit. Çfarë mund të ndodhë me të, meqë në dimër koha e bën shumë të vështirë ose edhe të rrezikshëm udhëtimin?  . . . Edhe po të arrijë të ikë, do ta ketë shumë të vështirë. A nuk është e trishtueshme që dikush të vdesë në një stuhi dimri vetëm sepse ka qenë tepër i zënë me gjëra të tjera dhe nuk e ka filluar më parë udhëtimin? . . .

Çfarë po na mësonte Jezui kur foli për ata që donin të iknin gjatë dimrit?

A e kupton ç’mësim të rëndësishëm po jepte Jezui kur tha që të mos presim dimrin për të ikur? . . . Ai po na thoshte se meqë e dimë që Harmagedoni është afër, duhet të veprojmë pa vonesë për të treguar se e duam Perëndinë. E tregojmë këtë duke i shërbyer atij. Nëse vonohemi, pastaj mund të jetë tepër vonë për ne. Do të ishim porsi ata njerëz në kohën e Përmbytjes së madhe, të cilët e dëgjuan paralajmërimin e Noesë, por nuk hynë në arkë.

Atëherë, le të shqyrtojmë si do të jetë gjendja kur të mbarojë lufta e madhe e Harmagedonit. Do të mësojmë se çfarë ka përgatitur Perëndia për të gjithë ne që e duam dhe i shërbejmë atij tani.

Këto janë disa shkrime të tjera që tregojnë se Harmagedoni është afër: 2 Timoteut 3:1-5 dhe 2 Pjetrit 3:3, 4.