A TË duket e lehtë t’i shërbesh Jehovait? . . . Mësuesi i Madh nuk tha se do të ishte e lehtë. Natën para se të vdiste, Jezui u tha apostujve të tij: «Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua.»Gjoni 15:18.

Pjetri u mburr se nuk do ta braktiste kurrë Jezuin, por Jezui tha se po atë natë Pjetri do ta mohonte tri herë se e njihte. Pjetri u soll pikërisht kështu! (Mateu 26:31-35, 69-75) Si ka mundësi që ndodhi një gjë e tillë? . . . Ndodhi sepse Pjetri pati frikë, e po ashtu edhe apostujt e tjerë.

Pse patën frikë apostujt, e di? . . . Ata kishin harruar të bënin diçka shumë të rëndësishme. Tani do të mësojmë për këtë. Kjo do të na ndihmojë t’i shërbejmë Jehovait, pavarësisht se çfarë mund të na thotë ose të na bëjë dikush. Por, si fillim duhet të rishikojmë çfarë ndodhi natën e fundit që Jezui kaloi me apostujt.

Në fillim ata festojnë bashkë Pashkën. Pashka ishte një darkë e veçantë. Ajo mbahej çdo vit për t’i kujtuar popullit të Perëndisë çlirimin nga skllavëria në Egjipt. Pas kësaj, Jezui u paraqet atyre një tjetër darkë të veçantë. Do të flasim për këtë darkë në një kapitull tjetër më vonë e do të shpjegojmë se si na ndihmon ajo që të kujtojmë Jezuin. Pas kësaj darke dhe pasi u thotë fjalë inkurajimi apostujve, Jezui i çon në kopshtin e Getsemanisë. Ky është një vend që ata e pëlqejnë dhe kanë shkuar shpesh.

 Aty në kopsht, Jezui largohet pak nga të tjerët, për t’u lutur. Ai u thotë edhe Pjetrit, Jakovit e Gjonit që të luten. Por këta i zë gjumi. Tri herë Jezui ikën i vetëm për t’u lutur dhe të tria herët kthehet e i gjen Pjetrin dhe të tjerët duke fjetur. (Mateu 26:36-47) Pse duhej të kishin qëndruar zgjuar e të ishin lutur ata, e di? . . . Le të flasim pak për këtë.

Pse duhej të kishin ndenjur zgjuar Pjetri, Jakovi dhe Gjoni?

Pak më parë atë mbrëmje, Judë Iskarioti ishte në darkën e Pashkës bashkë me Jezuin dhe apostujt e tjerë. Ndoshta e mban mend që Juda ishte bërë hajdut. Tani ai bëhet edhe tradhtar. Ai e di se ku është vendi në kopshtin e Getsemanisë ku Jezui është takuar shpesh me apostujt e tij. Prandaj Juda i sjell ushtarët aty që ta arrestojnë Jezuin. Kur ata mbërrijnë aty, Jezui i pyet: «Kë po kërkoni?»

Ushtarët përgjigjen: «Jezuin.» Jezui nuk ka frikë, prandaj përgjigjet: «Unë jam.» Ushtarët habiten kaq shumë nga guximi i Jezuit, saqë sprapsen dhe bien përtokë. Atëherë Jezui u thotë: ‘Në qoftë se po më kërkoni mua, lërini apostujt e mi të ikin.’Gjoni 18:1-9.

Kur ushtarët e kapin dhe e lidhin Jezuin, apostujt frikësohen dhe ikin me vrap. Por Pjetri dhe Gjoni duan të shohin se çfarë ndodh, prandaj i ndjekin ata nga njëfarë largësie. Jezuin e çojnë te shtëpia e Kajafës, kryepriftit. Meqenëse Gjoni është i njohur te kryeprifti, portierja i lë atë dhe Pjetrin të hyjnë në oborr.

Priftërinjtë tashmë janë mbledhur te shtëpia e Kajafës për të bërë një gjyq. Ata duan që Jezui të vdesë. Prandaj sjellin dëshmitarë që thonë gënjeshtra për të. Njerëzit e qëllojnë Jezuin me grushta dhe i bien me shuplaka. Pjetri është aty afër kur ndodh e gjithë kjo.

Një shërbyese, portierja që i la të hynin Pjetrin dhe Gjonin, e vë re Pjetrin. «Edhe ti ishe me Jezuin!»—thotë ajo. Por Pjetri mohon  madje edhe që e njeh Jezuin. Pas pak, një vajzë tjetër e njeh Pjetrin dhe u thotë atyre që po rrinë në oborr: «Ky njeri ishte me Jezuin.» Përsëri Pjetri e mohon që e njeh Jezuin. Pak më vonë, një grup njerëzish e shohin Pjetrin dhe i thonë: «Pa dyshim që edhe ti je një nga ata.» Për herë të tretë, Pjetri mohon me fjalët: «Nuk e njoh atë njeri!» Madje Pjetri betohet se po thotë të vërtetën, e në atë kohë Jezui kthehet dhe e shikon.Mateu 26:57-75; Luka 22:54-62; Gjoni 18:15-27.

Pse kishte kaq shumë frikë Pjetri, saqë gënjeu e tha se nuk e njihte Jezuin?

Pse gënjeu Pjetri, si thua? . . . Po, sepse kishte frikë. Po pse kishte frikë? Çfarë nuk kishte bërë ai për të marrë guxim? Mendo pak. Çfarë kishte bërë Jezui për të marrë guxim? . . . I ishte lutur Perëndisë, dhe Perëndia e ndihmoi të kishte guxim. Sill ndër mend se Jezui i kishte thënë tri herë Pjetrit që të lutej, të rrinte zgjuar e të ishte vigjilent. Por, çfarë ndodhi? . . .

Pjetrin e zuri gjumi të tria herët. Ai nuk u lut dhe nuk ishte vigjilent. Prandaj u zu në befasi kur e arrestuan Jezuin. Më vonë në gjyq, kur njerëzit e goditën Jezuin dhe bënë plane për ta vrarë,  Pjetrin e zuri frika. E megjithatë, vetëm disa orë më parë, çfarë u tha Jezui apostujve se duhej të pritnin? . . . Jezui u tha se ashtu si bota kishte urryer atë, do të urrente edhe apostujt e tij.

Si mund të jesh edhe ti në ndonjë situatë të ngjashme me atë që kaloi Pjetri?

Le të mendojmë tani për diçka që mund të na ndodhë neve, e cila mund të jetë e ngjashme me atë që i ndodhi Pjetrit. Ta zëmë se je në klasë dhe të tjerët fillojnë të thonë gjëra të këqija për njerëzit që nuk nderojnë flamurin ose që nuk festojnë Krishtlindjet. Po sikur pastaj dikush të të drejtohet ty dhe të të pyesë: «A është e vërtetë që ti nuk e nderon flamurin?» Ose  të tjerët të thonë: «Kemi dëgjuar që ju nuk festoni as Krishtlindjet!» A do të kesh frikë të thuash të vërtetën? . . . A do të tundohesh të gënjesh, siç bëri Pjetri? . . .

Më pas Pjetrit i erdhi shumë keq që e kishte mohuar se e njihte Jezuin. Kur e kuptoi çfarë kishte bërë, ai doli jashtë dhe filloi të qante. Po, ai u kthye prapë te Jezui. (Luka 22:32) Mendo pak tani. Çfarë mund të na ndihmojë që të mos frikësohemi aq shumë, sa të themi ndonjë gjë siç bëri Pjetri? . . . Kujto që Pjetri nuk ishte lutur e nuk kishte qenë vigjilent. Prandaj, si thua, çfarë duhet të bëjmë për të qenë dishepuj të Mësuesit të Madh? . . .

Patjetër që duhet t’i lutemi Jehovait për ndihmë. Kur Jezui u lut, a e di çfarë bëri Perëndia për të? . . . I dërgoi një engjëll që ta forconte. (Luka 22:43) A mund të na ndihmojnë ne engjëjt e Perëndisë? . . . Bibla thotë: «Engjëlli i Jehovait fushon pranë të gjithë atyre që i frikësohen atij, dhe i çliron.» (Psalmi 34:7) Por, që të marrim ndihmë nga Perëndia, nuk mjafton vetëm të lutemi. Çfarë duhet të bëjmë tjetër, a e di? . . . Jezui u tha dishepujve të tij të rrinin zgjuar dhe të qëndronin vigjilentë. Si mendon, si mund ta bëjmë këtë? . . .

Duhet të dëgjojmë me vëmendje çfarë thuhet në mbledhjet tona të krishtere dhe t’i kushtojmë vëmendje asaj që lexojmë në Bibël. Por duhet edhe t’i lutemi Jehovait rregullisht e t’i kërkojmë që të na ndihmojë t’i shërbejmë. Nëse veprojmë kështu, ai do të na ndihmojë që ta mundim frikën. Atëherë do të jemi të kënaqur kur të kemi rast për t’u treguar të tjerëve për Mësuesin e Madh dhe për Atin e tij.

Këto shkrime mund të na ndihmojnë të mos lejojmë kurrë që frika nga njerëzit e tjerë të na pengojë të bëjmë gjëra të drejta: Proverbat 29:25; Jeremia 26:12-15, 20-24 dhe Gjoni 12:42, 43.